Zv.kryeministrja takon Llallën: Hetoni përfshirjen e administratës në fushatë

356
Zëvendëskryeministrja teknike Ledina Mandija zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Siç njofton zyra e shtypit, takimi u zhvillua me qëllim që të ketë përparësi hetimi i rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë procesin e zgjedhjeve.
Mandija i kërkoi Llallës që kjo të formalizohet dhe përmes një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Mandija nënvizoi rëndësinë e rolit të organit të prokurorisë në hetimin e rasteve të përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për vitin 2017.
Znj. Mandija i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë specifike që të hetohet në drejtim të rasteve të përdorimit të burimeve të siguruara nga veprimtaritë e paligjshme.
Prokurori i Përgjithshëm, shprehu vullnetin dhe angazhim maksimal si dhe është dakordësuar për formalizimin e një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.
Më parë, Zv/Kryeministrja ka realizuar takime edhe me Kryetarin e KQZ-së dhe Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil me të cilët është rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti, ben te ditur zyra për mediat në Kryeministri. ​
Sigal