Ministri Halimi: “Garantojmë investitorët edhe kur vendosin ta mbyllin atë”

407
Sigal

Nuk do të ketë më ekspertë ekonomie që do të merren nga gjykatat apo bizneset për çështjet e falimentimit, por Administratorë të Falimentit. 17 të tillë morën dje prej ministrit Halimi licencën për ushtrimin e aktivitetit. Në fjalën e tij, mbajtur në ceremoninë e rastit, ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi e konsideroi Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentit si instituti më i ri i sistemit të drejtësisë, e cila do të bëje të mundur që proceset gjyqësore në rastet e falimentimit të ecin shumë më shpejt. “Ne kemi vendosur që nëpërmjet krijimit të një Autoriteti Mbikëqyrjes të Falimentit, t’u japim qëndrueshmëri dhe të garantojmë investitorët jo vetëm në çastin kur ata hapin një biznes, por edhe kur vendosin ta mbyllin atë. Investitorët e huaj apo shqiptare, duhet të jenë të sigurt dhe mbrojtur, se kanë të gjitha lehtësitë për të hapur një biznes më shpejt se kudo tjetër në rajon, por po ashtu ata duhet të jenë të sigurt se në momentin kur do të duan të falimentojnë kompaninë, apo mbyllin, zgjidhin marrëdhënien me ortakët, procedurat duhet të jenë po ashtu të shpejta. Kjo është një reformë që shkon në favor të klimës ndaj biznesit dhe nëpërmjet saj synohet që të marrin fund procedurat e tej zgjatura të falimentit në gjykata”, theksoi ministri Halimi në fjalën e tij. Krijimi i Agjencisë dhe ekipi i administratorëve të falimentit do të jenë një institucion i rëndësishëm në pastrimin e kompanive fantazmë, të cilat figurojnë të regjistruara, problematikë kjo e mbartur në vite që prej vitit 1999. Deri sot funksionet e administratorëve të falimentit realizoheshin nga ekonomistë apo ekspertët kontabël. Nga sot, të vetmit që do të kryejnë funksionet e administratorëve të falimentit do të jenë 17 administratorë, të cilët janë trajnuar dhe kaluan me sukses procesin e licencimit.