Mile: Do plotësojmë kushtet për bujqësinë, gratë pjesë e pandarë e projekteve tona

435
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile u takua me banorë të Komunës Remenj. Kandidatja e përbashkët e së majtës, znj. Diana Mile theksoi se pas 21 qershorit, të gjithë banorët do të kenë standarde të barabarta shërbimi dhe punësimi, ndërsa premtoi edhe ndihmë për më shumë subvencionime për bujqësinë dhe për blegtorinë.
“Ajo që ne kemi për detyrë kryesore është të barazojmë cilësinë e jetës të gjithë banorëve. Edhe në komunën tuaj, por dhe në Mokër e Udenisht e në zona të tjera. Projektet tonat e para që kemi përfshirë në program janë për zonat tuaja. Së pari është infrastruktura e cila është edhe mjaft e nevojshme, është projekti i qeverisë që ka marrë jetë superstrada Qukës-Qafë Pllocë, e cila është tregues optimizmi. Për këto zona, bujqësia dhe blegtoria janë dy shtyllat kryesore të zhvillimit ku ne do të përqendrohemi”, tha znj. Mile. 
Një tjetër ndalesë ishte ajo në zonën e Leshnicës. Kandidatja Diana Mile shpalosi disa pika të programit të saj, ku prioritet do t’i jepet bujqësisë dhe zhvillimit të saj përmes përmirësimit të kushteve të fermerëve. “Do mundohemi të plotësojmë kushtet e nevojshme për të gjithë ato gjëra që ju nevojiten për bujqësinë, si vaditja, kullimi i tokave, por dhe ndihma që do të vijë përmes subvencionit nga bashkëpunimi jonë me Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet shoqatës së fermerëve të cilën bashkia e re do të krijojë.”, tha Mile. 
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit tha se gratë zënë një vend të veçantë në programin e saj për t’i integruar dhe për t’i përshirë në fusha të ndryshme. “Një rol shumë i rëndësishëm është ai i gruas. I përgëzoj që sot janë këtu. Mendoj që për to do të mendojmë akoma më shumë për t’i integruar në të gjitha projektet, në të gjitha fushat në mënyrë që ato të jenë pjesë e pandarë e projekteve tona. Të gjitha këto projekte të cilat ne do t’i realizojmë pas 21 qershorit, kërkojnë mbështetjen tuaj, sugjerimet tuaja dhe unë ju ftoj të punojmë së bashku për të ardhmen tonë”, theksoi Mile. 
Sigal