Meta në Kamëz: Na jepni votën të drejtojmë të vetëm pa patericën e PS e PD

521
Fushata është ndezur. LSI kërkon nga qytetarët votën për të qeverisur vendin, pa pasur nevojën e oligarkëve. Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje, se Edi Rama kërkoi të ishte i vetëm në timon që në 2009-n
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh President i zgjedhur, nga Kamza ku LSI zhvilloi takimin elektoral për të prezantuar kandidatin për zgjedhjet e 25 qershorit, ka ashpërsuar gjuhën ndaj dy forcave të mëdha politike, PS dhe PD. Tashmë fushata është ndezur, dhe LSI në të gjitha takimet del e vendosur për të rritur ndjeshëm numrin e votave me qëllim daljen forcë e parë dhe marrjen e drejtimit të qeverisë. Ditët e fundit është dëgjuar rëndom nga Kryeministri Edi Rama të shprehet nëpër takimet elektorale se kërkon votën masive të qytetarëve për të qeverisur i vetëm, pa pasur nevojën e patericës së LSI-së, ose të ndonjë force tjetër politike. Por deklaratat e tij i janë kthyer gjatë ditës së djeshme nga ish-drejtuesi i LSI-së Ilir Meta. Teksa ndodhej në Kamëz, Ilir Meta, kërkoi votën e qytetarëve për të bërë realitet, siç tha ai, nxjerrjen e LSI-së forcë të parë në 25 Qershor. Në vijim të debatit të nxitur nga socialistët dhe sidomos nga kryeministri Edi Rama, se PS synon të marrë e vetme timonin pas 25 Qershorit, Meta tha se një të gjë të tillë Rama donte ta bënte që në 2009-n. Pra, presidenti i zgjedhur Ilir Meta i ka treguar Edi Ramës ambiciet e tij të vjetra, të cilat edhe pse dëshirën e ka pasur të madhe, nuk ka mundur t’i realizojë ato. Për Metën, tashmë është koha e LSI-së, për të qeverisur e vetme dhe pa pasur nevojën e forcave të tjera. “Në datën 25, procesi i votimit dhe numërimit do përfundojë më shpejt se asnjëherë tjetër, sepse shumica e shqiptarëve nuk do të lodhen, sepse LSI është e para në fletën e votimit. LSI ka qenë në koalicion në 2009-n me P,D se lidershipi i PS refuzoi koalicionin me LSI, sepse donte ta merrte timonin që atëherë i vetëm, por LSI e bëri koalicionin me PD për stabilitetin e vendit dhe gjatë atyre katër viteve ka dy ngjarje madhore që do mbeten përgjithmonë, liberalizimi i vizave dhe tjetra gazsjellësi TAP, një nga veprat më të mëdha për të ardhmen e Shqipërisë. A ka qenë LSI në koalicion me PS? I ka vënë vetëm një kusht, kur ka prishur kontratën në mënyrë të rregullt me PD, të votonte 3 ligjet për Integrimin Evropian që i kishte bllokuar para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe asnjë tjetër. Ne kemi qenë në koalicion edhe me PD edhe me PS, por si garanci e stabilitetit të vendit, të qeverisjes. Po çfarë kërkon LSI tani? Po, LSI as në 2009 as në 2013 nuk ka pasur drejtimin e qeverisë ndaj kërkon të jetë forcë e parë që të ketë drejtimin e qeverisë që të forcojë stabilitetin e vendit dhe të çojë përpara reformat, në mënyrë që qeveria të jetë shembulli i transparencës, që pasuritë natyrore të vendit të mos jepen fshehurazi dhe në mënyrë të dëmshme për interesat madhore të vendit”, u shpreh Meta. LSI prezantoi në Kamëz kandidatin e saj për deputet, Ylli Shehu, i cili renditet i nënti në listën shumë emërore të kandidatëve për deputetë.
Luan Rama ironizon kryeministrin: Ramës i lëmë timonin, ne zgjedhim qeverisjen 
Pas kreut të Kuvendit Ilir Meta, fjalën para qytetarëve të Kamzës e mori nënkryetari i LSI-së, Luan Rama. Objekti i fjalës së tij ishte pikërisht pretendimi i kryeministrit Edi Rama për të qeverisur i vetëm, pra për të drejtuar timonin pa ndihmën e partive të tjera dhe pa patericën e LSI-së. Kjo ndeshje fjalësh mes dy partive që kanë qeverisur së bashku për katër vite, duket se është bërë tashmë kryefjala e çdo takimi elektoral. Luan Rama kërkoi votëne qytetarëve të Kamzës në 25 qershor. Nënkryetari i kësaj force politike, Luan Rama iu përgjigj kryeministrit Rama për drejtimin e timonit nga një parti. Duke e ironizuar Luan Rama tha, se koha e timonierëve ka perënduar që me vdekjen e Mao Ce Dunit. “Të votosh për LSI-në do të thotë të votosh për sigurinë, do të thotë të votosh për një të ardhme të sigurt për rininë dhe jo për oligarkinë që ka zënë për fyti qeverisjen, e cila është kthyer në shërbëtore të oligarkisë. Të votosh për LSI do të thotë të votosh për punë të ndershme dhe kundër kanabizimit të Shqipërisë. Prandaj më 25 qershor vota jonë në numrin 1 për LSI. Ne jemi si ju, ne nuk ju ftojmë të na jepni votën për t’i dhënë votën një timonieri, sepse koha e timonierëve ka perënduar që me vdekjen e Mao Ce Dunit. Ne jemi këtu t’ju ftojmë të bëhemi bashkë për ta bërë LSI-në forcë të parë që i pari i qeverisë të jetë qytetari dhe jo kryetari. Jemi ndryshe prej të tjerëve, sepse del njëri dhe ju thotë votoni për mua që të mbaj timonin. Le t’ia lëmë timonin dhe ne të zgjedhim qeverisjen për qytetarët, për shqiptarët”.
Sigal