“Voto PS ose ikën nga puna”, zbardhet dëshmia e zyrtares në Ersekë: Si më rrahu 30-vjeçarja

480
Shefja e Financës së Drejtorisë së Shëndetit Publik në Kolonjë Kristina Stoja është dhunuar dje nga një kolege e saj, pasi e ka kërcënuar se do ta hiqte nga puna nëse nuk votonte Partinë Socialiste.

Zbardhet dëshminë e plotë të 55-vjeçares dhënë oficerit gjyqësor të policisë. Ajo ka rrëfyer se kanë ndodhur dy përplasje me shefen e burimeve njerëzore të institucionit ku punon, Dorina Tallo, fillimisht në zyrë dhe më pas ajo bashkë me nënën e saj e kanë ndjekur nëpër rrugë dhe e kanë sharë. Por nuk ka mjaftuar me kaq, pasi sipas të dhunuarës, 30-vjeçarja i ka futur duart në fyt dhe i ka dëmtuar hundën.

DËSHMIA
“Sot hyri në zyrën time shtetasja Dorina Tallo, e cila është punonjëse e institucionit ku unë punoj me detyrë Përgjegjëse e Burimeve Njerëzore dhe mori nga tavolina e punës sime listëprezencën për orarin e punës. Unë dola në korridor pasi në zyrën time hyri për të pastruar pastruesja. Dorina i thirri pastrueses lëre atë zyrë pa pastruar, shko shpjeri pak bukën poshtë nënës sime. Unë i thashë Dorina prit dhe pak sa të mbarojë zyrën së pastruari por ajo mu përgjigj, kush të pyet ty, të shikojmë se çfarë do bësh në datën 26 qershor, të shohësh do të heq të parën nga puna. Unë i thashë po të jetë se jam në dorën tënde më hiq nga puna. Ajo filloi të më shante dhe unë i thashë ule zërin se është administratë. Erdhi drejt meje për të më goditur fizikisht por nuk arriti të më godiste”, ka rrëfyer 55-vjeçarja në policia.

Ajo ka treguar gjithashtu se për rastin në fjalë e ka marrë në telefon edhe babai i 30-vjeçares Tallo duke e kërcënuar.

“Rreth orës 10:00, më mori në telefon babai i Dorinës, Robert Tallo dhe më tha: ‘Jam dy shkallë më lart se ti dhe do ta shohësh se ku do vesh’, unë i thashë Berti jam shumë e lodhur dhe nuk është hera e parë që më shqetësoni dhe mbylla telefonin”, ka deklaruar Kristina Stoja.

Por më pas kërcënimet dhe dhuna ndaj saj ka vijuar edhe në rrugë.

“Rreth orës 12:30 unë dola nga zyra për të shkuar në bankë për të bërë veprime rutinë të punës sime. Dorina së bashku me nënën e saj dolën nga farmacia përballë dhe filluan të më shanin me fjalë nga më të ndyrat, unë u futa në bankë, ato nuk mundën të më kontaktonin se i pengoi polici i bankës për t’u futur brenda. Kur dola nga banka polici i bankës më tha shmange sherrin dhe unë për të mos kontaktuar me ato të dyja të cilat më prisnin jashtë dola, ndërrova rrugë, ato më zunë rrugën, eca me vrap ato pas meje po thërrisnin dhe po më shanin, kur arrita në katin e dytë të poliklinikës ku kam zyrën, ku punoj, Dorina vrapoi dhe më kapi duke më hedhur duar në grykë, më dëmtoi në hundë gjithashtu më theu edhe syzet e punës, më këputi varëse që kisha në qafë. Bashkë me të ishte edhe nëna e saj Vjolanda. Dua që kjo gjë të ndiqet ligjërisht nga organet kompetente”, ka përfunduar dëshminë në policinë e Ersekës, shefja e financës së DSHP Kolonjë Kristina Stoja.

Lidhur me rastin Policia e Korçës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 30-vjeçaren Dorina Tallo.
Sigal