Meta në Durrës: LSI, faktor stabiliteti

379
Sigal

Kreu i LSI-së Ilir Meta
ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Durrës, ku theksoi se LSI
është faktor stabiliteti në vend dhe jo konfliktuale.

 

“Është një përkrahje
dhe simpati që në radhë të parë mendoj se vjen nga mesazhi pozitiv i LSI si
faktor stabiliteti. LSI ka treguar se është faktor për stabilitetin e vendit.
Së dyti, LSI si mesazh pozitiv në bërjen e politikës që kërkon përmes
bashkëpunimit, përmes dialogut, përmes arsyes, logjikës, qëllimeve të mira, ta
çojë politikën përpara dhe ta vërë në shërbim të njerëzve. Nuk është një forcë
konfliktuale, e lodhshme, stresuese e kështu me radhë. Angazhimi ynë për konsensus
për reformën në drejtësi është historik. Sepse po të ishte bërë pa konsensus do
të ishte hapur një sherr i paparë për 20 vjet në vendin tonë. Angazhimi ynë
edhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme ka qenë tregues i
përgjegjshmërisë sonë”, – theksoi Kryetari i LSI-së.

 

Meta tha se forca e
LSI-së është te respekti për njerëzit si edhe te përgjegjshmëria në politikë,
duke treguar korrektesë me të gjithë.

 

“Forca e LSI-së mendoj
se është tek mesazhi i saj pozitiv, është tek politika e saj me vendin tonë,
është tek respekti për njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme që ne jemi
gjithnjë korrekt me ta dhe mbi të gjitha është tek rinia, tek pjesëmarrja e
gjerë e saj. Ne jemi të përmbajtur dhe shumë të përgjegjshëm edhe në politikë.
Sepse është e thjeshtë ta humbasësh qetësinë, të bësh një veprim të nxituar,
por pastaj të duhet kohë për ta korrigjuar. Njerëzit duan besim, njerëzit duan
seriozitet, njerëzit duan më shumë qëndrueshmëri. LSI është në një moment shumë
pozitiv sepse është një forcë gjithnjë e qëndrueshme dhe në rritje. LSI të jetë
një forcë në vitin 2017, e cila vërtetë të jetë një garanci shumë herë më e
madhe se sa është sot, që vendi të mos përjetojë konflikte të panevojshme, por
njëkohësisht edhe reforma të nxituara, të cilat në vend që të zgjidhin
problemet e vjetra, shpesh krijojnë edhe probleme të reja dhe të panevojshme”,
– vijoi Meta.

 

Periudhën para
zgjedhjeve të 6 nëntorit në parti Meta tha se duhet të shfrytëzohet për të
përmirësuar përfaqësimin e LSI-së në të gjitha nivelet.