Meta: Mbështetje reformës në Drejtësi, do ndikojë në rritjen e investimeve të huaja

484
Konferenca për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta me Presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier
Pas përfundimit të vizitës, Presidenti Ilir meta zhvilloi edhe një konferencë shtypi me me presidentin e Gjermanisë Steinmeier. Meta e falënderoi Presidentin Gjerman për ftesën dhe për mundësinë e mirë për të vizituar Berlinin. Në fjalën e tij ai tha se kjo ishte gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të rikonfirmuar vullnetin e përbashkët për të forcuar akoma më tej partneritetin e shkëlqyer midis dy vendeve tona në interes, jo vetëm të zhvillimit të Shqipërisë dhe perspektivës së saj evropiane, por njëkohësisht dhe perspektivës evropiane të gjithë rajonit tonë. Njëkohësisht dhe forcimit të bashkëpunimit tonë edhe më tej edhe për të gjitha ato tema të rëndësishme dhe kritike, që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë në Ballkan, në Mesdhe dhe në të gjithë kontinentin ku sikurse dhe ju e thatë. 

“Shqipëria, si një vend anëtare e NATO-s, luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe kontribuon pa ndërprerje, sidomos në luftën kundër terrorizmit kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kundër çdo rreziku që vjen nga jashtë kontinentit tonë, i cili synon të shfrytëzojë sidomos rajone ende të pa stabilizuara mirë, sikurse është rajoni i Ballkanit. Në këtë drejtim dua t’ju siguroj që ne do të vazhdojmë të forcojmë rolin konstruktiv dhe moderues në rajonin e Ballkanit në interes të perspektivës evropiane të përbashkët të gjithë vendeve tona dhe për këtë mbështetemi fuqimisht në marrëdhëniet me Gjermaninë.

Dua t’ju falënderoj për vëmendjen tuaj edhe personale, të veçantë për të ndjekur zhvillimin e Shqipërisë, reformat e saj të cilat e afrojnë edhe më shumë dhe me BE-në.

Një falënderim të veçantë e kam dhe për mbështetjen e veçantë të Gjermanisë për të inkurajuar reformën në drejtësi, e cila tashmë është në momentet mjaft të rëndësishme të zbatimit të saj, gjë që do të ndihmojë shumë në forcimin e sundimit të ligjit në vend, njëkohësisht do të ndihmojë edhe në një aspekt tjetër tepër domethënës që ju e përmendët pikërisht në përmirësimin e klimës së biznesit, në rritjen e investimeve të huaja dhe natyrisht dhe rritjen e mundësive sidomos për të rinjtë në vendin tonë në mënyrë që ata të punësohen aty dhe ta shohin të ardhmen në Shqipëri. Dua t’ju falënderoj për fjalët mjaft të mira që thatë për komunitetin shqiptar që jeton në Gjermani dhe në këtë drejtim dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, që është një ndihmë për këtë komunitet.

Ashtu sikurse jam i bindur se bashkëpunimi ynë në shumë fusha të tjera do të bëjë të mundur sidomos të formimit profesional që të rinjtë shqiptarë të shohin mundësinë e të ardhmes së tyre në Shqipëri, ashtu sikurse shpresojmë që me efektet pozitive të reformave dhe me përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit të rriten dhe investimet gjermane dhe ato të huaja në Shqipëri, por dhe shumë të rinj të talentuar dhe të aftë që jetojnë në Gjermani apo në vende të tjera të kthehen në Shqipëri dhe të kontribuojnë për zhvillimin e saj. Një falënderim të veçantë për angazhimin e Gjermanisë për Procesin e Berlinit, që nga fillimi i tij dhe për vazhdimësinë e mëtejshme. Është një mënyrë tjetër që na bashkon ne vendet e rajonit për një të ardhme të përbashkët jo vetëm për infrastrukturë më të mirë, por për një marrëdhënie mirëbesimi dhe për një perspektivë më të fortë dhe më të prekshme evropiane për të gjitha vendet tona.

Me këtë rast do të dëshiroja të shprehja kënaqësinë që në këto 30 vitet e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona ka një lulëzim të pandërprerë të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe kemi hedhur një themel mjaft të fortë për një të ardhme të shkëlqyer afatgjatë dhe strategjike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, sepse stabiliteti i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor, jam i bindur që është kyç edhe për sfidat me të cilat ndeshet Gjermania dhe BE-ja sot dhe në të ardhmen.

Edhe një herë shumë faleminderit për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e Gjermanisë z. President! Presidenti Ilir meta iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp. 
A mendoni që pas zgjedhjeve në Gjermani do të mbetet ende në fokus integrimi evropian i Shqipërisë dhe rajonit tuaj, duke pasur parasysh edhe problemet e brendshme që po kalon BE-ja?
Unë do të doja të theksoja se ne jemi të bindur që e vetmja perspektivë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian. Besojmë që për këtë është e bindur edhe vetë Evropa, pasi nuk ka alternativë tjetër për vendet tona përveç anëtarësimit në BE, sepse çdo alternativë tjetër është kthim te nacionalizmi, tek e kaluara dhe te konflikti, gjë që nuk është në interes as të vendeve tona, por padyshim dhe të vet BE-së. Jam i bindur se disa nga shqetësimet me të cilat ndeshet dhe opinioni publik këtu në Gjermani dhe që mund të kenë reflektuar dhe në këto zgjedhje na obligojnë si ne, si Shqipëri, si dhe vendet e tjera të rajonit tonë që të bashkëpunojmë akoma më shumë me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane në luftën kundër krimit të organizuar për të luftuar akoma më tej kundër gjithë atyre fenomeneve, të cilat, jo vetëm mund të largojnë të rinjtë nga vendet tona, por njëkohësisht të forcojmë dhe sigurinë e vendeve tona si pjesë e sigurisë së Evropës, duke kontribuuar në këtë mënyrë në vetë rritjen e mëtejshme të sigurisë dhe të besimit në vendet tuaja për vendet tona dhe për atë që ne do ta meritojmë, anëtarësimin në BE vetëm përmes reformave edhe më të suksesshme, dhe më të besueshme sesa deri tani.
Sigal