Meçaj: Prokurori i përkohshëm, pa të drejtë vendimmarrje

518
Procedurat për zëvendësimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla, pritet të diskutohen në ditët në vazhdim, ndërsa ende nuk kemi një emër të ri
Përfundimi i mandatit të kryeprokurorit, Adriatik Llalla, është çështje ditësh. Më datë 5 dhjetor, ai dorëzon detyrën, ndërkohë që në vend të tij ende nuk flitet asnjë emër i mundshëm. Nga ana e mazhorancës është folur për një skenar, me qëllim çlirimin nga ngërçi që mund të krijohet. Por deri tani asgjë konkrete. Edhe ndërkombëtarët, dolën me deklaratë, duke dhënë edhe disa rekomandime përkatëse. Meqenëse jemi përpara një fakti, ku dy organet e reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk janë krijuar, automatikisht, në bazë të ligjit, kemi një ngërç në sistem. Por për ndërkombëtarët, kjo situatë, mund të kalojë, me zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm. Ndërsa OSBE-OPDAT, janë rreshtuar në krahë të qeverisë dhe kanë dhënë rekomandimet përkatëse për të kapërcyer situatën, opozita është kundër. Lideri i PD-së, Lulzim Basha, është shprehur pothuaj në të gjithë daljet, se nuk do të lejojë që prokuroria të kapet nga qeveria Rama. Por ekspertët e fushës së drejtësisë, japin mendime të ndryshme. Një pjesë e tyre, kanë bindjen se vetingu do të shtyhet dhe se Prokurori i Përgjithshëm, nuk mund të zgjidhet në afatet e përcaktuara. Por ka dhe nga ata që shprehen se ndërhyrja e ndërkombëtarëve, do të zgjidh problemin. I tillë është edhe mendimi i ish-kryetares së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçe. Sipas saj, ndërhyrja e ndërkombëtareve, do të zbus situatën dhe në një farë mënyre do të zgjidh problemin e kryeprokurorit. 

Zonja Meçe, çështja e kryeprokurorit tashmë është kthyer në debatin e ditës në politikë dhe në radhët e ekspertëve. Mendon se do të gjej zgjidhje brenda afateve?
“Kam bindjen se me pak punë do të arrihet. Së pari organet e vetingut janë krijuar dhe ato kanë filluar punën. Unë e kam ndjekur situatën. E vetmja gjë e cila ka mbetur pa u krijuar në këto momente është KLP dhe KLGJ. Po kështu jam informuar se se fundmi tre kandidaturat për në KLP janë përzgjedhur. Këto kandidatura do të duhet të kalojnë tek Avokati i Popullit dhe më pas në Kuvend. Pritet që të zgjidhet edhe kandidatura nga shoqëria civile. Edhe ky anëtar duhet të zgjidhet dhe nuk ka pse vonon. Pasi të jetë kaluar kjo pjesë, do të duhet më pas që ata t’i nënshtrohen vettingut. Por gjithsesi edhe kjo ka kohën e vet”. 

Kjo është një rrugë e cila do të marrë kohë. Jemi në kushtet kur kryeprokurorit aktual i përfundon mandati dhe organi i hetimit mbetet pa një drejtues. Kjo si mendon se do të zgjidhet?
“Patjetër. Kryeprokurori nuk mund të qëndrojë në detyrë asnjë ditë jashtë afatit. Kjo është e përcaktuar edhe në dispozitat kalimtare. Për zgjidhjen e situatës kanë folur edhe ndërkombëtarët dhe unë jam dakord me atë që ata propozojnë, që me shumicë parlamentare do të caktohet një zëvendësues dhe ky do të funksionojë për një kohë të shkurtër. Gjatë kësaj kohe që ky kryeprokuror do të qëndroj në detyrë, nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim”.

Thoni se ai nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim. A jemi në kushtet kur mund të krijohet një amulli në drejtim dhe shumë çështje mund të mbeten pa zgjidhje?
“Mendoj se aktualisht me ndryshimet e reja, prokuroria nuk është më si më parë, ku prokurorët thirreshin nga drejtuesi më i lartë dhe ai vendoste për prishjen ose jo të vendimeve të tyre. Tashmë çështja është ndryshe. Prokurorët e kanë vetë në dorë hetimin e një çështje dhe përfundimin e saj. Më pas punën e prokurorit e vlerëson gjykata me vendimin që do të japë. Nëse vendimi i gjykatës rrëzon kërkesën e prokurorit, atëherë duket se puna e tij nuk ka qenë në nivelet e duhura. Ky prokuror nëse do të ketë disa vendime të prishura nga gjykata, do të duhet të përballet me vlerësimin që mund t’i japë KLP-ja. Me ndryshimet Kushtetuese është rritur shumë pavarësia profesionale e secilit prokuror. Kjo ishte një nga ngërçet që ne e kishim konstatuar edhe gjatë punës sonë. Sigurisht prokurori i Përgjithshëm dhe KLP do shqyrtojnë në tërësinë e vet drejt në çfarë qasjesh po shkon drejtësia. Prokurori i çështjes do mbajë përgjegjësi për çështjen. Gjykata është arbitri që do vendos për kërkesën e prokurorit dhe punën e tij”. 
Sigal