Strategjia e opozitës për të penguar Ramën të rrëmbejë prokurorin

522
Opozita: Si do të bllokohet Rama për prokurorin e përkohshëm
Konsultime intensive mes PD-së dhe LSI-së për të frenuar ndryshimet në krye të organit të akuzës. Nis sot “java e zjarrit”
Javë festive, por edhe javë e nxehtë e politikës. Me shumë çështje e debate të hapura, politika pritet të përleshet me ashpërsi për disa nga institucionet më kryesore të vendit. Mazhoranca ka paralajmëruar dy goditje të forta në seancën e 30 nëntorit në Kuvend, që do të prekin kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I gjithë tensioni është i përqendruar në Prokurorinë e Përgjithshme, për shkak të përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës në javën e parë të dhjetorit. Mazhoranca ka siguruar mbështetjen e misioneve ndërkombëtare të asistencës juridike për moszgjatje të mandatit të Llallës, si dhe për caktimin e një kryeprokurori të përkohshëm nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë, ndonëse Kushtetuta e re përcakton se Prokurori i Përgjithshëm duhet të zgjidhet me 3/5 e votave të deputetëve. Vonesat në procesin e vetingut dhe mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e kanë future situatën në një ngërç, ndërsa socialistët janë shprehur të vendosur për të zgjedhur një kryeprokuror të ri. 

Situata e krijuar ka detyruar edhe opozitën në organizohet dhe të marrë masat e saj. Burime politike bëjnë të ditur për “Telegraf” se janë hedhur në letër disa variante të reagimit opozitar, nëse shumica socialiste do të avancojë në planin e saj “për të zotëruar Prokurorinë e Përgjithshme dhe mbyllur dosjet që shqetësojnë kryeministrin”. Takime intensive janë realizuar mes drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa ekspertët ligjorë kanë punuar në ofrimin e propozimeve të ndryshme. Në variantet e diskutuara është një reagim i ashpër në Kuvend, kur shumica parlamentare të shtrojë për diskutim ndryshimet në prokurori. Deputetët e opozitës mund të tentojnë edhe një bllokim të punimeve të Kuvendit. Megjithatë, opozita po shqyrton edhe disa rrugë reagimi ligjor. Një ekspert ligjor i opozitës i tha “Telegraf” se Kushtetuta përcakton se përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm duhet ta deklarojë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me vendim të posaçëm. Por ky institucion nuk është ngritur. Nga ana tjetër, Adriatik Llalla e nisi detyrën me një mandate 5-vjeçar dhe ndryshimet në Kushtetutë e caktuan mandatin e shefit të akuzës në 7 vjet. Pikërisht për këtë arsye dhe dispozitat kalimtare që ka Kushtetuta, PD dhe LSI mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar edhe pezullimin e vendimit që mund të marrë Kuvendi me votat e Partisë Socialiste. Gjykata Kushtetuese në precedentët e saj ka vënë në lëvizje edhe Komisionin e Venecias, duke kërkuar një opinion të kualifikuar. Një procedurë e tillë, sipas ekspertëve, sigurisht që do të kërkojë kohë, ndaj themelore mbetet kërkesa për një pezullim të vendimit të Kuvendit për caktimin e prokurorit të përkohshëm. Shqetësim mes ekspertëve ligjorë është edhe fakti se një pezullim i vendimit të Kuvendit do ta lërë Prokurorinë e Përgjithshme pa drejtues, në një situatë të pazakontë, apo do të mundësojë vazhdimin e punës nga Adriatik Llalla deri në mbërritjen e pasuesit. 
Kushtetuta
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron kur:
a) mbush moshën e pensionit;
b) përfundon mandatin 7-vjeçar;
c) jep dorëheqjen;
ç) shkarkohet sipas nenit 149/c të Kushtetutës,
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
2. Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Hapat e opozitës për prokurorin e përkohshëm
1 – Dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
2 – Kërkesë për pezullim të vendimit të Kuvendit.
3 – Vënia në lëvizje e Komisionit të Venecias.
4 – Bllokim i Kuvendit.
Sigal