Masakrimi i bregdetit me vulat e shtetit

517
Sigal

NISMA/ Kryeministri Berisha paralajmëron prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare

Gjatë këtyre më shumë se dy dekadave të tranzicionit të gjithë jemi bërë dëshmitarë të asaj masakre mjedisore që është bërë në gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në bregdetin shqiptar. Drejt bregdeti u turrën me një oreks të panginjur turli personash dhe biznesmenësh, duke zaptuar copa territoresh e duke bërë ndërtime të paligjshme, të cilat më vonë janë legalizuar ose janë në proces legalizimi nga shteti. Dhe në këtë zaptim është kapërcyer çdo kufi. Ata që udhëtojnë përgjatë vijës bregdetare që nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Divjaka, Semani, Vlora, Dhërmiu, Himara e deri në Sarandë, vërejnë masakrën që është bërë e bëhet çdo ditë. Vërejnë zaptimin e rërës dhe të detit ku çdo ditë hidhen male inertesh, të cilat më vonë kthehen në troje dhe më pas shteti i pajis me tapi duke i legalizuar e duke bërë pronarë ata që nuk e meritojnë të jenë të tillë. Dihet që në kohën e mbretërisë zogiste rreth 100 metra duke filluar nga buza e detit ishte pronë shtetërore e paprekshme nga askush. Nuk flasim për kohën e diktaturës, ku gjithçka ishte pronë shtetërore dhe askush nuk mund të guxonte të mendonte marrëzira zaptimi të bregdetit. Kjo ndodhi në këto 20 vitet e fundit. Kryeministri Berisha duket se e ka kuptuar se është kapërcyer çdo kufi i arsyeshëm në zaptimin e bregdetit, ndaj dhe dje në mbledhjen e qeverisë u duk aq i vendosur për t’i dhënë fund kësaj masakre. “Jam këtu për t’u çuar mesazh atyre që marrin përsipër për të rrënuar brigjet e vendit. Ju jap fjalën e nderit se në shtator, do të ndërmerren masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje. Të babëzitur që ndërtojnë në rërë. I prishni vetë se ato do të kenë vetëm një fat ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin”, theksoi me forcë Berisha. Nëse kësaj nisme do t’i shkohet deri në fund, ky do të jetë padyshim një nga aksionet më të rëndësishme pozitive të kësaj qeverie. Ky është një qëndrim që meriton të përshëndetet, pavarësisht se në ç’kontekst është bërë. Një gjë dihet qartë: Ky aksion do të ketë një kosto. Jo vetëm financiare, por edhe politike. Sepse ne jemi dëshmitarë që në prag fushatash zgjedhore, partitë kanë premtuar legalizime për të siguruar vota. Nuk dimë se sa do të jenë të kënaqur pronarët e vërtetë të trojeve në bregdet me këtë nismë të qeverisë, por kthesa pozitive duket se ka filluar. Këtë e paralajmëroi dje në mbledhjen e qeverisë vetë Kryeministri Berisha.

 

Berisha: “Dekret për prishjen e ndërtimeve paleje në bregdet”

Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë u bëri thirrje autoriteteve lokale që të ngrihen në lartësinë e duhur, sepse kanë shumë punë për të bërë në forcimin e disiplinës fiskale dhe mbrojtjen e brigjeve. “Jam këtu për t’u çuar mesazh atyre që marrin përsipër për të rrënuar brigjet e vendit. Ju jap fjalën e nderit se në shtator, do të ndërmerren masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje. Të babëzitur që ndërtojnë në rërë. I prishni vetë se ato do të kenë vetëm një fat ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Mos shpenzoni para të nderuar zotërinj të babëzitur gjer në palcë, sepse me rënien e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të jetë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shfrenuar. Do të paguani dhe për prishjen e tyre. Një dekret i veçantë do të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë për këtë”,- premtoi Kryeministri.