Marko Dajti: “Jemi gati të krijojmë Aleancën e së Majtës së Vërtetë”

447
Sigal

Aleatët e së Majtës janë në pritje të ftesës Kryeministrit, për të vlerësuar kontributin e tyre

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u morr vendimi që Idlir Peçi të emërohet zëvendësministër i Drejtësisë, i cili nuk është propozuar nga asnjë aleat i së Majtës. Gjithashtu, para disa ditësh, qeveria emëroi në krye të Institutit të të Përndjekurve, Bedri Blloshmin, i cili është anëtar i FRD-së. Tashmë, për aleatët e së Majtës, e kanë të  qartë, që ftesa e Kryeministrit Rama, për t’i ftuar edhe ata në qeverisje, si vlerësim i kontributit që dhanë në fitoren e së Majtës më 23 Qershor, jo vetëm po vonohet, por, ka shumë të ngjarë, që të mos vijë kurrë. Jo vetëm postet e kabinetit qeveritar janë plotësuar, por edhe postet e drejtorive të përgjithshme dhe ato rajonale janë plotësuar nga radhët e PS-LSI, me ndonjë përjashtim, ku Rama u ka dhënë poste, disa kryetarëve të partive aleate, duke u nisur thjesht nga lidhjet miqësore personale, sikurse i Ervin Mete, kryetar i G ‘99 ,  si zëvendësministër i Financave dhe Gjet Ndoj, ish-koordinatori i aleatëve, që u bë drejtor i Përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, për rolin që kreu si  informator i  Ramës ndaj  aleatëve.

Marko Dajti: “Presim Ramën deri në janar”

 Kryetari i PPSHR-së, Marko Dajti, i intervistuar nga “Telegraf”, pohon se aleatët do të presin  Kryeministrin Rama, që t’i ftojë edhe aleatët në skemën e kabinetit qeveritar, si vlerësim i kontributit që dhanë në fitoren elektorale.

Në të kundërt, do të krijojmë Aleancën e Majtë të Vërtetë

Në të kundërt, sipas shokut Dajti, aleatët do të krijojnë Aleancën e Majtë të Vërtetë.

– Shoku Dajti, përse akoma Kryeministri Rama nuk i ka ftuar edhe aleatët në bashkëqeverisje?

Është e qartë se Kryeministri Rama nuk i do aleatët e tij në qeveri. I donte vetëm për votë.

– Do të reagojnë aleatët, derisa Kryeministri nuk zbaton marrëveshjen që ka bërë me secilin aleat?

– Edhe ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Kemi biseduar që të presim deri në janar kryeministrin Rama, që të ketë kohë për të reflektuar për qëndrimin e gabuar që mban ndaj aleatëve.

– Në të kundërt, ju, aleatët,  si do të reagoni?

– Kemi biseduar që të krijojmë Aleancën e Majtë të Vërtetë.

– Cilët janë aleatët që duan të krijojnë Aleancën e Majtë të Vërtetë?

– Të gjithë, ne, që kemi qenë aleatë tradicionalë të PS-së. Madje, unë do të bëj propozimin që Gjinushi dhe Milo, të jenë bashkëkryetarë të kësaj Aleance të Majtë të Vërtetë.

– Gjinushi e Milo, kanë pranuar, në parim këtë rol?

– Ju thashë, unë do të propozoj, që ata të jenë bashkëkryetarë. Por këto do t’i shikojmë në janar. Ne, do të presim deri atëherë Kryeministrin Rama, që të reflektojë ndaj qëndrimit të gabuar që mban deri tani ndaj aleatëve të tij.

 Flasin për “Telegraf”

 Gazeta “Telegraf” për të ballafaquar pohimet e Marko Dajtit, sekretarit të Parë të PPSHR-së,  në lidhje me projektin e tyre, për të krijuar Aleancën e Majtë të Vërtetë, kontaktoi edhe me Gjinushin, Milon dhe Koçin

 Skënder Gjinushi, Kryetar i PSD-së: “Sot është e diel, e njerëzit flasin qesim”

Para pak ditësh, Skënder Gjinushi pohoi që Kryeministri Rama nuk e zbaton marrëveshjen që ka nënshkruar me aleatët dhe se, pa aleatët, Kryeministri nuk është afatgjatë në pushtet. Mirëpo, i kontaktuar dje nga “Telegraf”, nëse do të pranojë të jetë bashkëkryetar i së Majtës së Vërtetë, zoti Gjinushi u përgjigj me dozë ironie: “Sot është e diel, e njerëzit flasin qesim. Ç’janë këto broçkulla e spekulime që thuhen?”

 Paskal Milo, Kryetari i PDS-së: “Nuk ia vlen, që të them, qoftë edhe një fjalë”

Edhe Paskal Milo, Kryetari i PDS-së, i kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, nëse do të pranojë që të jetë bashkëkryetar i një  grupimi të ri të së  Majtës, e pavarur nga PS-LSI, u përgjigj në mënyrë kategorike: “ Nuk ia vlen, që të them qoftë edhe një fjalë. Unë me askënd nuk kam folur dhe as më ka shkuar ndërmend të bisedoj çështje të tilla”.

 Petro Koçi, Kryetar i PSV ‘91: “Është thjesht një fantazi”

Petro Koçi, në fakt, e ka deklaruar që para zgjedhjeve të 23 Qershorit së  PSV ‘91 e përmbushi misionin e saj politik, ndaj nuk do të jetë më parti politike. Ndërsa i pyetur nga “Telegraf”, se  a do të reagojnë aleatët e Majtë, nëse Kryeministri Rama nuk i fton në bashkëqeverisje, zoti Petro Koçi, u përgjigj: “Është thjesht një fantazi e atyre që i thonë këto gjepura”.