Lulzim Basha: “Rama i ka ngulur thikën konsensusit”

476
Sigal

Prishja e konsensusit, ka rritur tensionin politik midis PS-së dhe PD-së, e cila risjell  konfliktualitetin

Vendimi i fundit i qeverisë së Ramës për të shtyrë 6 muaj funksionimin e ligjit “Për Nëpunësin Civil” ka risjellë në klimën politike konfliktualitetin. Ky acarim i politikës, bëhet edhe më e dëmshme, duke patur parasysh që Shqipëria ndodhet në pragun e diskutimit nga BE-ja të kërkesës për marrjen e statusit kandidat për në BE.

Lulzim  Basha: “Pabesi burracakësh, tani flasim me qytetarët”

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, duke iu referuar vendimit të qeverisë për shtyrjen e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, për 6 muaj, theksoi: “Rama nuk i dëgjoi thirrjet dhe paralajmërimet tona për të mos e vrarë konsensusin. Vazhdoi në rrugën e tij, në aventurën e tij të anti-ligjit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është  rruga që do ta çojë atë në greminë. Gjithë shqetësimi ynë si opozitë ka qenë dhe mbetet që ky njeri dhe tarafi i tij politik të mos marrë me vete, në humnerën për ku është nisur, aspiratat e shqiptarëve për integrim europian, qoftë edhe përkohësisht arritjet demokratike të vendit në 22 vite. Rama zgjodhi të fliste me ne me gjuhën e arbitraritetit të skajshëm. Prej këtij momenti, ne do të flasim me qytetarët. Me durim, me qetësi, me fakte, me argumente do t’u tregojmë orë për orë e ditë për ditë qytetarëve të këtij vendi dhe partnerëve tanë  europianë e amerikanë gjithashtu  bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, bëmat  e qeverisë së Zhbërjes, që  shihet qartë se ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja për Rilindje, por ka ardhur  vetëm për të zhbërë, vetëm për të sunduar.  Me durim dhe respekt do t’i shpjegojmë sërish sot qytetarëve shqiptarë. Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë dhe e paprecedentë parmbrëmë. Rama i ka ngulur thikën konsensusit. I ka ngulur thikën një vlere që publiku  shqiptar dhe bashkësia  ndërkombëtare e kërkojnë  prej vitesh nga  partitë dhe politikanët shqiptarë. Mezi e arritëm. Erdhi ky dhe e zhbëri. Nuk e dha  konsensusin kur duhet ta jepte, në vjeshtë e vitit 2012 dhe Shqipëria humbi statusin për kapriçon e tij. E dha pas pilafit, siç thotë populli, në maj të këtij viti, për ti bërë qejfin aleatit të tij të ri, apo për ti hedhur të dy hi syve publikut  për vota, në kuadrin e mashtrimeve elektorale gjigandeske, që ne i kemi evidentuar dhe po i  bëjmë transparente çdo ditë para qytetarëve.   Por tani, që menduan se e kaluan lumin dhe janë në majë të kalit, duan ta ekzekutojnë. Shikoni me vëmendje:  Asnjëherë  nuk e kanë  parë konsensusin  në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.  Kjo që  po bëjnë me konsensusin  është  padyshim një pabesi burracakësh. Ne jemi këtu të qeverisim  kundër jush. Ka zgjedhur të provokojë.  Ka zgjedhur përplasjen me Kushtetutën dhe Ligjin. Po zgjedh përplasjen me opozitën sot dhe me publikun e gjerë nesër. Demokratët  dhe opozitarët janë në këmbë me ne. Sot duam t’i themi zotit Rama dhe zotit Meta diçka që shpresoj ta ngulisin mirë në mendje: Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike”.