Luçiano Boçi:“PD-ja, si shprehëse e së djathtës, e vetmja që ka mision integrimin”

563
Sigal

INTERVISTA/Luçiano Boçi: “PS-ja derisa nuk ndërmori proces ankimimi për mandatet, dëshiron ta mbajë peng procesin zgjedhor”

Komisioneri i BE-së për çështjet e zgjerimit, Stefan Fule, erdhi në Tiranë, me një mision të paracaktuar, që nga Brukseli, ndërsa në ikje nga Tiranë, zoti Fule u detyrua që të deklarojë thjesht se interesohen që  zgjedhjet e 23 Qershorit, të bëhen …të lira, thua se Shqipëria është në zgjedhjet e 1992-shit. Të pandryshuar, pas ikjes së Fules, mbetën interesat partiake të palëve politike. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në intervistën për “Telegraf” hedh dritë, pikërisht, përse PD-PS mbetën të pandryshuar në istikamet e tyre partiake.

– Zoti Boçi, dështimi i misionit të  zotit Fyle në Tiranë dëshmuan, veç të tjerave, se të PD-PS, ka mungesë të dëshirës të bashkëpunimit edhe për çështjet më të rëndësishme, sikurse është integrimi i Shqipërisë. Sipas jush, përgjegjësia politike është e përbashkët, për palët politike?

– Shqetësimi kryesor i misionit të zotit Fule kishte të bënte me vendosjen e “kulturës së kompromisit dhe të përfshirjes së palëve”, si çelës kyç për realizimin e zgjedhjeve të pakontestueshme për asnjë lloj arsyeje dhe për realizimin e proceseve integruese të Shqipërisë drejt BE-së, fazë e rëndësishme e së cilës është marrja e statusit. Ky parashtrim ishte dominat, por refleksionet e partive mbeten të diferencuara. Ndërsa PD-ja qartazi shprehu angazhimin e saj të plotë dhe të parezervë për çuarjen përpara të procesit të integrimit dhe garantimin e një procesi zgjedhor, sipas të gjitha standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Europës”, PS-ja vazhdoi ritualin e mërzitje-propozimeve në formën e kushteve, që këta të fundit të mos jenë dhe njëherë kontestues së humbjes së vet. Ajo që u harrua me dashje nga Rama, ishte pikërisht angazhimi për  proceset integruese dhe që lidhen me dhënien e konsensusit për votim e tre ligjeve të mbetura pezull, si shenjë dhe e instalimit të kulturës së bashkëpunimit të kërkuar me ngulm prej vitesh, nga përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë. Këto diferenca qëndrimesh e bëjnë shumë të lexueshme përgjegjësinë e palëve dhe besoj se këtu nuk ka vend për ekuivok. Në analizë të fundit, PS-ja vazhdon të bllokojë marrjen e statusit, nuk jep konsensus dhe anatemon proceset tërësisht kushtetuese të të funksionimit të procesit zgjedhor.

– Kuvendi, në ndarjen e mandateve të 23 Qershorit, mbi bazën e popullsisë së regjistruar në nëntor 2008, a nuk shkeli kësisoj Kodin Zgjedhor të miratuar me konsensus, në 2012-n, ku qartazi thuhet se mandatet ndahen vetëm në bazë të ndarjes së popullsisë të regjistruar në nëntor 2012-të?

Përkundrazi, Kuvendi zbatoi rigorozisht Kodin zgjedhor, i cili në nenin 76 përcakton taksativisht se në mbështetje të nenit 75, pasi shprehet KQZ-ja,  “Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve”. Duke qenë se vendimi i KQZ-së,  i cili kërkonte ndarjen e mandateve sipas Regjistrit aktual Kombëtar të Gjendjes Civile, u bllokua qëllimisht nga vota e përfaqësuesve të PS-së, kompetenca i kalon automatikisht Parlamentit, i cili, në mungesë të një vendimi të KQZ-së së tanishme, u detyrua kësisoj të ruante formulën e 2009. Në këtë mënyrë u shmang kushtetueshmërisht dhe përpjekja e PS-së për ta futur procesin zgjedhor në kolaps.

Prishja e  bashkëpunimit konsensual, të arritur në Reformën Zgjedhore, a nuk dëshmon që njëra palë politike kërkon të imponojë vullnetin e vet mbi palën tjetër, në saj të epërsisë së thjeshtë të numrave në Parlament?

– Partitë sigurisht që mund të bëjnë kalkulimet e tyre dhe të insistojnë në forma të ndryshme për ruajtjen e balancave parashikuese, por nuk është kjo ajo që vendos fatin e zgjedhjeve. Prandaj dhe çështja e ndarjes së mandateve për ne, si PD, mbetet një çështje periferike dhe në këtë pikë ne kemi kërkuar vazhdimisht respektimin e lëvizjes demografike të popullsisë. Të gjithë i kemi në mendje debatet që u bënë në parlament nga përfaqësuesit e PS-së për çështjen e Kukësit, të cilët nuk donin të pranonin një realitet të prekshëm, vetëm e vetëm se kjo nuk përputhej me parashikimet e tyre. Fakti që PS-ja bllokoi ndarjen e re të mandateve dhe nuk ndërmori më pas proceset ankimuese tregoi qartë se kërkojnë të mbajnë peng një proces zgjedhor, që konsiderohet si kyç për mbarëvajtjen e së ardhmes europiane të Shqipërisë. Njëkohësisht kërkojnë të akumulojnë sa më shumë alibi për humbjen e tyre të pritshme.

Duke qenë se vetë Kuvendi shkel Kodin Zgjedhor për ndarjen e mandateve, sa besueshmëri mund të afrojë  te elektorati, një produkt i tillë zgjedhor, te rezultati i 23 Qershorit?

– E përsëris që Kuvendi ka zbatuar pikë për pikë Kodin Zgjedhor dhe kjo është bazë tjetër krahas të tjerave për një besueshmëri të gradës maksimale. Askush nuk duhet të jetë viktimë e demagogjisë së majtë për, me demek, cenim të procesit zgjedhor. Paranoja dhe frika asnjëherë nuk janë pjesë e argumenteve, por pjesë e emocioneve humbëse.

– Sa realë është premtimi elektoral, qoftë i PS-së, qoftë edhe i PD-së, se fitorja e 23 Qershorit, do të jetë  edhe integrimi i Shqipërisë?

– PD-ja e ka dëshmuar dhe nuk e ka thjesht premtim, se punon me përkushtim për integrimin e Shqipërisë. Ata që e kanë bllokuar dhe mund ta premtojnë gjithmonë mëngjërisht, por gjithsesi nuk besoj se e kanë “me tërë mend” një gjë të tillë, përderisa, deri më tani, kanë dëshmuar se kanë punuar me pasion për të penguar këtë integrim dhe jo për ta afruar.

– Kësisoj, integrimi që pretendojnë palët politike, a nuk mbetet një slogan bosh, pa përmbajtje?

Integrimi nuk është më slogan, është një realitet konkret, por momentalisht i penguar dhe i bllokuar nga sjelljet pragmatiste politike me ngjyrime infantile të PS-së.

– Apo mendoni se integrimi është mision politik vetëm i njërës palë politike?

– Deri më tani për fatin tonë të keq si shqiptarë, por në një aspekt për fatin tonë të mirë si përfaqësues të së djathtës, është dëshmuar si i tillë, si vullnet dhe mision vetëm i një force, i PD-së. PS-ja, ndërkohë, larg ligjërimeve bombastike me funksion utilitar politik, vazhdon të sillet me integrimin si “me mallin e hasmit”.

– Mendoni se pas 23 Qershorit,  pavarësisht nga fituesi, PD-PS do të kenë më shumë arsyetim për të  gjetur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për integrimin?

– Ne mbetemi të hapur dhe mirëkuptues. Gjithçka, siç është provuar, përcaktohet nga sjellja e opozitës së sotme dhe që do jetë dhe opozita e ardhme.

– Fushata elektorale ka filluar, por karakteristikë është se mungon spikatja e afirmimit të  personalitetit të përfaqësuesit te votuesi, por edhe këtu, kërkohet të sundojë autoriteti i liderit partiak.  Kësisoj, si mund të shpresohet nga politika se është afër elektoratit?

– Për të qene afër elektoratit, ka shumë forma dhe mënyra. Nuk është vetëm sistemi ai që përcakton shkallën e afrimitetit dhe të përkushtimit ndaj elektoratit. Formatet e përfaqësuesve të popullit, që do të ofrohen, do të jenë formate me kontribute publike dhe me pritshmëri angazhuese maksimale.

– Majlinda Bregu u ankua te Kryeministri se deputetët po i hapin telashe duke folur në media. Kjo ankesë,  a nuk ka të bëjë me përpjekjet për të kontrolluar e diktuar shprehjet e mendimet e deputetëve?

– Në asnjë moment nuk ka pasur një klimë të tillë diktati në PD. Gjithsecili nga ne ka qenë dhe mbetet i lirë të shprehë çfarëdo opinioni, të cilin e gjykon të arsyeshëm dhe që i shërben së vërtetës dhe votuesit.

Frenimi i integrimit është mungesë e kulturës demokratike

 – Mungesa e dëshirës për bashkëpunim nga PD-ja dhe PS-ja, a nuk është shprehje e mungesës së kulturës dhe emancipimit demokratik të klasës politike?

– Në momente të caktuara, duket sikur mentaliteti i shoqërisë lëviz më shpejt se ai i politikës, pasi kjo e fundit është e trysnuar vazhdimisht nga interesi politik. Megjithatë, kjo është diçka momentale, pasi politika është refleksion i vetë shoqërisë dhe parametrat e saj janë adekuatë me ato të shoqërisë. Dhe në këto 20 vite, ka shumë të dëshmi të rritjes së shkallës së emancipimit dhe kulturës demokratike, sikurse ka dhe momente që nuk shkëlqejnë aspak. Gjithsesi, duket që ende ka nevojë për strukturime dhe maturime të mëtejshme, të cilat ndonjëherë stopohen dhe nga ardhja në krye të forcave politike të parveny-ve të ndryshëm, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet politike, që pretendojnë të përfaqësojnë.

 – Faleminderit!