Martin Cukalla: Mafja e kromit dhe lidhjet e fshehta me pushtetin

1438
Sigal

Bulqiza përfshin një qytet dhe dhjetëra fshatra që dërgojnë burrat për të nxjerrë kromin me të cilin vendi mburrej dikur  e mbante dhe mban ende pjesën më të rëndë të barrës së eksportit. Të thjeshtë njerëzit në ato vende të ashpra e me klimë të ftohë. Dhe shumë varfëri. Aq varfëri sa të bëhet të ikësh natën në këmbë dhe kur rrugët janë të mbuluara nga bora e akulli e era e marrë fryn e tërbuar. Burime jete qenë pyjet që thuajse nuk janë më, kromi që po shteret me shpejtësi, një bujqësi e vobektë e një blegtori anemike që duhet të shtegtojë 5 muaj në vit.

 Dikur

Dikur ëndërroja që banorët e mrekullueshëm të Bulqizës në pak vite ekonomi tregu do të bëheshin me vila në bregdet. Një athinjot më kishte treguar se pasi kishte punuar 6 vjet e tre muaj në minierat e Afrikës së Jugut kishte mbledhur paratë për të blerë tokën dhe kishte ndërtuar aty një hotel e një banesë për familjen. Ishte një mësim tronditës dhe më bëri të vështroj e të gjej shkallën e shfrytëzimit që u bëhej minatorëve atë kohë të varfërisë së përbashkët dhe të veproj disi. Kjo më nxiti dhe të ëndërroj për ditët kur do t’i shihja minatorët të bëheshin me vila. Jam thjeshtësisht i  zhgënjyer, por jo më i verbër, për ta parë gjendjen në sy edhe pse nuk është më pjesë e përditshmërisë time.

Kromi

Kromi është një gur i rëndë, ngjyrë kafe të errët. Formohet në thellësi si shkëmb dhe lëviz për në sipërfaqe të dheut. Forcon hekurin në shkrirje dhe është kundër ndryshkut. Nxirret në pak vende dhe kërkohet shumë nga tregu. Nga makutëria e shitësve, përfitojnë blerësit në çmime që pësojnë rënie thuajse çdo tre  vjet e ringrihen sërish. Vendi ynë është krenuar me kromin, i cili ka qenë shpëtim ekzistencial për zonat, ku nxirrej në luftë për mbijetesë të njerëzisë por dhe burim fitimesh të larta për ata që drejtojnë tregtimin dhe shitjen.

Nxjerrësit marrin 10-20 USD për ton. Transportuesit dhe shërbimet portuale përfitojnë 30-35 usd/ton,  tarifat më të larta në Europe për kromin. Shteti merr rentën më të lartë të mundshme, 8-12USD/ton. Teprica është fitim i mirë për poseduesit e lejeve të shfrytëzimit.

Kromi i ka lënë në varfëri  zonat, ku nxirret. Infrastruktura është në mjerim. Ka mbi 12 vjet që ka filluar rruga e Arbrit  dhe është ndërtuar vetëm segmenti nga Ura e Qytetit në Qafën e Buallit. Njerëzit luftojnë për jetën me jetë në  zonat e kromit!

Në krom ka mbi 20 vjet që nuk kryhen punime gjeologjike për të rritur rezervat e tij. Janë shfrytëzuar e po shfrytëzohen ato çka janë  zbuluar dikur. Dhe rezervat po shterin!

Në krom ka mbi 20 vjet që nuk po ndërtohen punimet e mëdha kapitale të programuara dikur dhe po shfrytëzohen rezervat e hapura dikur! Dhe rezervat  e hapura po shterin!

Niveli i prodhimit të kromit ka rënë me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të njerëzve që kanë leje shfrytëzimi për të mbajtur në këmbë këtë degë të rëndësishme të ekonomisë tonë.

Shteti jep leje, merr rentën dhe konsideron të vetin kromin por nuk bën asnjë punë të zgjerojë zonat dhe të shtojë rezervat e mineralit të kromit!

Mafia! Jepen lajme për mafien e kromit. Jepen lajme kur ka aksidente, jepen lajme kur ka  dorëheqje policësh, jepen lajme kur ndodh ndonjë vrasje në këto  zona! Tek dëgjuesit është formuar bindja se mafia është ay ku prodhohet kromi! Edhe këto ditë, ndërsa një shqiptar arriti të blinte aksionet koncesionare të Bulqizës u fol për mafie.

Çështja serioze!

 Po a është kjo e vërteta. A është mafia aty ku del kromi.

Ka njerëz që mbledhin krom stoqeve të vjetra për bukën e gojës dhe e shesin për një copë bukë. Natyrisht pa leje! A janë ata mafia. Ka njerëz që bëjnë të fortin e kanë pushtuar pa leje galeri të vjetra apo shfaqje kromi diku në malësinë e largët e nuk pyesin për shtet! A janë ata mafia.

Shteti në të dy këto raste e ka  zgjidhur çështjen e vet. Rentën e merr në Durrës aty ku kromi ngarkohet në anije. Aty bëhet evidenca e prodhimit dhe e shitjes së kromit! Çka ngjet ne Bulqize nuk prek xhepin e shtetit! Eshte pune e atyre që janë aty e sakrifikojnë aty me djersë e me jetë!

Kështu ca fitojnë bukën e gojës në rrugë jo ligjore, ca bëjnë pare në rrugë  jo ligjore.  Shteti merr pjesën e rri karshi! Merr diçka dhe ndonjë nëpunës, ndoshta!

 Nuk më duket mafie kjo!?

Po shpjegohem:

Në një informacion verbal të një specialisti të huaj që merrej me transparencën në Industrinë minerare të vendit tonë për vitin 2010 thuhej se: Shqipëria kishte shitur në Kinë 250 milionë USD mineral kromi, ndërkohë që Kina raportonte 500 milionë USD.   Diferenca kolosale prej 250 milionë USD nga dolli e ku u fut. Dolli në oqean e humbi në oqean. Ishte dorë e mafies kineze aty në oqean. Ishte dorë e mafies shqiptare aty në oqean. Apo dorë e një mafie të përbashkët.

Kjo është një  e thënë! Koncesioni i kromit përpara disa vitesh iu dha “Darfo”-s me një çmim prej disa milionë dollarësh që i shërbenin shtetit shqiptar për të paguar asistencën dy vjeçare të punonjësve që do shkurtoheshin nga puna. Asetet dhe minerali i kromit nuk përfshiheshin në këtë çmim koncesioni. Nuk u dha as ndonjë grafik i detyrueshëm investimesh për  zbulime gjeologjike të mëtejshme dhe për punimet kapitale të rëndësishme për të hapur thellësinë e minierës. “Darfo” punoi disa vjet dhe shiti koncesionin në një subjekt austriak. Çfarë shiti. Rezervat. Asetet. Rezervat dhe asetet qenë pronë publike.  Subjekti austriak si dhe pararendësi i vet nuk u vu asnjëherë  përpara përgjegjësisë e t’i hiqej e drejta e koncesionit për mos-hapje të punimeve në thellësi të Bulqizës, për mbylljen e Uzinës së ferrokromit në Burrel dhe për mbylljen e Impiantit të seleksionimit të kromit në Klos. Këtu dëmi është dhjetëra milion dollarë! Këtu kemi fitime me dëmtim të ekonomisë dhe të interesave të shtetit! Këtu kemi bashkëpunim të pushtetit me subjektet që përfitojnë në rrugë joligjore në kurriz të ekonomisë tonë dhe popullit! A nuk është këtu mafia.

Tani mësojmë se koncesioni kaloi në një dorë shqiptare  nëpërmjet blerjes së aksioneve.

Që një shqiptar mori në dorë kromin, ky është një lajm i mirë për tu përgëzuar e lëvduar! Dollarët e kromit nuk do të ikin më jashtë vendit por do mbesin në dobi të ekonomisë tonë dhe do përmirësojnë bilancin tonë valutor. Rritja e kapitalit në dorë të shqiptarëve është gjithnjë një lajm që duhet përgëzuar. Çështja është: çfarë përfaqësonin aksionet që u blenë. Asetet. Mineralin. Sepse në Bulqizë nuk ka asgjë tjetër të krijuar nga subjekti koncesionar austriak përveç atyre që i përkasin fondit të amortizimit të objekteve pra mirëmbajtjes së tyre. Edhe këtu është pushteti që deformon të drejtën e vet dhe nuk dënon me penalitete subjektin austriak ACR, duke marrë shpagë për moskryerje detyrimesh për hapje punimesh minerare e vënie në punë objektesh industriale, si dhe me heqjen e të drejtës së shfrytëzimit dhe koncesionit. Është shteti që duhej të merrej me heqjen e të drejtave dhe të rijepte koncesionin tek shqiptari e jo shqiptari të blinte diçka nga dikush që ka dëmtuar rëndë industrinë e kromit. Këtu dëmi është disa milion dollarë! Këtu kemi fitime me dëmtim të ekonomisë dhe të interesave të shtetit! Këtu kemi bashkëpunim të pushtetit me subjektet që përfitojnë në rrugë joligjore në kurriz të ekonomisë tonë dhe popullit! A nuk është këtu mafia. Natyrisht që nuk mund të paragjykohet shqiptari që bleu koncesionin. A do të shfrytëzojë çka ka mbetur e do iki dhe ai duke e varrosur përfundimisht minierën. A do zhvillojë ai programe zbulimi rezervash dhe programe për hapjen e thellësisë. A do vërë ai në punë uzinën e Burrelit. A do shtojë pagat e punonjësve e ti sjellë ato në nivel të krahasueshëm me vendet që kemi pranë. Po për kushtet e punës që janë aq diskriminuese për minatorët ç’do të bëhet.

Koha

Koha do flasë për të. Unë nuk mund të flas, vetëm të shpresoj më mbetet. Këtu vetëm mund të them se njerëzit e Bulqizës nga kromi nuk po përfitojnë çka duhet të përfitojnë. Mund të them se në Bulqizë njerëzit punojnë me kromin, sakrifikohen për kromin, jetojnë me kromin ditë për ditë në një luftë rraskapitëse, e ndershme e ndonjë rast jo ligjore, por sidoqoftë e ashpër deri në flijim. Në Bulqizë nuk ka shtëpi mafia! Mafia është e lidhur me kromin sepse kromi është një mall që sjell fitime të mëdha. Dhe mafia nuk është thjesht një kriminel i lidhur me ca kriminelë të tjerë që bën ligjin në mal. Mafia është ajo që gllabëron në mes të detit miliona dollarë, ajo që merr koncesionin edhe, kur nuk bën punimet, nuk paguan gjoba por ikën pa i hyrë gjemb në këmbë, ajo që nuk paguan asnjë cent qira për miliona dollarë punime minerare, ndërtesa, fabrika, makineri etj., që merr në përdorim, ajo që shet askione koncesioni si t’i kishte mallin e vet, etj.. Krimi i lidhur me pushtetin është mafia. Dhe pushteti nuk është një hije si në filmat italianë që trajtojnë këtë temë. Ai është person që ndryshon e shkel ligjet. Ai ka një numër llogarie diku larg në një bankë të huaj. Ai njeh në detaje skema e rrugë ku lëviz kromi dhe paraja që vjen nga kromi. Ai nuk e le paranë të vejë tek ata që e prodhojnë por e mban në mes të oqeanit apo në sirtarët e pushtetit dhe mafies. Ai nuk fle kurrë në Bulqizë e ndoshta nuk vete atje asnjëherë. Drama e hidhur që po luhet për kromin për vite e vite me radhë, rëndon në shpinë të minatorëve që marrin pension dy herë më pak se asistenca që jep Greqia për minoritarët e saj në Shqipëri. Drama e hidhur që po luhet për kromin për vite e vite me radhë, rëndon në shpinë të minatorëve që marrin pagë për punën e tyre të rëndë diçka më shumë se ajo asistencë.