Lubonja tregon fillimin e korrupsionit të Ramës me “kioskën e Xhatit” dhe bingo Ylli

309
Sot kanë marrë emrin pompoz PPP, Partneritet Publik Privat, por shpikjet e Ramës për të bërë para kanë qenë që në fillesat e tij, të njëllojta. Fatos Lubonja, një nga njerëzit që e njeh më mirë se kushdo karrierën e kryesocialistit dhe ish kryebashkiakut, ka rrëfyer sot fillesat e tij në metodën tashmë të përhapur, atë të dhënies së një hapësire të publikut për të bërë një biznes privat.
Lubonja, asaj kohe mik i Edi Ramës, kujton që kur ky i fundit ishte pedagog i Institutit të Arteve, bashkë me të ngjashmit e tij, dhanë në mjediset e këtij universiteti një kioskë me qera, ku në këmbim pronari u jepte drekat dhe darkat falas. Madje siç ndodh rëndom- kujton Lubonja- kjoska ku tregtohej paçe dhe fasule, u zbukurua në mure edhe me pikturat e Edi Ramës. Kur u bë ministër Kulture në 1998 dhe kishte më shumë në dorë, ai i dha ambjentet e Akademisë si lokal, “House of Arts”, për mikun e tij, sot deputet i PS, Fidel Ylli.
Por, Lubonja tregon edhe një histori tjetër sinjifikative (të shoqëruar me dokumenta) që zbulon mendësinë e vërtetë të kryeministrit aktual: batakçillëkun e tij me Bingo Yllin, e futur në Teatrin Kombëtar, që Rama sot do ta shembë për të humbur gjurmët. Sipas Ligjit të kohës, për sipërfaqet që i kalonin mbi 500 m2, dhënien me qera të një institucioni duhet ta firmoste Ministria e Ekonomisë. Por ç’bëri Rama si ministër kulture? Falsifikoi dokumentat, nga 575 m2 në më pak se 500, dhe e nënshkroi vetë kontratën që i lejonte Bingo Yllit të ushtronte aktivitet tek Teatri Kombëtar. Cili qe rezultati? Nga 74 mijë USD në vit që përfitonte teatri, me kontratën e Ramës merrte vetëm 4 milionë lek në vit!
Kuptohet lehtë se pse ish ministri i Kulturës e firmosi vetë konratën atëherë. Kuptohet po aq lehtë, se pse ai vazhdon me të njëjtat metoda edhe tani. Prandaj Lubonja thotë: Kur shkoi në Jeruzalem, Krishti i zboi tregtarët nga tempulli, ndërsa Rama me kompani po i fusin në tempull për të mbushur xhepat e tyre.( Lapsi.al)