INTERVISTA/ Prof. Shefqet Muçi: Ligjet e pastra bëhen nga deputetë të ndershëm. Kjo klasë politike nuk e bën dot vettingun e vetes

742
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Vettingu nuk mund të shikohet vetë në aspektin moral, i shkëputur nga nga veprat penale, sepse kërkesa e parë për një figurë të pastër të politikanëve të mos jetë lidhur me veprimtari kriminale, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi qoftë

Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se është vonë që të bëhet ligj i veçantë për vettingun në politikë, sepse do të krijonte struktura paralele, me vettingun që zhvillohet në drejtësi. Prof. Muçi argumenton se institucionet e reja që do të ndërtohen në drejtësi, do të kenë mundësinë të bëjnë edhe vettingun e politikanëve, sepse ligjet për vettingun në politikë i kemi, dhe Prof. Muçi përmend ligjin e dekriminalizimit, të Antikorrupsionit, të Antimafies. Prof. Muçi shprehet se vettingu në politikë është vështirë të bëhet nga kjo klasë politike. Sipas Prof. Muçi vettingu i politikanëve ndryshon nga vettingu në drejtësi, pasi politikanëve do t’u kërkohet vetëm vettingu pasuror, sepse për integritetin dhe personalitetin e politikanit, nuk pyetet fare, pasi është kryetari i partisë ai që zgjedh dhe vendos për karrierën e politikanit.

-Prof. Muçi, vettingu në politikë duhet të bëhet i pavarur nga vettingu në Gjyqësor?

– Mendoj se vettingu i politikanëve është i domosdoshëm. Do të ishte mirë që ai të bëhej qysh në fillim, para vettingut në drejtësi, me qëllim që kuadri ligjor i reformës në drejtësi dhe vetë vettingu në këto organe të bëhej nga ligjvënës me figurë të pastër dhe të besueshëm. Në këtë vështrim, ata që kërkojnë sot vettingun e politikanëve, në parim kanë të drejtë, por tashmë janë të vonuar në kohë, sepse jemi në procesin e një vettingu tjetër që ka marrë përsipër edhe pastrimin e politikës nga politikanë të inkriminuar dhe të korruptuar. Përveçse i vonuar, ky proces bëhet pothuajse i pamundur, sepse duhet që gjërat të përsëriten me ndryshime të tjera kushtetuese, me krijimin e një legjislacioni të të ri dhe struktura të reja të vettingut të politikanëve, çka kërkon kohë, shpenzime të mëdha e të panevojshme.

– Përse e thoni se tashmë është e pamundur ta bëjmë vettingun vetëm për politikanët?

– Një vetting i veçantë për politikanët do ta ndërlikonte procesin e bërjes së vettingut në fushën e drejtësisë, duke krijuar struktura paralele që do të dublonin apo do të pengonin njëra – tjetrën. Reforma në drejtësi është perceptuar dhe parashikuar si një mjet dhe proces që do të pastrojë gjithë aparatin shtetëror nga punonjësit e korruptuar dhe të inkriminuar, në radhë të parë nga politikanë e këtij lloji, domethënë nëpërmjet saj të bëhet edhe vettingu i politikanëve. Madje, strukturat e reja që do krijohen në sistemin e drejtësisë, siç janë Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK dhe Gjykata Antikorrupsion, si pikësynim kryesor kanë janë vettingut në fushën e politikës. Si subjekt i veprimtarisë së këtyre institucioneve të reja të drejtësisë janë vetëm për politikanët, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat, zv/ministrat, deputetët dhe drejtorët e mëdhenj politikë. Shtohen, përjashtimisht, si subjekte jopolitikë gjyqtarët e prokurorët. Nga ana tjetër, si objekt i veprimtarisë së tyre hetimi dhe gjykimi i krimit të organizuar, ku përfshihen veprimtaria e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandës së armatosur dhe grupit të strukturuar kriminal, krimet në fushën e trafikimeve të ndryshme dhe korrupsioni, ku vendin kryesor e zë korrupsioni pasiv i politikanëve dhe pushtetarëve. Natyrisht, po të zbatohen me profesionalizëm ligji “Për dekriminalizimin” dhe ligjin i ashtuaquajtur antikorrupsion, vettingu i politikanëve do të realizohet me sukses. E vërteta është se tek ne ligjet nuk zbatohen ashtu siç duhet, sepse mungon vullneti politik.

– Vettingun në politikë, opozita e shkëput nga kryerja e veprës penale dhe kërkon që vettingu për politikanët të fillojë nga pastërtia morale. A munden këto institucione të sipërpërmendura ta bëjnë vettingun e politikanëve?

– Vettingu nuk mund të shikohet vetë në aspektin moral, i shkëputur nga nga veprat penale, sepse kërkesa e parë për një figurë të pastër të politikanëve dhe të kujtdo tjetër është të mos kenë kryer vepër penale, të mos jetë lidhur me veprimtari kriminale, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi qoftë. Duke qenë kryesore, kjo është zgjidhur me miratimin e ligjit “Për dekriminalizimin” që ka dhënë efektet e tij. Po të shikojmë ligjin e antikorrupsionit, i cili ka për objekt parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë, konstatojmë se qëllimi i këtij ligji është kryesisht sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë që rrjedh nga veprimtaria kriminale në fushën e krimit të organizuar, trafikimeve dhe korrupsionit, kudo që të ndodhet, jo vetë tek kryerësit e veprave penale, por edhe tek të afërmve e tyre apo tek personave të tjerë, fizikë a juridikë, të lidhur në një mënyrë a një tjetër me këtë veprimtari. Pra lidhet me pasurinë dhe sekuestrimin e saj, të personave që janë të lidhur drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë me një nga veprat që parashikohen në kategoritë kriminale që i përmendëm më sipër Në këtë vështrim, ligji krijon hapësirat e duhura për kontrollin e pasurisë së politikanëve, sikurse dhe për gjithë qytetarët e tjerë, kudo që fshehin atë, e cila i nënshtrohet sekuestrimit dhe konfiskimit të saj, në qoftë se ai nuk është në gjendje të justifikojë burimin e ligjshëm të saj. Theksojmë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për personat që janë dënuar, por edhe me personat që janë të lidhur në njëfarë mënyre me këta persona që janë dënuar apo implikuar në veprimtarinë kriminale të lartpërmendura. Kështu, nëse një i afërt i një politikani është i dënuar dhe i lidhur me një veprimtari kriminale të tre kategorive që përmendëm më lart, automatikisht i nënshtrohet kontrollit të pasurisë edhe politikani që dyshohet se mund të ketë lidhje me atë.

– Politikani mban përgjegjësi morale thjesht se ka lidhje familjare me të dënuarin?

– Askush nuk mban përgjegjësi penale apo përgjegjësi të tjera për kryerjen e veprave penale nga njerëzit e afërt. Përgjegjësia është individuale. Politikanët, por edhe persona të tjerë, mbajnë përgjegjësi vetëm atëherë, kur me një formë a një tjetër, janë të lidhur me këtë vepër kriminale që ka kryer njeriu i tyre i afërt ose mbajnë, administrojnë pasuri që rrjedh nga veprimtaria kriminale e të tjerëve, ka fituar të mira materiale nga veprimtaria kriminale e këtyre personave të tjerë. Për shembull, një person i lidhur me politikanin ka kryer ka nxjerrë të ardhura nga droga. Këto të ardhura janë investuar në emrin e politikanit, ose të të afërme të politikanit. Në këtë rast, kontrolli, sekuestrimi dhe konfiskimi zbatohet edhe ndaj pasurisë së politikanit, sikurse edhe ndaj të afërme të politikanit.

– Ku është ndryshimi i vettingut në politikë nga vettingu në drejtësi?

– Ka një ndryshim midis vettingut në politikë nga vettingu në drejtësi. Në qoftë se në drejtësi vettingu është tredimensional, kriteri profesional, integriteti moral dhe kontrolli i pasurisë, në politikë i vetmi kriter i vettingut është ai pasuror. Kriteri profesional është jashtë loje, sepse jo vetëm që politikani zgjidhet sipas shijeve të kryetarit të partisë, por edhe sikur ta vërë kandidaturën drejtpërdrejt në zgjedhjet, është populli ai që e zgjedh me votë, pavarësisht personalitetit dhe integritetit moral, profesional, etj. Në votime kanë rol shumë faktorë të tjerë, që i bën zgjedhësit të të japin votën.

– Opozita ka kërkuar të bëjë edhe ndryshime kushtetuese për vettingun në politikë. Ju, si konstuticionalist, e shikoni pozitivisht, që sërish të ndërhyhet në Kushtetutë për këtë vetting në politikë?

– Është shumë vështirë tani që të merremi me ndryshime kushtetuese dhe të krijojmë struktura të tjera ligjore, që duan kohë, njerëz, shpenzime financiare dhe një kohë të gjatë për t’u t’u formuar dhe pastaj për t’u marrë me vettingun e politikanëve, në një kohë që këtë mund ta bëjnë shumë mirë strukturat Antikorrupsion, që ne nuk i kemi krijuar akoma. Prandaj, politika duhet të ndërgjegjësohet dhe të ndërtojë sa më parë këto struktura Antikorrupsion, që janë miratuar me Reformën në Drejtësi, të cilat, pasandaj, do të vënë para përgjegjësisë politikanët, jo vetëm përpara përgjegjësisë penale, por edhe përgjegjësisë pasurore. Në qoftë se politikanët nuk do të munden dot të justifikojnë se ku e kanë gjetur pasurinë që kanë vënë, atëherë kjo pasuri duhet t’u konfiskohet në bazë të ligjit Antimafia dhe të kalojë në favor të shtetit.

– Prof. Muçi, ne kemi institucione kushtetuese që kanë detyrë ligjore të monitorojnë të ardhurat pasurore të politikanëve. Pse duhet tani të krijojmë institucione të tjera që të bëjnë vettingun pasuror të politikanëve?

– Krijimi i institucioneve të reja, që do të bëjnë vettingun pasuror të politikanëve nuk është gjë tjetër, veçse krijimi i strukturave të reja të panevojshme, të cilat rëndojnë buxhetin, të cilat krijojnë edhe paralelizma institucionesh dhe në vend që ta përmirësojnë punën, e përkeqësojnë. Ne i kemi organet kushtetuese dhe ligjore shtetërore dhe duhet të kërkojmë zbatimin e detyrave brenda kuadrit ligjor dhe duhet të kërkojmë spastrimin e këtyre strukturave nga elementët, nga personat që nuk e kryejnë detyrën siç duhet, ose nga ata që janë të implikuar në veprime të paligjshme dhe bëjnë lëshime, favore për politikanët dhe qeveritarët. Pra, puna duhet përqendruar që strukturat ekzistuese dhe ato që do të ndërtohen, të mbushen me njerëz të aftë, të përkushtuar, që të jenë të pastër moralisht të bëjnë punën me profesionalizëm.

– Prof. Muçi, njëfarë vettingu i drejtpërdrejtë i politikanëve a nuk do të ishte edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që vota e elektoratit të bënte “vettingun” e politikanëve, duke votuar elektorati kandidatin për deputet e jo Lista e Partisë?

– Problemi i zgjedhjeve është një çështje më vete…

– A nuk do të ishte shosha më e mirë e vettingut të politikës, vota e elektoratit të përcaktojë ai kë politika e do deputet. Populli është kriteri më i mirë, më pak i gabueshëm…

Unë kam mendimin që sistemet, qoftë ato zgjedhore, qoftë edhe në fushën e drejtësisë, kanë anë pozitive dhe anë negative. Derisa ato sisteme ekzistojnë si mundësi, do të thotë që ato i përmbushin detyrat, por kanë edhe mangësitë e veta. Thelbësore këtu nuk është sistemi. Thelbësore është vullneti politik për të kryer funksionet ashtu siç duhet. Në çfarëdolloj sistemi që të përdorim, prioritar është vullneti politik për ta zbatuar atë. E kemi parë edhe sistemin maxhoritar që kishim më parë, i cili, për mendimin tim, është më i mirë nga ky sistem zgjedhor që kemi sot, ku politikanët gjenin mundësinë, gjenin shtigje për të shkelur ligjet, për të vjedhur zgjedhjet. Prandaj, në qoftë se ata që drejtojnë, që qeverisin, që kanë në dorë vendimmarrjen, ata që administrojnë procesin zgjedhor nuk kanë vullnetin e mirë për të bërë zgjedhjet ashtu siç duhet, çfarëdo sistemi elektoral të kemi, do të vazhdojmë që zgjedhjet të jenë me problematika të mëdha. Megjithatë, mendimi im është që ky sistemi elektoral që kemi sot, është nga sistemet që krijon më shumë mundësi që deputetët të jenë në shërbim të Kryetarit të Partisë apo në shërbim të strukturave të Partisë, të Njëshit dhe në vend që të vijnë në Parlament njerëz të aftë, me integritet dhe personalitet, vijnë njerëz që i servilosen kryetarëve të partive, që janë në shërbim të interesave vetjake të kryetarëve të partive e jo në shërbim të elektoratit që u jep votëbesimin.

– A shikoni që politika jonë të ketë vullnetin e mirë për ta bërë vettingun siç duhet edhe në vetveten e saj? Apo flasin për konsum politik?

– Unë flas si qytetar, jashtë interesave të politikës, sepse nuk jam në asnjë strukturë partiake, prandaj nuk flas dot në mënyrë kategorike, e duan, apo nuk e duan vettingun. Ne mund të gjykojmë se çfarë thonë, çfarë kërkojnë. Në pamjen e jashtme, të gjitha partitë politike bërtasin gjithnjë për zbatimin e ligjit, për paanshmëri dhe ndershmëri në zgjedhje, por kur vjen puna, po këto parti në praktikë veprojnë ndryshe nga ato që propagandojnë. Prandaj, të mendosh se kjo klasë politike që kemi ne, e ka shumë vështirë ta bëjë vetë vettingun, në qoftë se nuk u imponohet nëpërmjet strukturave të drejtësisë, të cilat, shpresoj dhe dua, që të krijohen sa më parë.

– Faleminderit!