Luan Rama: Pas mitingut madhështor ka nisur gjuetia e shtrigave përmes kontrolleve, kjo gjë s’na tremb

522
Një ditë pas mitingut madhështor që LSI zhvilloi në sheshin “Nënë Tereza”, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një konferencë nga selia e partisë deklaroi se prania e mijëra qytetarëve, tregoi mbështetjen ndaj LSI dhe programit të saj. Ai tha se pas përfundimit të tij, është ridimensionuar gjuetia e shtrigave përmes grupeve të kontrollit, por që janë gupe që shkojnë nëpër institucione me fotografi nëpër duar për të larguar nga puna punonjës dinjitoz të administratës vetëm se kanë qenë të pranishëm në mitingun e LSI. “Kjo as na tremb as na frikëson. Na bën më të fortë. Kam një mesazh për të gjithë ata punonjës që në mënyrë të kundraligjshme dhe vetëm për hakmarrje politike janë larguar, janë në proces apo do të largohen nga puna, të mos kenë asnjë merak sepse më 26 qershor të gjithë do të kthehen në vendet e tyre të punës në respekt të ligjit dhe të drejtës së tyre si qytetarë të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Luan Rama. Ai komentoi edhe deklaratën e Presidentit të zgjedhur Ilir Meta i cili ka thënë se “Nuk do dekretoj asnjë Kryeministër dhe asnjë ministër që del nga zgjedhje të vjedhura dhe manipuluara. Se kuptoj çfarë problemi ka zoti Ruçi që në fakt është në mbrojtje të legjitimitetit të zgjedhjeve”. Ky koment erdhi pasi një ditë më parë deputeti socialist Gramoz Ruçi deklaroi se, “Socialistët e bënë kryetar Kuvendi dhe President. Ilir Meta, të dhamë gjithçka por njeri nuk të bëmë. Të të vijë rëndë kur zë me gojë socialistët. Një gjë është e sigurt që më 25 qershor, me mandate të plota apo të cunguara, LSI nuk do të jetë në koalicion me PS. Nëse do shkojë me këto mend e do shkelë Kushtetutën, do të jetë edhe Presidenti i parë që do të provojë shkarkimin dhe i pari që do ta firmosë do të jetë Gramoz Ruçi”. Ndërsa foli për programin, Rama u bëri thirrje gjithë qytetarëve që në këto 9 ditë që kanë mbetur deri në zgjedhje, të vazhdojnë punën të fokusuar tek alternativa e LSI-së. “LSI është një forcë e madhe politike. Është një forcë e madhe qytetare . Është një forcë që rritet në çdo sekondë dhe ditë pas dite për të shkuar e vendosur tek triumfi madhështor në zgjedhjet e 25 qershorit”, -tha Luan Rama. Në fjalën e tij ai gjeti vend për të përshëndetur edhe Ministrin e Brendshëm për angazhimin e tij të drejtpërdrejtë për mbarëvajtjen e mitingut.
Sigal