Lu troket në zyrën e Berishës, bisedimet mbeten mister

584
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka trokitur dje në zyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, në një takim për të cilin mungojnë detajet. Vetë Berisha ka publikuar foton e takimit dhe një komunikim të shkurtër, por të përgjithshëm, mbi atë që ka biseduar me diplomatin amerikan. “Prita në një takim ambasadorin amerikan, zotin Donald Lu. Në takim diskutuam për një spektër të gjerë çështjesh me interes të dyanshëm. Diskutimet ishin të hapura!”, është njoftimi i zyrës së ish-kryeministrit. Në vazhdimësi, ish-kreu demokrat ka qenë kritik me qëndrimet dhe veprimet e ambasadorit Lu dhe homologes së tij në krye të Misionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin. Disa herë Berisha nuk ka nguruar t’i cilësojë ata edhe si guvernatorë, referuar qëndrimeve të mbajtura, veçanërisht gjatë reformës në drejtësi. “Gjëja më e rëndësishme e një ambasadori është të tentojë të bëjë guvernatorin. Gjëja më e parë është të mos e mendojë veten më shumë seç është. Vendet e lira janë vende të lira. E kanë të përcaktuar në thelbin e Kushtetutës së tyre. Ambasadorët shprehin mendimet e qeverive të tyre. Edhe në momentet më delikate, unë nuk jam për një lloj guvernatori. Unë jam që shteti ligjor kurrë nuk ndërtohet sa kohë të ketë ndikime guvernatoriale. Kjo ndodh kur vendi ka një kryeministër pa personalitet dhe të kapur nga të gjitha anët. Rama citon ambasadorët për të shpëtuar nga mëkatet e veta. Unë nuk kam pranuar në asnjë mënyrë të diktohem. Ai është mekatar. Ai fsheh kanabisin, kokainën, korrupsionin. Si ambasadorë bëjnë vetëm politikën e vendeve të tyre. Si guvernatorë ata bëjnë ç’të duan”, është shprehur Berisha disa muaj më parë. Nuk dihet nëse kjo temë është prekur edhe në takimin e djeshëm Berisha-Lu, detajet për të cilin janë të pakta.
Sigal