LSI, Petrit Vasili: me këtë vendim Rama çoi 270 vjet pas shëndetësinë

Ish kreu i LSI Petrit Vasili përmes një statusi në rrjetin social facebook ka reaguar lidhur me deklaratën e Ramës, i cili ditën e djeshme kërkoi brenda 24 orëve dorëheqjen e drejtorëve të spitaleve. Sipas tij me një vendim të tillë Rama e çoi shëndetësinë 270 vjet pas. Madje ai pyet se përse kryeministri nuk shkarkon veten. “Kryeministri i paditur e çoi 270 vjet pas shëndetësinë sepse:

1. Shpartalloi financimin e shëndetësisë me koncesionet.
2. Centralizoi në Ministrinë e Shëndetësisë të gjithë tenderët.
3. Centralizoi çdo emërim në Ministrinë e Shëndetësisë.
4. Dështoi totalisht me “shëndetësinë falas”.

Shkatërroi çdo element të autonomisë spitalore me ndërgjegje të plotë.

Tani fajin ia paskan drejtorët, që i zhveshi nga çdo kompetencë. Jo! Fajtori i vetëm është kryeministri, i cili rrënoi shëndetësinë me anti-strategjinë “të shkatërrojmë gjithçka në emër të shëndetësisë falas”, megjithëse në shëndetësi e pati timonin vetë, që nga dita e parë. Po ky kryeministër, pse nuk e shkarkon veten? 

Ndërsa Rama sot u shpreh se mungesa e pastërtisë në spitalet tona është pikërisht përgjegjësi e atyre që i menaxhojnë spitalet. Ai nuk nguroi të thotë se ashtu si godinat edhe drejtorët janë bërë pis.

“Kjo është plagë e trashëguar, por pastërtia është A-ja. Nuk besoj se spitalet para viteve 90-të ishin shëmbëlltyrë e ultra financimit, por po të krahasosh nivelin e higjienës pastërtisë dhe nivelit të gatishmërisë nuk jemi 27 vjet para, por 270 vjet pas”, tha Rama" shkruan Vasili.