Llalla shuplakë gjykatave: Jo me standarte të dyfishta, zbehin ligjin

516
Sigal

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka qënë kritik ndaj vendimeve të gjykatave. Gjatë prezantimit të botimit “Standartet e gjykimit përmes vendimeve unifikuese”, organizuar nga Gjykata e Lartë, Llalla ka thënë se gjykatat, në jo pak raste, marrin vendime të ndryshme për çështje të njëjta.

Sipas tij gjykatat duhet të shmangin standartet e dyfishta, të cilat krijojnë sipas kryeprokurorit dhe hapësira për abuzime.  

“Subjektivizmi dëmton më së pari të drejtat e personave dhe shoqërohet me zbehjen e forcës së shtetit ligjor. Gjykatat, në jo pak raste, marrin vendime të ndryshme për çështje të njëjta. Kjo sjellje godet në mënyrë të drejtëpërdrejtë interesat e ligjshme të personave, por nga ana tjetër cënon besimin e qytetarëve tek institucionet. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë ka një rol thelbësor në standartizimin e praktikës gjyqësore nëpërmjet vendimeve të unifikuara”, deklaroi Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm ka marrë një shembull për vendimet e gjykatave. Sipas tij çështjet e pronave në shumë raste kanë përfunduar në konflikte që sipas tij kanë ardhur pasi e drejta pronësorë nuk është zgjidhur drejt në gjykatë. Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar të parashikohet në ligj e drejta e prokurorisë për të thirrur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.


Fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm 

Iniciativa e një botimi të tillë, në përpjekje për të vendosur standarte unifikuese në gjykimin civil, penal dhe administrativ në Shqipëri, shërben për forcimin e shtetit të së drejtë si dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.Vendimet unifikuese kanë një vlerë themelore në proçesin e gjykimit, pasi shmangin standartet e dyfishta, të cilat krijojnë hapësira për subjektivizëm dhe, pse jo, edhe për abuzivizëm në vendimmarrjet e ndryshme të gjyqësorit. Subjektivizmi dëmton më së pari të drejtat e personave dhe shoqërohet me zbehjen e forcës së shtetit ligjor.Gjykatat, në jo pak raste, marrin vendime të ndryshme për çështje të njëjta. Kjo sjellje godet në mënyrë të drejtëpërdrejtë interesat e ligjshme të personave, por nga ana tjetër cënon besimin e qytetarëve tek institucionet. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë ka një rol thelbësor në standartizimin e praktikës gjyqësore nëpërmjet vendimeve të unifikuara.Duke folur në pozicionin e Prokurorisë, natyrisht për aktivitetin e institucionit është me vlerë standartizimi i praktikave gjyqësore në pjesën penale. Por, në vlerësimin tonë, edhe vendimet unifikuese në pjesën civile apo administrative janë shumë të rëndësishme.
Ka raste kur problemet sociale, sidomos ato të natyrës civile, kanë shërbyer si premisa për vepra penale, ku natyrisht konfliktet për pronat kanë qenë element bazë për kryerjen e veprave penale. Në shumë hetime të Prokurorisë ndër vite, ka rezultuar se në rastet epronave, konfliktet kanë prejardhur prej faktit se e drejta pronësorë nuk është zgjidhur drejt në gjykatë.Po ashtu, edhe vendimet e gjykatave të ndryshme në fushën administrative mund të sjellin pasoja kriminale.Për këto arsye, në vlerësimin e Prokurorisë, Gjykata e Lartë duhet të vijojë gjithnjë e më shumë të operojë në të drejtën e saj ligjore për nxjerrjen e vendimeve unifikuese, me qëllim parandalimin e pasojave që shoqërojnë vendimet e paqarta ose të padrejta të gjykatave të nivelit më të ulët.Unë gjej rastin të falenderoj Kryetarin e Gjykatës së Lartë, z. Zaganjori, i cili është treguar gjithnjë i vëmendshëm për shqetësimet e prezantuara nga ana e Prokurorisë Shqiptare si dhe për iniciativat që ka ndërmarrë në përmbushje të funksionit të tij.Duke qenë se këtë periudhë po diskutohet për Reformën në Drejtësi, e vlerësojmë shumë të nevojshme që të vlerësohet parashikimi ligjor, nëpërmjet të cilit t’i jepet mundësia e iniciativës Prokurorit të Përgjithshëm për vënien në lëvizje të Kolegje të Bashkuara për marrjen e vendimeve të unifikuara për çështje të ndryshme.Prokuroria është një organ, i cili ka në thelb të funksionit të tij ushtrimin e ndjekjes penale si dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq në emër të shtetit, por duke marrë parasysh në ushtrimin e këtyre funksioneve respektimin dhe garantimin e të drejtave themelore të njeriut, si dhe mbrojtjen e interesave të palëve të dëmtuara apo të viktimave të krimit.Në strukturën aktuale ligjore, iniciativa për nxjerrjen e vendimeve të unifikuara i takon Kryetarit të Gjykatës së Lartë ose drejtuesve të Kolegjeve përkatëse në Gjykatën e Lartë.Pra, problematika e prezantuar pranë kësaj gjykate nga ana e Prokurorisë, më së pari duhet të vlerësohet nga Gjykata e Lartë nëse duhet marrë parasysh ose jo. Nga praktika e viteve të fundit është fakt se shqetësimet e Prokurorisë janë vlerësuar dhe marrë parasysh nga Gjykata e Lartë. Por, pavarësisht vullnetit të mirë, vlerësimi i shqetësimeve të prokurorisë kalon nëpër një proçedurë, e cila zgjat në kohë, gjë që ndikon drejtëpërdrejtë në interesat e ligjshëm të qytetarëve që presin standarte të njëjta gjykimi dhe, në fund të fundit, drejtësi.Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme e sheh të nevojshme rolin aktiv në iniciativën e saj për thirrjen e Kolegjeve të Bashkuara. Kjo është një çështje që shpresoj të vlerësohet pozitivisht nga ligjvënësit, ndërkohë që sot po diskutojmë për këtë botim shumë serioz dhe sërish shpreh vlerësimin për kontributin Tuaj në publikimin e vendimeve unifikuese.