Ligji për Arsimin e lartë, Nishani takoi sot ministren Nikolla

466
TIRANË – Kur presidentit i kanë mbetur vetëm 13 ditë nga përfundimi i afatit për ta dekretuar ose jo ligjin e arsimit të lartë kreu i shtetit dhe ministrja Lindita Nikolla kanë zhvilluar një takim në selinë e presidencës. 
Ndonëse takimi mes ministres dhe presidentit Bujar Nishani zgjati përtej asaj që ishte parashikuar, thuajse dy orë, shefja e arsimit ka qenë fjalëpakë rreth bisedës që pati me kreun e shtetit në takimin me dyer të mbyllura.
Megjithatë pas këtij takimi Nikolla ka dalë me besimin se presidenti do ta dekretojë këtë ligj të sjellë prej saj. 
“Sqaruam gjithë momentet e këtij ligji transformues për studentët dhe pedagogët që sjell cilësi në institucionet tona të arsimit të lartë, momentet e garantimit kushtetues që ky ligji për çdo student të Shqipërisë për të ndjekur institucionet e arsimit të lartë sipas meritës e padyshim dhe gjithë risitë e tjera që sjell ligji në një debat të qetë, konstruktiv dhe shumë të shëndetshëm.
A keni besim se do ta dekretojë presidenti ligjin e arsimit të lartë?
Patjetër si pjesë e besimit të institucionit të rëndësishëm siç është ai i presidentit të republikës.
Takimi mes ministres dhe presidentit Nishani është mbajtur pas interesit që të dy palët kanë shfaqur për të realizuar këtë konsultë . Më herët kreu i shtetit ka zhvilluar takime edhe me akademikët ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre rreth ligjit të arsimit të lartë.
Ky ligj i miratua me 78 votat e mazhorancës ndërsa opozita braktisi votimin.
Presidenti ende nuk ka shprehur publikisht qëndrimin e tij për këtë ligj, ndërkohë që kreu i opozitës i ka bërë thirrje kreut të shtetit që të mos e dekretojë ligjin. 
Sigal

Njoftimi i Presidentit të Republikës

Presidenti Nishani zhvillon një takim pune me Ministren e Arsimit dhe Sportit mbi Ligjin për Arsimin e Lartë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani zhvilloi sot një takim të veçantë pune me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila shoqërohej edhe nga Zëvendësministri Arbjan Mazniku.
Fokusi i takimit të Kreut të Shtetit me Ministren Nikolla ishte Ligji i ri i Arsimit të Lartë i miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe që po shqyrtohet për dekretim nga Presidenti i Republikës në përputhje me kompetencat dhe tagrin e tij kushtetues.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi si shumë pozitiv vullnetin dhe angazhimin e qeverisë në ndërmarrjen e reformës në Arsimin e Lartë duke u shprehur se: “Reformat duhen bërë sipas kritereve dhe parimeve ligjore të sanksionuara në Kushtetutë si dhe duke ndjekur modelet më të mira ekzistuese.”
Presidenti Nishani dhe Ministrja Nikolla së bashku me Zëvendësministrin Mazniku diskutuan gjerësisht për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për edukimin sa më cilësor të brezave të rinj dhe me një ndikim të madh në të ardhmen e vendit.
Presidenti Nishani dhe pjesëmarrësit në takim shkëmbyen gjithashtu mendime dhe pikëpamje lidhur me vlefshmërinë ligjore dhe kushtetuese të këtij ligji, me të mirën publike dhe mbrojtjen e përfaqësimin sa më të mirë e gjithëpërfshirës të interesave të studentëve, profesorëve dhe pedagogëve shqiptarë.