Ligji i plehrave dhe medaljet, Beqiri: Rishikimi i dekoratave antikushtetues, plehrat kërkojnë debat popullor

704
Avokati Idajet Beqiri e cilëson të gabuar vendimin e qeverisë për të dy projektligjet, atë të plehrave dhe atë të rishikimit të dekoratave. Ai thotë se Rama është nxituar dhe se njerëzit që kanë punuar për të nuk e njohin shtetin dhe ligjet e tij. ndërsa për ligjin e plehrave shprehet se kërkon një debat të madh popullor dhe nuk mund të kalohet në kuvend. Tërheqjen e njoftuar nga Balla e konsideron të drejtë. 
Si e konsideroni përpjekjen e qeverisë për të rishikuar medaljet dhe dekoratat e ish-komunistëve dhe atyre që kanë kryer krime kundër njerëzimit?
Ishte një vendim antikushtetues tentativa për të futur në punimet e Parlamentit projektligjin për rishikimin e medaljeve dhe dekoratave. Unë i kam parë të dy nenet për të cilat bëhet fjalë. Në mënyrë të posaçme heqjen e dekoratave . Bëhet fjalë për mendimin e nenit 5, 5.1 dhe 5.2. Në të dy rastet vendimi për rishikimin e dekoratave është antikushtetues dhe bie ndesh me ligjin e të drejtave të Njeriut. Qeveria e Edi Ramës dhe ata që janë marrë me këtë projektligj, nuk kanë një koncept të drejtë se çfarë është shteti dhe çfarë dallimi ka ai nga regjimi komunist. Ata nuk kanë një koncept të drejtë të ligjit, se çfarë fuqie ka ai. Nuk është fare normale t’i japësh ligjit fuqi prapavepruese në një kohë që rregullimi i asaj norme është bërë me një ligj tjetër, vite më parë. Është një koncept antishtet, antiligjor. Një dekoratë që është dhënë me një ligj të caktuar të asaj kohe, nuk mund të hiqet sot. Rastet se kur mund të hiqen dekoratat dhe medaljet janë të përcaktuara me ligj. Në rast se dikush nga personat që janë dekoruar dhe kanë marrë medalje, dënohet sot për krime të rënda, krime lufte, tradhti ndaj vendit, krime kundër njerëzimit etj, atëherë gjykata shprehet me vendim se këtij personi i hiqet çdo lloj grade dhe medalje. 
Si realizohet një gjë e tillë. A është e drejtë që Qeveria me një vendim të mund të heq dekoratat e një numri të caktuar?
Një gjë e tillë realizohet rast pas rasti e jo në grup. Aq më shumë kur bëhet fjalë për dekorata dhënë në një periudhë të caktuar historike. Ato dekorata, qoftë këto për udhëheqësit e lartë komunist, janë dhënë në një kohë e cila është kryer. Lufta u bë, fitimtarët janë përcaktuar. Askush nuk ka të drejtë tani. Atëherë kishte një shtet , funksiononte me ligje. Ligjet e tanishme të miratuara në Kuvend nga qeveria të ndryshme, kanë fuqi për atë se çfarë ndodh sot e tutje. 
Pse mendoni se qeveria e hartoi këtë projektligj?
Projektligji ishte politik dhe për të vetmin arsye, për t’i bërë qejfin kolaboracionistëve që bëjnë vetëm zhurmë. 
PS përmes Taulant Ballës njoftoi tërheqjen nga ky projektligj. Çfarë mendon se ndodhi?
Është e qartë. Sata e kanë kuptuar pas zhurmës së madhe se një projekt i tillë nuk ka asnjë bazë ligjore. PS e ka kuptuar tashmë se formulimi i nenit 5 ishte antikushtetues dhe i kundraligjshëm. Nëse kjo lojë do të vazhdonte, do të acaronte më tepër klimën politike në vend. Demokraci nuk do të thotë se dikush që vjen në pushtet mund të bëjë me ligjet ashtu si do vetë. Ky projektligj dhe këto ndryshime u tentuan të bëhen me metoda neokomuniste dhe fashiste. Por kjo duket se është mbështetur mbi ligjet evropiane dhe jo në bazë të ligjeve të të drejtëve themelore të njeriut. 
Zoti Beqiri, PS po përmes Taulant Ballës lajmëroi edhe tërheqjen nga rikthimi në Parlament i ligjit të mbetjeve. Po këtë rast si do e komentonit?
E njëjta situatë. Njerëzit nuk e dinë se çfarë janë këto plehra që do të vijnë tek ne. Shqipëria është e para në botë për sëmundshmërinë, madje ia kalon edhe Kosovës . Tek ne ekziston një rrezikshmëri e lartë. Një situatë e tillë kërkon transparencë. Kjo kërkon një debat të madh popullor. Ne kemi vet plehra në të gjithë vendin, s’kemi pse marrim plehra nga jashtë. Çdo gjë që futet tek ne vjen e pakontrolluar. 
Sigal