“Lëvizja e numrit të mandateve, deformon procesin zgjedhor”

415
Sigal

INTERVISTA/ Eltar Deda, deputet i PS-së: “Qarku i Fierit të zgjidhet në frymën e zbatimit të ligjit

Është media ajo që përcjell mesazhet  e akuzave të ndërsjella, e Kryeministrit Berisha te Kryetari i opozitës, Edi Rama dhe anasjelltas, për moszgjidhjen e ngërçit politik të integrimit të Shqipërisë. PD-PS, edhe njëherë, sikurse ndodh në 21 vjetët e tranzicionit tonë, nuk munden të kapërcejnë dot politikën partiake dhe të vihen në funksion të aspiratës më të madhe të të gjithë shqiptarëve, që të bëhemi edhe ne pjesë e demokracisë europiane. Deputeti i PS-së, Eltar Deda, në intervistën për “Telegraf”, shpreh bindjen se, zgjidhja e problemit të Qarkut të Fierit duhet bërë në frymën e zbatimit të ligjeve.  Ndërsa për ndryshimin e mandateve të deputetëve në disa qarqe, zoti Deda shprehet se kjo mund të deformojë procesin zgjedhor.

– Zoti Deda, përse Edi Rama  ndryshoi qëndrim dhe ftoi partitë parlamentare të zgjidhnin nëpërmjet një tryeze tavoline çështjen e Qarkut të Fierit, derisa problemi është moszbatimi i vendimeve të gjykatave?

– Dua të theksoj që në fillim, se Kryetari i PS-së, Edi Rama, asnjëherë nuk e ka ndryshuar qëndrimin përsa i përket çështjes se zgjidhjes së Qarkut të Fierit. Gjithmonë ai dhe çdo përfaqësues i PS-së, kanë qenë, janë dhe do të jenë, për zgjidhje që u  përkasin  interesave të vendit  dhe të elektoratit, i cili e  ka shprehur mendimin e tij  nëpërmjet votës së 8 Majit  2011. Ashtu si në rastin e Presidentit, po kështu edhe në rastin e Qarkut të Fierit, Kryetari i PS-së, është për një  zgjidhje të problemit në tryezat e dialogut,  në mënyrë që atë që e ka  prodhuar  politika, po politika t’i jap  zgjidhje, nëpërmjet dialogut të partive parlamentare, në frymën e zbatimit të ligjit dhe të demokracisë.

– Nuk është bërë e qartë një gjë. PS-ja për 3 reformat, për të cilat  duhet të japë konsensusin, a ka kundërshti, meqë nuk ka marrë pjesë në diskutimin e tyre, apo është në dakortësi?

– PS-ja nuk ka kundërshti në lidhje me 3 reformat,  të cilat duan 3/5 e votave në Parlament. E rëndësishme është zgjidhja e ngërçit të krijuar nga ana e maxhorancës parlamentare, për mos zbatimin  në realitet  të  ligjit. Gjë, e cila është evidente në rastin e Qarkut të Fierit, ku fitorja  është  e PS-së  dhe me  votë  dhe   me  proces  gjyqësor , por  në  praktikë   mbahet  peng  nga PD-ja. Pra  ky  është  rasti të  tregohet  si do të  zbatohet   ligji në  Shqipëri.

– Ditët e fundit kultivohet mendimi që modeli i Fierit, mund të shërbejë nga PD-ja, edhe për të ndërhyrë në rezultatet e zgjedhjeve të 2013-s. Ky është edhe qëndrimi politik i PS-së?

– PS-ja është duke e ndjekur të gjithë situatën parapërgatitore në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor. Lëvizja e numrit të mandateve në Qarkun e Beratit dhe delegimi i tij në atë të Kukësit, me pretendimin e pakësimit të popullsisë në Qarkun e Beratit dhe shtimin e popullsisë në Kukës, përbën një element shumë të rrezikshëm, i cili mund të sjellë deformim e  të gjithë procesit zgjedhor. Prandaj, çdo gjë e kryer nga maxhoranca, nëpërmjet institucioneve përgjegjëse shtetërore, do të jetë e monitoruar nga ana jonë si opozitë.

– Në qoftë se Kryeministri Berisha nuk tërhiqet për Qarkun e Fierit dhe i qëndron politikës që mbajti edhe të enjten në Kuvend, por afron mundësi të tjera kompromisi, PS-ja mund të dakortësohet, me çfarëdo tjetër, veç zgjidhjes së çështjes së Qarkut të Fierit?

– Siç e patë, Kryetari i PS-së, zoti Edi Rama, i ftoi përsëri të gjitha partitë parlamentare, të uleshin dhe të diskutojnë zgjidhjen e këtij ngërçi. Në mënyrë të tillë që, vetëm zgjidhjet nëpërmjet dialogut dhe konsensusit, mund të sjellin  zhbllokim të situatës aktuale, që kërkesa për çeljen e negociatave  për aderimin në  BE, të mbështetet në vullnetin e mirë politik të të gjithë spektrit.

– Derisa PS-ja po përballet, jo vetëm me PD-në, por edhe me opinionin vendas dhe ndërkombëtar, për kundërshtinë për të mos dhënë konsensusin e saj për 3 reformat e statusit, a është e vendosur PS-ja, që të përballojë koston politike të një refuzimi për herë të tretë të statusit?

– PS-ja nuk ka  qenë ndonjëherë shkaktare për bllokimin e marrjes së statusit për në BE. Përkundrazi,  ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krah të çdo iniciative,  e cila i shërben integrimit të vendit. Qenia fasade,  thjesht për hir të integrimit, asnjëherë nuk ka për të dhënë rezultat. Vendi ynë, nuk po merr statusin,  për shkak të kësaj qeverisjeje. Jo më larg, se para  dy  ditësh, ishte faktori ndërkombëtar, i cili theksoi se jo vetëm tre ligjet që përmbyllin reformën,  janë kusht, por u shtuan edhe zgjidhja e çështjes së 21 Janarit, trajtimi i të përndjekurve politikë  dhe  zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kushte, të cilat trokasin në derën e qeverisë dhe jo të opozitës.

– Faleminderit!