Kuvend, Patozi: PS po keqpërdor ish-të përndjekurit

161

KE/ Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle prezanton raport-progresin për Shqipërinë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ftoi dje opozitën që të përmbushë angazhimet për proceset integruese të vendit. “Ne duhet të përmbushim angazhimet tona për proceset integruese të vendit. Sepse 3 ligjet përfshirë dhe reformën parlamentare qëndrojnë varur dhe nuk janë rastësi që janë 3 ligje që kërkojnë dhe kontributin e opozitës. Është koha të pyesim pse statusi nuk erdhi 2 vite më parë? Sepse opozita bllokoi dhe ka akoma mundësi për të bllokuar. Partnerët tanë ndërkombëtarë duan të vijnë këto ligje prandaj ju ftoj që t’i votojmë deri në dhjetor”, tha Patozi. “Sot duhet të ishte dita për të përgëzuar njëri-tjetrin për arritjen në një stacion të rëndësishëm, por në vend që t’i thonim njëri-tjetrit që të bashkëpunojmë për të votuar edhe ato 3 pika që kërkohen për të, opozita sot nuk kishte asgjë për të thënë për statusin. Madje as meritën e vet nuk ia njohu vetes, megjithëse këtë meritë ia njohu z. Fyle madje edhe maxhoranca. Opozita erdhi të na thoshte që Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap drejt Europës, por hap mbrapa. Erdhi të fliste ish ministri i fundit i sigurimit të shtetit dhe erdhi të mbronte të persekutuarit politikë”, u shpreh Patozi duke iu drejtuar kreut të grupit parlamentar socialist, z. Gramoz Ruçi. “Ju sot keqpërdorët sepse folët në emër të atyre që i keni përbuzur. Shkuat t’i vizitoni, z. Majko, por keni qenë Kryeministër në buxhete ku nuk ka pasur as edhe një kacidhe për ta, sepse për ju ata nuk ekzistojnë. Janë fshirë nga lista”, tha Patozi. “Erdhët sot për të nxirë Shqipërinë që ka bërë një hap tjetër drejtë Europës. Ndjej keqardhje për çdo dhimbje dhe tragjedi shqiptare përfshirë dhe ata që kanë hyrë në grevë. Ne nuk mund të inkurajojmë askënd që në kundërshtim me ligjin kërkon diçka që nuk i takon, sidomos kur ata përfaqësojnë një shtresë për të cilën ju keni treguar këto 20 vjet vetëm përbuzje. Pse dërgoni benzinë atje? Pse dërgoni kamerat që të digjen të gjallë? Si mund të quani heronj ata që djegin tjetrin?” , iu drejtua Patozi deputetëve të opozitës.