Kur nuk do nënën tënde, nuk ke si të duash Nënë Terezën!

948
Sigal

Ëngjëll MUSAI


Ditën që Vatikani shenjtëronte
“Nënë Terezën”, e cila ishte edhe reklama më e mirë dhe më e shkëlqyer për Shqipërinë
dhe shqiptarët kudo në botë, Agjencia Kombëtare e Turizmit zhvillonte tender në
vlerën e 100 milionë lekëve për “Ditën Botërore të Turizmit”. Ky gjest, më
shumë se sa grabitje e parave të taksapaguesve është një maskaradë
antikombëtare nga ata që duan të shpërbëjnë identitetin e këtij kombi dhe shuajnë
lavdinë që shqiptarët trashëguan brez pas brezi. Turizmi bazë është ai i detit
dhe sezoni iku, por qeveria e gjen kohën të harxhojë miliona. Po për Nënë
Terezën pse heshtën? A ka promovim më të mirë se sa ai ku vetëm koncertin e së
shtunës në Vatikan e ndoqën mbi 90 milionë njerëz dhe miliona për të mos thënë
miliarda të tjerë, ditën e shenjtërimit?! Asnjë ceremoni për Shenjtoren Nënë
Tereza, asnjë aktivitet, asnjë fotografi, asnjë portret, asnjë fjalim, por përkundrazi
hiqet Memoriali i Nënës dhe degdiset diku në periferi të Shqipërisë. Mirë bënë
le ta çojnë memorialin jo vetëm në një qytet, por në çdo cep të vendit, por
qëllimi nuk ishte ky. Qëllimi i vërtetë ishte se shtetarit apo kryeqeveritarit i
dhëmbin sytë nga Nënë Tereza, ndaj ai nuk e donte portretin e saj dhe as bustin
e saj në hyrje të aeroportit të vetëm të vendit. Sepse Nënë Tereza ishte
mishërimi i njerëzve të varfër dhe jo atyre që mbetën në ajër me avionë dhe
çarter. Nuk e donin as në Bulevardin e Tiranës, sepse ajo ishte një shqiptare e
vërtetë dhe fakti që ajo deklaroi publikisht, se atdheu im është Shqipëria i
tmerrojë të gjithë tradhtarët, sahanlëpirësit dhe batakçinjtë e kombit, që
mbushën bulevardin me fëmijë që lypin nga mëngjesi në orët e natës, ku një pjesë
e tyre edhe dhunohen. Por po të vazhdojmë të shkruajmë dhe tregojmë për Nënë
Terezën, do na duhen vite të tëra, por ajo që na shtyu më shumë të hedhim këto
radhë ishin emocionet që na u dhuruan të dielën e 4 shtatorit 2016, ku Nëna e
madhe e shqiptarëve dhe e gjithë njerëzve të varfër në botë u “Shenjtërua”, duke
na bërë krenarë edhe pse është ndarë prej kohës nga jeta. Ceremonia u drejtua
nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku në sheshin “Shën Pjetër” të
Vatikanit, i cili e shpalli edhe zyrtarisht “Nënë Terezën” si Shenjtorja më e
Re e Kishës Katolike. Të pranishëm në ceremoni, me mijëra shqiptarë me flamuj
të Shqipërisë dhe Kosovës. Lutja e Parë bëhet në gjuhën shqipe nga një, nga
motrat e Urdhrit të Murgeshave. Gjatë fjalimit të tij, Papa Françesku u shpreh:
“Kudo qoftë një dorë për ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës
që mbështet dhe dhuron shpresë. Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo
qoftë modeli juaj i shenjtërimit! Shenjtëria e saj është kaq pranë nesh! Një
nënë që u bë Shenjtore”…Por, ndërkohë që Vatikani festonte prej muajsh të
tërë, në Tiranë kishte rënë një heshtje varri, ndërkohë që për ditën e makinave,
mushkonjave, LGBT, Soros, biçikletave, promovimit të librave të Ancelottit, librit
të “Vrimës” që u shpall fitues apo edhe milionat për ndonjë këngëtare hashashi dhe
dhjetëra të tjerave… zbarkojnë të gjithë me dhe pa ngjyrime, politikanë
vendas, mashtrues, hajdutë votash, koncesionesh pa harruar edhe kollovarët e
ambasadave të huaja… Por ç’pret nga një njeri që shan babanë dhe rreh nënën e
vetë. Pret që të dojë nënat e tjera? Dhe kë, “Nënë Terezën”! Harroje njëherë e
përgjithmonë! Dhe kanë të drejtë, sepse Ajo nuk i donte këta lloj monstrash dhe
mashtruesish ordinerë. Po kush vajti në Vatikan për të marrë pjesë nga
Shqipëria në Shenjtërimin e Nënës së njerëzve të varfër? Vajtën milionerët e
tenderave, batakçinjtë e koncesioneve, mashtruesit që ndërrojnë kostumet, rrahin
gratë, nxjerrin jetimët nga shkollat, konviktet, detyrojnë njerëzit të varin
veten, se nuk paguajnë dot dritat, ujin, nuk mbushin barkun me bukë, apo ata që
kanë lënë spitalet bosh dhe pa ilaçe. Mosmirënjohja është arma më
çkombëtarizuese. Njerëzit e mëdhenj startojnë nga të vegjlit. Është virtyti që
nuk mbin në çdo shpirt, ashtu sikurse lulja që nuk mbillet në çdo bahçe! Por ja
që ne shqiptarëve na ra për hisje të mbajmë ata, që vetë ngritëm në piedestal,
sikurse janë këta palo shtetarësh. Tirana zyrtare me shpërfilljen që tregoi
ndaj Shenjtërimit të Nënë Terezës u futë në mëkat, por një shprehje e vjetër
popullore thotë, “Zoti vonon, por kurrë nuk harron”!