Kryeparlamentari Ruçi pret homologun nga Maqedonia: Ligji për gjuhën shqipe të miratohet sa më parë

60
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka pritur sot në një takim homologun e tij nga Maqedonia, Talat Xhaferi. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeparlamentari Ruçi tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë. Sakaq, ai u ndal edhe të projektet e investimeve në interes të dy vendeve, kryesisht tek “Rruga e Arbrit” dhe “Korridori 8”.
Teksa vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve tona, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se Kuvendi i Maqedonisë duhet të miratojë sa më parë ligjin për gjuhën shqipe.
“Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e sigurisë europiane. I konfirmova Xhaferit se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë. Ligji për gjuhën shqipe të miratohet sa më parë. Po kështu duhet të intensifikohen marrëdhëniet mes parlamenteve tona, si dhe të forcohet bashkëpunim mes të dy vendeve tona në të gjitha fushat. Sa i takon bashkëpunimit ekonomik, Qafë-Thana duhet të jetë pikë e përbashkët doganore”, u shpreh kryeparlamentari Ruçi.
Sakaq, kreu i Kuvendit të Maqedonisë ka komentuar situatën politike në vendin e tij, duke u ndalur tek qëndrimi i opozitës atje.
“Aktualisht opozita në Maqedoni nuk ka deklaruar bojkotim të punimeve të Parlamentit. Ata paraqesin mungesën e tyre n formën e rregullt siç është e shkuar në rregullore, dhe nuk ka deklarim të një bojkoti. Sakaq duhet të shtoj se vijojnë hetimet për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë në Prill të këtij viti. Sakaq puna në Parlamentin e Maqedonisë do të vazhdojë normalisht, pasi ka shumicë të rregullt”, u shpreh Talat Xahferi.