Kryeministri Rama në Vlorë, PS e qarkut konteston emërimet në administratë

503
Sigal

Kryeministri Edi Rama u takua në Vlorë me drejtorët e institucioneve të këtij qarku. Mësohet se në këtë mbledhje është diskutuar rreth problematikave të secilës drejtori. Gjatë qëndrimit në Vlorë, Rama takohet edhe me strukturat e Partisë Socialiste të këtij qarku, të cilët kanë kërkuar sqarime kreut socialist njëherësh kryeministër i vendit, rreth emërimeve në administratën publike.

Kërkesa e strukturave të PS-së së Vlorës, ku dhe Rama është deputet, ka ardhur pas pakënaqësive që dega e kësaj partie ka shfaqur për emërimet e deritanishme në administratën publike. Pakënaqësitë lidhen edhe me mosmarrëveshjet ndërmjet PS-së dhe LSI-së në shkallë qarku, lidhur me ndarjen e drejtorive.

 Rama me krerët e Policisë, Tatimeve e Ushqimit 

 Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me krerët e disa prej institucioneve shqiptare kryesore ku është kërkuar një punë më e mirë. Pas mbledhjes së kabinetit të shtunën, kryeministri dje priti kreun e policisë, atë të Tatimeve si dhe të Ushqimit.

 Takimi u zhvillua në hotel “Partner”, aty ku kryeministri mblodhi ministrat e kabinetit, ku kanë bërë analizën e 6-mujorit të parë të qeverisjes dhe të realizimit të prioriteteve.

 15:17 përfundon takimi i Ramës me drejtuesit e institucioneve

Ka përfunduar takimi që kryeministrit i vendit, Edi Rama, ka zhvilluar në Vlorë më disa prej ministrave të tij i janë bashkangjitur edhe drejtuesit e disa prej institucioneve shtetërore më të rëndësishme. Mes tyre ka qenë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, drejtoresha e Tatimeve, Briseda Shehaj, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj si dhe drejtues të institucioneve vendore të qarkut të Vlorës. Mësohet se në mbledhje janë shqyrtuar problemet kryesore me të cilat përballën këto instanca dhe është bërë një analizë e punës tyre gjatë kësaj kohe.

 Rama me kabinetin, në fokus rendi dhe reformat  

Mësohet se në fokus të takimit të së shtunës, ka qenë vendosja e rendit dhe krimit të policisë te qytetari, ku kreu i qeverisë shprehu vlerësime për përkushtimin e uniformave blu në luftën ndaj krimit, duke e lidhur këtë me sukseset më të fundit të policisë që solli arrestimin e vrasësve me pagesë dhe porositësve të atentateve me tritol. Por nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe aksioni i arrestimeve më të fundit të rekrutuesve dhe financuesve të “xhihadit” për të dërguar shqiptarët të luftojnë në Siri, duke shkatërruar celulat që ishin ngritur në vendin tonë.

Pjesë e analizës së gjashtëmujorit qeverisës janë bërë dhe aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje, reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi, situata ekonomike dhe pesha e borxheve të lëna nga qeverisja e Berishës. Është analizuar gjithashtu, mundësia e ringritjes së vendit dhe plotësimi i detyrave të lëna nga ana e Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor të këtij viti.

Qytetarë dhe punonjës të sistemit shëndetësor denoncojnë me forcë kapitullimin e shtetit

 Vlonjatët apel Kryeministrit: Na kthe qendrat shëndetësore, rendin, sigurinë dhe qetësinë

 Viti 1997 ishte ndoshta viti më i vështirë për shqiptarët, e megjithëse kanë kaluar 16 vjet, pasojat e tij vazhdojnë të jenë prezent. Rënia e firmave piramidale çoi në anarki totale vendin. Qytetarët shpërthyen depot e armatimit dhe në mbarë vendin, triumfuan armët, dhe jo ligjet. Institucionet ranë një e nga një fare për pak ditë dhe në këtë shtet të rrënuar, në emër të bandave dhe të fortëve, veç të tjerash u zaptuan dhe prona publike e private. Pikërisht, për këtë problem, një grup qytetarësh vlonjatë i ribëjnë thirrje Kryeministrit të zgjedhur z. Edi Rama, që me forcën e pushtetit të votës plebishitare, shteti të çlirojë veç të tjerash edhe institucionet shtetërore, siç i quajnë ata të zaptuara dhe ende të pushtuara, në qytetin e Vlorës nga zaptues-pushtuesit. Bëhet fjalë për qendrat shëndetësore, kryesisht të cilat u grabitën në vitin e mbrapshtë ‘97 dhe prej asaj kohe nuk bëjnë pjesë në inventarët e shtetit, pasi janë zaptuar e mbipopulluar me banorë, që nuk kishin asnjë lidhje as me rajonin dhe ndërtesat. “Jemi qytetarë të dhunuar dhe të kërcënuar qysh prej vitit tragjik të 1997. Nga ndërtimet pa leje, cenim i strukturës së pallatit, cenim dhe kërcenim të së drejtës qytetare, cenim dhe kërcënim të jetës, të ligjit dhe të rendit publik, shthurje të lukunisë primitive. Kërkojmë ndihmë nga qeveria e Rilindjes” , nis letra publike e qytetarëve, dhe banorëve të lagjes “24 Maj” të qytetit të Vlorës mbërritur edhe në zyrën e deputetit të Vlorës, qysh kur nisi të hapej dhe pa asnjë zgjidhje të ankesave të qytetarëve vlonjat. Deri më tani, kur ka kaluar 6 muaj, shteti nuk duket të shfaqet në horizont. Shteti i Rilindjes ende nuk po lind, dhe duket i vështirë, dhe i pa shpresë të  Rilindë- shprehen qytetarë të Vlorës!

APELI

Qytetarët dhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë i bëjnë thirrje qeverisë Rama t’u kthejë qytetarëve ambulancat e shërbimit, injeksionet dhe ambulancat për vizitat gjinekologjike në shërbim të komunitetit. Ata dënojnë me forcë kapitullimin e shtetit deri me tani, korrupsionin e segmenteve të administratës se tij përpara dhunuesve dhe pushtuesve të institucioneve shtetërore dhe cenim të strukturave të apartamenteve dhe jetës së qytetarëve.

Në Lagjen. “24 Maji” të këtij qyteti, pushtues-zaptuesit, pushtuan qendrën shëndetësore, kanë rrethuar pallatin, me mur e tela, kanë thyer arkitrarët, themelet e pallatit. Jeta e qytetarëve në rrezik dhe panik. Në Korrik- Gusht të 2013 abuzuesit dhe dhunuesit shqyen edhe muret nga brenda, pushtuan edhe depon, e pallatit. Hapën dritare dhe tubin e gazit e nxorën në Shkallët brenda Pallatit- thuhet në letrën e qytetarëve. Ku ndodh, në cilin vend të botës një marrëzi e tillë? Kush mund të ndalë këtë babëzi-barbari, të kthejë pallatin në identitet, të ndëshkojë makutëri-marrëzinë primitive, cenimin e të drejtave dhe të jetës së qytetarëve?! Veç të tjerave ata bëjnë me dije se dhjetëra shkresa u kanë dërguar institucioneve shëndetësore për t’i liruar  nga zaptuesit, por janë kompromentuar nga të korruptuarit. Qytetarët e Vlorës kërkojnë nga Qeveria e RILINDJES të lirohen Institucionet shtetërore, të prishen muret rrethuese, të apartamenteve, që mbajnë në terror brenda telave, qytetarët dhe qytetërimin, të çlirohen nga prangosja pallatet në gjithë qytetin, të vijnë sipas projektit, real- FILLESTAR!

 Banorët e qytetit të Vlorës dhe të lagjes 24 Maji, në letrën e drejtuar në mënyrë elektronike, bëjnë të ditur dhe institucionet shtetërore të zaptuara qysh nga viti ‘97 që shteti ende nuk ka mundur t’i rimarrë dhe shkresën përkatëse:

1. KONSULTOR DHE INJEKSIONE. L.“ISA BOLETINI”

2. KONSULTOR “QERIBA DERRI”

3. KONSULTOR DHE INJEKSIONI “OSMAN HAXHIU” + “8

    NËNTORI”

4. INJEKSIONE “24 MAJI”

5. KONSULTOR “11 JANARI”

Janë këto ish qendra shëndetësore të zaptuara dhe të përshtatura në banesa nga të “fortët” e asaj kohe, kur shteti ishte në grahmat e fundit.

Qytetarët i Apelojnë Qeverisë së RILINDJES:  jemi të pushtuar dhe të kërcënuar. Jetojmë në tmerrin e pafund!

 Nga qytetarë të Vlorës, punonjës të shërbimit shëndetësor, dhe banorë të lagjes “24 Maji”