Kryeministri Rama: 10 mijë raste të adresuara, 150 punonjës u ndëshkuan, nga ankesat e portalit

500
Sigal

Kryeministri Edi Rama në takimin me koordinatorë të Platformës së Bashkëqeverisjes dhe qytetarëve që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre pasi i janë adresuar Platformës: Platforma ka arritur në 10 mijë raste të adresuara nga qytetarët, kryesisht ankesa të drejtpërdrejta për halle të tyre individuale apo familjare, por edhe adresime për shqetësime të komunitetit, për nisma komunitare, si dhe për ngritjen e zërit lidhur me çështje të ndryshe të qeverisjes. Javën e fundit kemi pasur 1 mijë raste, që do të thotë që, shpresoj, ngarkesa e Platformës do të shkojë duke u rritur, sepse ky është qëllimi. Ndërkohë edhe organizimi i brendshëm i të gjithë rrjetit të koordinatorëve në pjesën më të madhe është i tillë që mund ta përballojë këtë rritje të fluksit. Është me shumë rëndësi të vazhdojmë procesin e informimit, të vazhdojmë të insistojmë, sepse kemi përballë një mur mosbesimi, të ngritur në vite, lidhur me administratën, me transparencën e shërbimeve dhe me mundësinë që kjo gjë të ndryshojë. Unë jam 100% i bindur se, sa më shumë qytetarë të angazhohen duke shpenzuar 3 minuta për të ngritur zërin e tyre, për ta adresuar ankesën e tyre drejtpërdrejtë tek anëtari përkatës i qeverisë që mbulon sektorin nga ku vjen shqetësimi, aq më shpejt do të arrijmë të kemi një administratë që do të shërbejë me zero vonesë dhe me zero ryshfet. Sot numërojmë 10 mijë raste të adresuara në Platformë, por janë afro 150 raste punonjësish të administratës që kanë marrë ndëshkimet e merituara, që nga ndjekja penale deri tek paralajmërimi për largim nga puna për vonesa në trajtimin e problemeve të qytetarëve. Është një numër shumë i vogël, sepse edhe në këtë aspekt duhet të luftojmë çdo ditë, të gjithë së bashku, me mbrojtjen që iu bëhet shpesh punonjësve të administratës, që janë faktikisht shkaktarët e shqetësimeve të qytetarëve. Ky është një proces ku rritja e besimit të njerëzve për Platformën do të na sjellë rezultate gjithmonë e më pozitive. Në harkun e këtyre viteve që kemi përpara do të na çojë në situatën, ku, sado e pabesueshme duket sot, do të kemi një marrëdhënie ku, do të jetë qytetari, ai që do të imponohet me forcën e ligjit dhe do të jetë administrata, ajo që do të përgjigjet në bazë të ligjit për të adresuar çdo problem që duhet të adresojë dhe që ka detyrë të zgjidhë në raport me qytetarin. Pra, mund të shkojmë në zero vonesa dhe në zero ryshfet, duke e bërë shumë të qartë që çdo punonjës që është në detyrë është njëkohësisht i vëzhguar nga çdo qytetar që ka lidhje me detyrën e tij apo të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit.