Kryemadhi: Kryeministri i Drogës ka frikë

131
Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, reagoi për operacionin e policisë, ndërsa kritikoi kryeministrin Edi Rama. “Me gjithë angazhimin e policisë dhe prokurorisë, të dyja këto struktura do e kishin të pamundur kapjen e një sasie kaq të madhe droge pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që për vite me radhë, nën hundën e tyre, janë trafikuar qindra e mijëra tonelata kanabis dhe drogë. Kryeministri ka frikë të thotë se ky aksion është kryer me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të atyre që vetëm dy ditë më parë paralajmëruan lidhjet e rrezikshme të politikës me trafikun e lëndëve narkotike”, u shpreh Kryemadhi. Sipas saj, “Edi Rama tashmë është i tmerruar nga hetimet e mëtejshme të kësaj sasie kokaine të paparë ndonjëherë në Shqipëri, sepse e di mirë që fijet dhe lidhjet e kokave të trafikut nuk janë as punonjësit e portit dhe as ata të kompanisë modeste”. “Diku më lart e më thellë gjenden ata që e drejtuan dhe dhanë garanci për transportin e një sasie të ngjashme me ato të filmit “Narcos”. Ndaj patetizmat e tij në FB dhe lëvizjet e kukullave të tij në qeveri e polici vështirë se do e shpëtojnë këtë herë shefin e madh nga hetimet që me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të mundin të mbulojnë dhe fshehin lidhjet okulte të kreut të qeverisë me botën e errët të krimit. Ndaj më mirë se të shkruajë shfajësimet e dikujt që ka rënë në çarkun e zullumeve të drogës, që e sollën dhe e mbajnë në pushtet, Edi Rama le të gjejë një avokat të mirë për veten dhe ndonjë nga miqtë apo bashkëpunëtorët e tij”, u shpreh Kryemadhi.