Sigal

 

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me drejtuesit e degëve të LSI-së në të gjithë Shqipërinë

Kryemadhi: U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë bindjen se kjo qeveri po e varfëron më shumë vendin, që të shtunën t’i bashkohen protestës së opozitës.

Kemi caktuar këtë mbledhje organizative me kryetarët e rretheve si një takim pune dhe vazhdimit të diskutimit përsa i përket organizimit të strukturave të LSI-së, por mbi të gjitha edhe përsa i përket angazhimit të të gjitha strukturave të LSI dhe gjithë simpatizantëve të saj për pjesëmarrjen në protestën e ditës së shtunë. Në fakt është një kohë shumë e shkurtër, që ne jemi mbledhur nga mbledhja e KDK-së, por po të shikojmë në historikun e saj ndodhi ajo çka ne kemi paralajmëruar, që gjërat do lëvizin me shpejtësi shumë të madhe dhe faktikisht kanë lëvizur me shpejtësi shumë të madhe. Për një kohë shumë të shkurtër, ne po shikojmë që qeverisja është vendosur përballë një presioni jashtëzakonisht të madh, jo vetëm të opinionit publik, por edhe të opinionit ndërkombëtar. Përfshirja e kësaj qeverisje dhe të gjithë strukturave të rëndësishme të shtetit siç është Ministria e Brendshme në përfshirjen e trafikut të drogës. Personazhi kryesor i të gjithë kësaj dhe aktori kryesor është kryeministri, një kryeministër i cili kanabizoi Shqipërinë dhe nuk mban tashmë asnjë lloj përgjegjësie për bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të zhytur në trafiqet e drogës dhe është padyshim fundi i një qeverisje demokratike, për të cilën ne kemi aspiruar të gjithë në këto 27 vite. Beteja jonë pa kompromis kundër kësaj qeverie do të finalizohet në protestën e ditës së shtunë, ku ky kryeministër që ndalon dhe dhunon të rinjtë dhe të rejat, vetëm e vetëm pse kundërshtojnë arrogancën e tij dhe të qeverisjes është modeli më i shëmtuar që ne u ofrojmë sot të rinjve shqiptarë. Edi Rama nuk pranon që askush të mendojë ndryshe nga ai. Imagjinoni gjjthë ata të rinj e të reja, prindër dhe të moshuar që tashmë e provojnë në kurrizin e tyre keqqeverisjen, rritjen e taksave dhe varfërinë e tejskajshme, e cila ka përfshirë të gjithë Shqipërinë.

Të gjithë kemi mundësinë tonë të shtunën të protestojmë dhe kundërshtojmë regjimin që Edi Rama po përpiqet të instalojë në Shqipëri. Një regjim që komandohet nga bosët e drogës, peng i të cilëve është kryeministri.

Unë u bëj thirrje dhe në emrin tuaj të gjithë shqiptarëve që kanë bindjen se kjo qeveri po e varfëron më shumë vendin, që të shtunën ti bashkohen me protestës së opozitës. U bëj thirrje të gjithë intelektualëve që pavarësisht bindjeve politike që të protestojnë kundër arrogancës së një kryeministri që ngre në piedestal antivlerat e shoqërisë.

I bëj thirrje të rinjve që të shohin shpresë tek e ardhmja. Tek një e ardhme pa drogë dhe pa trafiqe dhe që do e bëjë Shqipërinë një vend të denjë për Bashkimin Europian. Nuk e largon opozita Shqipërinë nga Bashkimi Europian, këto janë parrullat që Edi Rama dhe lakejtë e tij po i shpërndajnë për të ndarë përgjegjësinë në dështimin që ai ka në qeverisjen e tij.

Opozita është për një Shqipëri sa më afër Europës, me standarte sa më pranë vendeve anëtare të BE, por këtë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e duan. Sepse sa më shumë afrohet Shqipëria me Bashkimin Europian aq më e afërt është dita e përballjes së tij dhe keqqeverisjes së tij me drejtësinë. Ndaj ai nuk e do Shqipërinë në Europë, sepse sa më larg saj të jetë Shqipëria aq më e lehtë është për të

 

Për të menaxhuar, në mënyrë të tillë që ai të zgjasi jo vetëm qëndrimin e tij në pushtet, por të zgjasi akoma më shumë dhe agoninë për të vjedhur dhe grabitur çdo gjë që u ka mbetur shqiptarëve sot.

Sado të përpiqet që të përhapë fjalë dhe mjegull se do kërkojë bashkëpunim me LSI, Edi Rama nuk do arrijë të bindë askënd. Madje as bashkëpunëtorët e tij të afërt. Sepse të gjithë ata e kanë të qartë se LSI është në opozitë jo me Edi Ramën si individ, por me Edi Ramën si frymëzues dhe zbatues të kanabizimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Për ne nuk ka asnjë kompromis me një qeveri të zhytur në trafik dhe korrupsion. Asnjë deklaratë me zë ose pa zë e Edi Ramës nuk mund ta shpërqëndrojë vëmendjen e publikut nga e keqja më e madhe që është qeverisja e tij. LSI është e vendosur deri në fund në opozitë me drogën, trafikantët dhe klikën që drejton sot Shqipërinë.

Ju e dini mirë, madje më mirë se kushdo tjetër se si arriti Edi Rama të fitojë zgjedhjet dhe sidomos në qytetet e Shqipërisë. Ju keni qenë vetë viktimat e bandës dhe e dhunës që Edi Rama ushtroi ndaj jush. Atje ku bandat dhe lekët e drogës vendosën mbi vullnetin e shqiptarëve për të zgjedhur në mazhorancë qeverinë e Rilindjes. Në çdo vend të botës një kryeministër i përgjegjshëm do ishte tërhequr me skandalet që i kanë ndodhur Edi Ramës njëra pas tjetrës. Por i marrë peng nga bandat tashmë ai e ka të pamundur. Dhe në emër të karriges së vet po mban peng qeverisjen dhe kërcënon çdo ditë e më shumë jetën e shqiptarëve.

Rama mendon se duke patur të gjitha pushtetet në dorë është i pathyeshëm. Por harron që të gjjtha veglat e tij në qeveri, prokurori apo polici janë po aq të frikësuar sa ai vetë nga forca e së drejtës. Së cilës ne si opozitë i shërbejmë çdo ditë pavarësisht presioneve me të cilat ndeshemi.

E shtuna është dita jonë për t’i treguar Edi Ramës dhe veglave të tij që asgjë nuk e ndal popullin dhe revoltën e tij ndaj krimit. Asnjë pushtetar, prokuror apo shef policie në shërbim të Edi Ramës nuk mund ta bëjë këtë. Kushdo që do guxojë ta ketë të qartë se do përballet me drejtësinë herët a vonë. Edi Rama nuk është zot as i drejtësisë dhe as I shqiptarëve. Nëqoftëse Edi Rama do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me prokurorë, të cilët i lëpihen për të marrë Vettingun e tyre, nëqoftëse Edi Rama do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me bandat dhe trafikun e drogës, dita e tij e rrëzimit, jo vetëm do të jetë shumë e shpejtë, por do të jetë shumë e tmerrshme. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve ju, për ti treguar edhe njëherë të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI, sidomos 226.000 votuesve të LSI-së, të cilët janë heronj dhe dhanë votën përballë gjithë atij presioni dhe raprezalje, se sot është dita për tu ngritur dhe për ta rrëzuar njëherë e mirë Edi Ramën. Ndaj ditën e shtunë në orën 11.00 të gjithë do të jemi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të protestuar kundër kësaj qeverie, e cila është e kapur. Nuk ka më as njeri dhe as zot që ta mbrojë Edi Ramën. Në llumin që ai është zhytur, nuk do të shpëtojë dot. Prandaj është kjo thirrje për të gjithë strukturat, në mënyrë të tillë që jo vetëm pjesëmarrja e gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, por të mos ndalemi për të njoftuar të gjithë ata shqiptarë që mendojnë se koha e Edi Ramës ka ardhur për të ikur, jo më për të qëndruar. Boll më shqiptarët po durojnë mbi shpatullat e tyre të brishta këtë varfëri dhe këtë terror të jashtëzakonshëm që ai ka zgjedhur. Janë momentet e fundit të tij, ju e mbani mend arrogancën dhe fuqinë e tij në shtator, dhe ku është sot. Është një njeri, I cili qahet, është një njeri i cili ankohet, se gjithë faji për dështimin e tij qenka i opozitës, qenka i popullit. Pra nuk ka faj fare Edi Rama, që të gjithë ministrat e brendshëm që ai propozon janë ministra të cilët kanë lidhje me drogën dhe trafikun e drogës. Është faji i popullit që të gjithë drejtorët që ai emëron janë me probleme në sistemin e drejtësisë, është faji i popullit që ka dështuar reforma në drejtësi, sepse është një reform në drejtësi të cilën e ka kapur krimi i organizuar dhe janë ata që zgjedhin prokurorë dhe gjyqtarë për të qenë shërbëtorë të tyre. Është faji i popullit që shqiptarët nuk kanë bukë të hanë, sepse është Edi Rama që ka shkatërruar ekonominë shqiptare çdo ditë e më shumë.