Kryeballisti Alimadhi: “ Të gjithë të persekutuarit e komunistëve të votojnë Ballin Kombëtar”

458
Sigal

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi e shpalli javën e fundit të fushatës javë sulmi, derë më derë dhe me çdo mjet komunikimi duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet shoqërore dhe miqësore për të grumbulluar të gjithë votat e mundshme për t’i dhënë mandatin e merituar Ballit Kombëtar në Parlamentin shqiptar. “200 veta nga 30 vota 6000 vota. Mandati është i sigurt. Kjo javë të shpallet javë sulmi. Votoni 57.” Alimadhi e bëri këtë thirrje në takimin me shtabin qendror zgjedhor të Tiranës. Duke ofruar edhe numrin e tij të telefonit, që të gjithë të deklarojnë statistikën e tyre me anë të mesazhit Alimadhi i bëri thirrje të gjithë familjeve nacionaliste të identifikohen me votën e tyre dhe t’i japin zë vullnetit të tyre duke e bërë atë të vlefshëm dhe duke e çmuar rëndësinë e votës duke e hedhur atë për Partinë Balli Kombëtar. Kryetari i Partisë Balli Kombëtar. Adriatik Alimadhi  i bëri thirrje të gjithë atyre që i vuajtën vitet e diktaturës si vite burgosje apo vite të plagëve të mëdha të pushkatimeve të gjitha të padrejta vetëm pse kërkuan liri e bashkim kombëtar që të vijnë në shtëpinë e tyre të origjinës e të votojnë Ballin Kombëtar sepse vetëm ai e di ku janë hallet dhe ai dëshiron vërtet zgjidhjen e problemeve të tyre. Po ashtu Alimadhi ftoi të gjithë shqiptarët të bëhen të ndërgjegjshëm që vota e tyre është shumë e rëndësishme dhe se ata janë shumë të fuqishëm me të në dorë ndaj duhet të maten kur ta japin atë dhe duhet të dëshmojmë se jemi komb i vlerave, të çmojmë vlerat, tek partia dhe tek individi. Alimadhi theksoi se, është Partia e Ballit Kombëtar partia e vetme që tashmë e provuar për 74 vjet si qëndrestare në qëllimin e saj për Bashkim Kombëtar, si e drejtë dhe e hapur në veprimet e saj, si e vërtetë dhe në interes të popullit të saj, ajo që e ka larë me gjak tokën shqiptare, e meriton të votohet të shkojë në parlament për të garantuar një qeverisje të ndershme.

KREU I KOMITETIT QENDROR, MARKO DAJTI PARALAJMËRON: “PS-JA LUAN ME ZJARRIN!”

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën të ditur opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar se po përballet në këtë fushatë zgjedhore me një presion të jashtëzakonshëm nga kandidatë dhe segmente të PS-së. Duke parë mbështetjen e madhe që PPSHR ka në popull, figura të rëndësishme të PS-së po përdorin mjete dhe metoda të ndyra për të siguruar vota në kurriz të aleatëve, nga kërcënimet e hapura e deri në blerjen e votave të simpatizantëve tanë. Madje, ne po konstatojmë se nën rrogoz kandidatët e PS-së po i përqendrojnë forcat e tyre më shumë për të marrë votat e aleatëve sesa për të bindur elementë të lëkundur apo mbështetës të PD-së. Në disa qarqe kërcënimet kanë qenë shumë të rënda, si në Berat, duke kërkuar tërheqjen e kandidatit tonë nga zgjedhjet, profesorit të nderuar Abdyl Pilafi, madje edhe duke u lënë afate ultimative 24 orëshe. Këta njerëz ordinerë harrojnë se përballë kanë komunistët e PPSHR që, me gjithë tolerancën, kulturën dhe ndershmërinë që i karakterizon, e njohin mirë edhe gjuhën e forcës. Ne kemi përballuar diversantët dhe spiunët, kemi përvojën e lojërave me CIA-n, Inteligjence Servisin, SIM-in, UDB-në dhe KGB-në, kemi përballuar presionin e revizionizmit sovjetik dhe imperializmit botëror dhe aq na bën për ca bashibozukë që janë të rinj në këtë zanat. Loja me PPSHR është lojë me zjarrin! Në të gjithë Shqipërinë kandidatët tanë janë mobilizuar në betejën e madhe për largimin një herë e përgjithmonë të regjimit të satrapit Berisha, regjimit që i vodhi votën popullit në vitin 2009 dhe e vrau në Gërdec dhe 21 janar. Është një luftë e përbashkët me PS-në dhe aleatë të tjerë. Por ne konstatojmë me keqardhje se koalicioni i majtë rrezikon të shpartallohet nga armiku i brendshëm më shumë se sa nga armiku i jashtëm. Miliarderë dhe hajdutë, që kandidojnë, por që nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën, kërkojnë t’i vjedhin edhe votën popullit. Ata akoma nuk e kanë kuptuar se betejën nuk e kanë as kundër Marko Dajtit, as kundër Abdyl Pilafit, por kundër Sali Berishës. PPSHR-ja i bën thirrje forcave të tjera politike të opozitës të dalin përpara elektoratit me programe dhe alternativa konkrete dhe jo me gënjeshtra e mashtrime. Deri tani lista me të “punësuar” në selitë e partive  ka arritur në 2 milionë njerëz, nga të cilët 20 mijë janë drejtorë doganash, 30 mijë janë drejtorë nëpër ministri, ndërsa gjithë çobanët e Shqipërisë po presin të vishen policë e kapterë ushtrie në këmbim të një vote. Fushata me të tilla premtime dhe parulla të llojit “Asnjë votë aleatëve” nuk mund të sigurojë fitoren. Për të shporrur Sali Berishën duhet të jemi të gjithë bashkë, pa hile e pabesi!

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR

Marko Dajti

PSD, GJINUSHI: SYNOJMË 3 MANDATE NË KUVEND, E MAJTA FITORE TË THELLË

Partia Social Demokrate, e kryesuar nga Skënder Gjinushi, prezantoi  kandidatët  e kësaj force në qarqe. Në nisje të fjalës së tij, Gjinushi u shpreh se “Partia Social Demokrate e meriton votën si garante e së majtës”. Për Gjinushin, çdo votë për PSD është një për fitoren e përbashkët të së majtës.  Ai bëri me dije se kjo forcë politike synon të ketë 3 mandate në Kuvend, ndërsa u shpreh edhe për një fitore të thellë të së majtës.  “Synojmë të përfaqësohemi me mbi 3 mandate në Kuvend. Jemi për një fitore sa më të thellë të opozitës, nga 74 në 80 mandate. Berisha nuk e pranon humbjen po nuk e munde thellë”, tha Gjinushi  dhe shtoi më tej se qeverisja aktuale ka dështuar, prandaj sipas tij Berisha e ka të humbur betejën. “Vota për ne është votë dhe mandate që nuk shiten. Sa më e fortë të dalë PSD në këto zgjedhje aq më i fortë del koalicioni pas zgjedhjeve. Ne nuk kërkojmë votë për pazare politike por për ndarjen e përgjegjësisë në qeverisje. Saliu e ka të humbur betejën, populli do t’i japë duart më 23 qershor. 3 premtimet e mëdha të PD punësim, mirëqenie, integrim janë 3 dështimet që po mbyll në 8 vite”, shtoi ai.  “Ne jemi për rikthimin e moralit në politikë. Morali përcaktohet duke mos votuar për partinë dhe politikanët që bëjnë pazare me votat e popullit.  Kjo qeveri në ikje instaloi korrupsionin nga lart poshtë ne jemi për t’ja prerë kokën korrupsuionin”,- tha Gjinushi ndër të tjera.

TOPI: FRD E VETME NË ZGJEDHJE, POR ME MBËSHTETJE TË MADHE QYTETARE

Kreu i FRD-së, Bamir Topi gjatë një takimi me banorë të zonës së Xhamisë së Yrshekut në Tiranë theksoi se edhe pse FRD vendosi të hyjë e vetme në zgjedhje ajo gëzon një mbështetje të madhe qytetare. Lideri i FRD-së gjatë fjalës së tij ndër të tjera shprehu shqetësimin për performancën e Parlamentit. Duke sjellë në vëmendje legjislaturën e shkuar të organit ekzekutiv, Topi i bëri thirrje që më 23 qershor të mendojnë edhe emrat që do i përfaqësojnë. “Parlamenti shqiptar duhet të kishte performancën e një Parlamenti dinjitoz, nuk e ka ofruar, Parlamenti është zhvendosur nën thundrën e ekzekutivit. Ai është kthyer në një institucion ku deputet shkojnë vetëm për të marrë rrogën dhe nuk janë influence për zgjidhje te mëtejshme, meraku më i madh nuk është për Parlamentin që iku pasi në të shumtën e kohës ai ka funksionuar me gjysmën legjislative, por për të ardhmen”, theksoi Topi, i cili  denoncoi aktin e asaj që ai e cilësoi si ‘blerja e votës’, ndërsa akuzoi liderët e dy partive më të mëdha në vend për demagogji. “Ne nuk jemi për demagogji politike si kundërshtarët politik që thonë 250 apo 300 mijë vende pune. Një politikan që provohet një herë në katër vjet provohet për sinqeritetin dhe profilin e tij të ndershmërisë”,- tha Topi. “Ne kemi program të qartë për pronat, duke njohur mirë këtë çështje. Brenda 4 viteve nëse ka vullnet politik dhe ne e kemi vullnetin të bëjmë transparencën e pronave. Pa pronë nuk ka ekonomi tregu”, premtoi Topi.