Krimet e Rënda në ndjekje të Saimir Tahirit, kërkojnë informacion nga Greqia dhe Italia

151
Petraq Barjami 
Ish-ministri i Jashtëm Mustafaj: Shqipëria rrezikon negociatat, nëse Tahiri nuk është në burg 
Ditët e fundit u përhap një informacion, se mbi tavolinën e kryeprokurores Marku është një listë e kryeministrit Rama, i cili i kërkon kryeprokurores të arrestojë para datës 17 prill deputetin Tahiri, si edhe 6-7 zyrtarë të lartë, për ta pasur, paskëtaj, si kartë krediti për në BE, me qëllim, që të bindë BE-në se më në fund, qeveria po zbaton luftën kundër korrupsionit dhe inkriminimit edhe ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit. Mbushen plot gjashtë muaj mungesë në Kuvend, dhe Saimir Tahiri dje lajmëroi kthimin në seancat plenare për të shpëtuar mandatin e deputetit, zbulohen detaje të reja nga hetimi ndaj tij. Mirëpo, as dje nuk shkoi në Parlament. 
Prova të reja fajësie ndaj Tahirit
Prokuroria për Krime të Rënda, e cila po ushtron ndjekje penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm pas dyshimeve për lidhje me grupin kriminal Habilaj, ka bërë lëvizjen e radhës, me shpresën për të siguruar prova të reja fajësie për të. Për të dytën herë brenda pak javësh, përmes dy letër-porosive të reja, autoriteteve të Italisë dhe Greqisë iu është kërkuar sërish ndihmë për çështjen “Tahiri”. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për gazetën “Telegraf”, se në Itali është kërkuar informacion lidhur me disa fakte të reja të dala së fundmi gjatë hetimit të çështjes “Habilaj” nga Prokuroria e Catanias. Këto fakte – sipas grupit të hetimit – mund të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi rolin e Saimir Tahirit në grupin ku dyshohet të jetë përfshirë. Ndërsa në Greqi, janë kërkuar të dhëna për disa udhëtime të tjera të ish-ministrit të Brendshëm, të bëra gjatë periudhës që shtrihet hetimi. Vetëm pasi të mbërrijnë përgjigjet e këtyre letër-porosive dhe dy të tjerave të dërguara në muajin shkurt, gjashtë prokurorët e çështjes do të marrin vendim për fatin e deputetit të përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste. Gjykata e Lartë ende nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e rekursit të Prokurorisë, e cila kërkon që të dyshuarit t’i ndalohet e drejta për të dalë jashtë vendit.
Mustafaj: Qeveria e ka nën sqetull Tahirin
Ish-ministri i jashtëm Mustafaj, deklaroi dje, se mënyra dhe sjellja që ka qeveria kundrejt Saimir Tahirit, dhe si po e mbështet Rama Tahirin për të shmangur akuzat e tij, tregon që ai ka një pushtet okult. Ka rrezik që negociatat të mos hapen, vetëm se Saimir Tahiri nuk është në burg, prej kryeministrit. Problemi është se Tahiri, po i bëhet barrë Shqipërisë. Sjellja që ka qeveria për ta marrë nën sqetull Tahirin, po i bëhet barrë vendit.