Kreu i komunistëve, Xhafa:Hajdutët vihen në poste të larta

456
Sigal

Intervistë me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Muharrem Xhafa, për grabitjen në Bankën e Shqipërisë

Situata më e fundit, grabitja skandaloze e bankës së shtetit, e cila përbën pasurinë dhe djersën e kombit shqiptar, është bërë tashmë objekt i   mediave, shtypit, politikanëve, të cilët analizojnë dhe gjykojnë, se si ka mundësi që një shtet të rrënohet dhe të vidhet në mënyrë kaq makabre. Lidhur me këtë ngjarje, jep analizën e tij për gazetën “Telegraf”, një nga ish kuadrot e kohës së komunizmit, sekretari i parë i komitetit qëndror të PPSh-së, z. Muharrem Xhafa. Z.Xhafa tregon se çfarë do të ndodhtë, nëse një veprim i tillë do të ishte kryer në kohën kur ishte gjallë Enver Hoxha, funksionimi i organeve të shtetit etj,.

 Si e shikoni vjedhjen e Bankës së Shqipërisë?

Për mua vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar është vjedhja e vetë shtetit, dmth që dikush tjetër ka vjedhur shtetin! Për mua kjo do të thotë se ky shtet, dmth ky shtet, jo vetëm qeveria, kanë rënë dhe nuk ngjallen më! Shpëtimi i tij brenda kuadrit borgjez mund të vijë vetëm nga ndonjë kirurgji e thellë, e kryer nga shqiptar, që e duan me të vërtetë vendin e vet dhe nuk janë me të vërtetë të përziere në këtë vjedhje unikale në historinë botërore të bankave shtetërore!

A ngjason kjo me vjedhjen e Mbretit Ahmet Zogu?

Po, ngjason në një pike, vetëm sepse është vjedhje! Sepse vjedhja është vjedhje! Por jo për tjetër gjë! Sepse kjo vjedhje është më e rëndë, shumë herë më e rëndë se vjedhja e ish-mbretit hajdut, Ahmet Zogut! Zogu e grabiti thesarin e shtetit, e mori me vete, e grabiti “zyrtarisht” me njerëzit e tij banditë antipopullor e antishqiptar, por jo duke mbushur xhepat e këmishat për vite me radhë punonjësit e Bankës së Shtetit Shqiptar! Pra, s’ ishte kaq me “marifet” vjedhja e Zogut, sa është kjo vjedhja e Fullanit!

 Nëse diçka e tillë do të ndodhte në kohën e Enver Hoxhës, a mund të shëtisnin të lire dhe të kapardiseshin drejtuesit e Bankës?

– Ju mirë e bëni pyetjen, në mënyrë hipotetike, pra me nëse! Para së gjithash, nuk duhet çuar nëpërmënd një vjedhje e tillë! Po, nëse do të ndodhte, Drejtori i Bankës së Shtetit Shqiptar, i pari, e shoket e tij rrotull, do të ishin varur në sheshin “Skënderbej, por jo vetëm keta!

Si e shikoni heshtjen e organeve të shtetit?

– Si gazetar, keni të drejtë të më drejtoheni kështu, por dhe unë kam të drejtë të të them: Zoti gazetar, a keni parë ju deri më sot, përveçse zhurmës, fjalëve lumë, demagogjisë shtetërore e palopartiake, fshehjes kriminale të vjedhjeve të ngjashme me këtë të Bankës a të shitjes së interesave kombëtare, ndonjë reagim serioz, të thellë, të vërtetë, në mbrojtje të popullit, të pasurisë së tij, të interesave të kombit, të Atdheut? Them se as ti nuk ke parë gjë!

Po, përse nuk reagojnë organet e shtetit, Prokuroria, Gjykatat etj?

Ja, këtë kërkojnë të dinë populli, qytetarët, po deshe dhe ndërkombëtarët! Kjo ndodh, se në të gjitha rastet e mëdha të vjedhjeve, të korrupsionit, të krimit, të veprimit të mafies, të sabotimit të pasurisë e të interesave kombëtare, është vetë shteti, janë vetë organet shtetërore e drejtuesit më të lartë shtetëror, administrativ e partiak dhe soji i tyre, me të tjerë të përdorur si vegla krimi, ata që, për interesat e tyre të pista, i frymëzojnë, i organizojnë, i realizojnë dhe u dalin në mbrojtje atyre që bëjnë veprën e krimit. Për rastin konkret, të vjedhjes së Bankës së Shtetit, uroj që askush nga drejtuesit e lartë të shtetit e të partive politike, para kësaj qeverie dhe të kësaj qeverie, të mos jetë përzierë në vjedhjen, siç po e quajnë, të shekullit! Por, nga sa kam lexuar e dëgjuar dhe sa ma thotë mendja, në këtë vjedhje me shtrirje të gjatë në kohë e me përmasa gjigande, do të jenë të përzierë jo vetëm ata të Bankës e të Financës, por edhe persona drejtues më të lartë të piramidës së mëparshme të shtetit e ndoshta dhe të kësaj të sotmes!

Pse mungon akti qytetar i doreheqjes?

– Në vendin tonë ky akt qytetar i dorëheqjes është nonsens, është diçka false! Si do të japë dorëheqjen hajduti a kryehajduti? Atë prandaj e venë, e dërgojnë në krye të organeve më të rëndësishme të shtetit, të vendit, për t’ u shërbyer atyre që e venë në poste të larta. Ky është morali! Pastaj dorëheqje jep ai, i cilitdo rangu qoftë, që nuk është implikuar në vjedhje, ai që ndjen përgjegjësi para popullit e vendit të tij, të cilit i ka sjellë një dëm edhe pa dashur, duke marrë parasysh se, ndonëse i paimplikuar në vjedhje a skandale të tjera, mund të shkojë dhe në burg. Për të mos e zgjatur më tej: Në qoftë se për qeverinë e sotme nuk do të shërbejë kjo vjedhje e përmasave të vjedhjes së Ahmet Zogut, të piramidave, të Fazlliçeve e të tjera si këto, si shembulli i duhur për shkatërrimin e çdo qelize kanceroze të shtetit të kalbur shqiptar, jo vonë do të ndodhin trazira të egra. Populli vëeshtirë se do të durojë më gjatë!

Intervistoi: Gerjola Çaushi