KQZ-ja në ngërç, 4 vende vakante, partitë nuk çojnë kandidatë

524
Sigal

Petraq BARJAMI

Ambasadori i OSBE bën apel: Mazhoranca dhe Opozita të bashkëpunojnë për të votuar reformën zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prej 11 tetorit ka hyrë zyrtarisht në ngërç për shkak të vakancave të krijuara. Parlamenti duhet të kishte nisur procedurën për zëvendësimin e 4 anëtarëve, por ndërhyrjet politike ne formulën e kompozimit e vënë në vështirësi zgjedhjen, duke e lënë në dorë sërish të vullnetit politik. 8 muaj nga zgjedhjet vendore, KQZ-ja është në pamundësi funksionimi dhe në ngërç politik, për shkak të përfundimit të mandatit të 4 anëtarëve. Këtë shqetësim kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, ia ka shprehur zyrtarisht kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Zguri: “Duke qenë se në detyrë tashmë janë vetëm 3 anëtarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij”.

Partitë parlamentare shpërfillin riformatimin e KQZ-së

KQZ-ja e ka njoftuar Kuvendin që në 11 shtator për 4 vakancat në institucion, e në bazë të ligjit Komisioni i Ligjeve duhet të kishte nisur procedurën për zëvendësimin e anëtarëve. Por për shkak të ndërhyrjeve ekstraligjore të politikës në këtë institucion, formula e kompozimit të KQZ-së e miratuar me konsensus në vitin 2012 ka dështuar dhe kjo mund të zgjidhet sërish vetëm me konsensus politik. Në 15 tetor kryeparlamentari Gramoz Ruçi, u ka bërë thirrje grupeve parlamentare të dërgojnë propozimet për kandidatë. E njëjta thirrje u përsërit edhe në seancën parlamentare të së enjtes: Gramoz Ruçi: U bëj thirrje publike kryetarëve të grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e katër vendeve vakante në KQZ-së.

Cilët janë grupet parlamentare që duhet të propozojnë kandidat?

Çështja është e komplikuar e kjo nuk sqarohet dhe në thirrjen e kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi. Në qoftë se respektohet kodi zgjedhor fjalë për fjalë, PD-ja në KQZ rrezikon të mbetet vetëm me një anëtar, plus kryetarin Klement Zguri, ndërsa PS-ja merr shumicën e anëtarëve.

Ambasadori i OSBE: Opozita të kthehet në Kuvend të votojë reformën zgjedhore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, nxit të gjitha partitë politike të intensifikojnë diskutimet dhe të gjejnë një kompromis për reformën zgjedhore. Ambasadori thotë se PD duhet patjetër të kthehet në Kuvend për të votuar reformën zgjedhore. Bernd Borchardt:” “U kam bërë thirrje të gjitha forcave politike të gjejnë një kompromis për reformën zgjedhore. Lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, Borchardt tha se, nëse partitë bien dakord për këtë, vendimi duhet marrë shpejt, për shkak se proceset e blerjes dhe instalimit të pajisjeve, trajnimit të administratës dhe edukimit të zgjedhësve kërkojnë kohë.

Por cilat janë sfidat kryesore që janë propozuar për draftin e ri?

Ekziston një listë e gjatë prej rreth 30 rekomandimesh, të cilat fillojnë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, vazhdojnë me çështjen e famshme, ose, më mirë, të famshme për keq, të kronikave që përgatiten nga partitë dhe transmetohen sikur të ishin produkt i gazetarëve, si dhe disa rekomandime teknike. Mes tyre është edhe rekomandimi për ta hequr shpifjen nga Kodi Penal dhe për ta trajtuar vetëm me mjetet e parashikuara në Kodin Civil, të cilat ekzistojnë në Shqipëri. Ka edhe shumë rekomandime të tjera. Por ambasadori i OSBE-së hesht për domosdoshmërinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, pasi, siç duket, bie në ujdi me PS dhe PD, të cilat kanë paraprakisht dakordësi midis tyre.