KQZ: Dorëzoni paratë, ndryshe do t’ju çojmë në gjyq!

438
Sigal

67 parti duhet të dorëzojnë në KQZ nga 612 mijë lekë të vjetra. Morëm më pak vota se 0.5 për qind

Janë 67 parti politike që kanë për të shlyer në thesarin e shtetit shqiptar, me nga 612 mijë lekë të vjetra, në adresë të KQZ-së. Ky borxh ka mbetur që pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, të këtij viti, kur këto parti politike kanë tërhequr nga arka e Komisionit Qendror, këtë shumë parash, si fond për fushatën elektorale të tyre. Në bazë të Kodit Zgjedhor, ato parti politike që në zgjedhjet e përgjithshëm nuk arrijnë  të marrin 0.5 për qind të votave të përgjithshme duhet të kthejnë paratë në thesarin e shtetit, ose ndryshe çështja do t’i kalojë organeve përkatëse, gjyqit, apo përmbarimit. Tani që gjërat janë qetësuar, sipas statistikave këto parti politike kanë mbetur debitorë për shumën e mësipërme të cilën e kanë përdorur për afishet e fushatës, ose konferencat, apo mitingjet. Por ajo që është e çuditshme dhe e vërtetë ka të bëjë me faktin se asnjë prej këtyre 67 partive nuk ka shkuar të likuidojë shumën e parave të mësipërme, duke nxjerrë lloj – lloj justifikimesh. Nga ky moskthim, i këtyre fondeve kanë dalë një sërë problemesh të mëdha që kanë të bëjnë me politikbërjen në vendin tonë.

Problemet

Problemi i parë është numri i madh i partive, të cilat nuk mbulojnë ndonjë pjesë të rëndësishme të elektoratit shqiptar. Pra, 67 prej këtyre partive nuk kanë arritur të marrin as nga 0.5 për qind të votave të përgjithshme, ndërkohë që disa prej tyre kanë marrë vetëm votat familjare. Dhe sipas këtij arsyetimi, i bie që fondet e parave prej 612 mijë lekësh, ata i kanë shpenzuar për bukën e gojës. Këtë e tregon vetë fakti se, kryetarët e këtyre partive ende edhe sot e kësaj dite nuk i kanë likuiduar këto fonde që për forcat politike reale konsiderohen si mikroskopike. Nga ana tjetër pikëpyetja që ngrihet mbi politikën e sotme ka të bëjë me faktin se çfarë mund të pritet nga fushata e një partie kur ata bëjnë fushatë vetëm me 612 mijë lekë të vjetra. Dhe çfarë kërkojnë këto parti politike në një luftë të ashpër, kur gjendja ekonomike e tyre lë shumë për të dëshiruar. Në këto momente, shumë prej këtyre kryetarëve janë gati të nisen refugjatë për të mosshlyer shumën e kërkuar nga KQZ-ja, të cilën e kanë konsumuar 3-4 muaj më parë. Por arratisja e tyre jashtë shtetit, nuk do t’i shpëtonte dot gjithsesi nga detyrimi që  duhet t’i shlyejnë thesarit të shtetit. Problemi tjetër që del nga kjo panoramë ka të bëjë me faktin se sot kryetarë partie bëhen disa të papunë, që kërkojnë me çdo kusht të përfitojnë ndonjë rrogë,

Koalicionet

Partitë e vogla kapen pas koalicioneve me partitë e mëdha, për të përfituar ndonjë “kockë”, ndërsa partitë e mëdha kërkojnë të përfitojnë çdo votë, prandaj marrin pas vetes edhe disa parti të vogla, gjoja si aleatë. Pastaj kur mbyllet procesi zgjedhor të vegjlit nuk përfitojnë asgjë, sepse kontributi i votave të tyre është shumë i vogël. Shtyrja e borxhit të tyre për këtë moment, nuk i shpëton dot, sepse disa parti ende nuk kanë shlyer as borxhin e zgjedhjeve lokale të dy viteve të mëparshëm. Por zgjidhja e vetme duket sikur është vetëm shkrirja e tyre, nëpër parti më të mëdha, ose ikja refugjatë e kryetarëve, për të shpëtuar nga detyrimi i pagesës.