Kontrolle për cilësinë e naftës Rama: Zero tolerancë abuzuesve

44
Pas aksionit të energjisë elektrike dhe për ndërtimet pa leje, qeveria ka nisur një tjetër aksion të paralajmëruar dhe më herët, atë për cilësinë e naftës. Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat tha se tani ka ardhur momenti për të kthyer sektorin e naftes në binaret shtetit. Rama njoftoi për se do të nis operacioni kundër mashtrimit te konsumatoreve për cilësinë e naftës. 
“Do të kryhet një kontroll rigoroz i cilësisë së naftës, që të jetë pikë për pikë ajo që shkruhet në letër. Kontrolli do të përfshijë si shitjen me shumicë, ashtu dhe atë me pakicë dhe toleranca ndaj atyre që shesin naftë me cilësi të ulët do të jetë zero. Operacionet tona nuk do të ndalen, sepse beteja me grabitësit e pasurisë kombëtare nuk do të ndalet”, ka thënë Rama.
Shefi i qeverisë tha se ky operacion do jetë me të njejtën metodologji si operacioni i energjisë elektrike dhe ai i ndalimit të uzurpimit dhe ndërtimeve të paligjshme.
“Bazohet në eksperiencën e 18 muajve, në një projekt të qartë dhe nuk do ndalet njësoj siç nuk janë ndalur operacionet e tjera. Mashtruesit që iu shesin qytetarëve naftë të një cilësie të papranueshme duke iu dëmtuar investimet në automjete nuk do kenë tolerancë, është betejë jetike, edhe për cilësinë e mjedisit”, theksoi kryeministri Rama.. 
Sipas tij është përcaktuar edhe mënyra sesi do të jetë në kohë reale informacioni, si do të bëhet raportimi në kohë reale dhe si në instancë të fundit, pikat e kontaktit që koordinojnë këtë operacion në çdo institucion, do të jenë nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjisë.
Kryeministri Rama u shpreh se e sheh shumë të rëndësishme që e gjithë industria ta marrë këtë mesazh qartë, prerë dhe pa ekuivok. “E gjithë industria ta kuptojë që e mbështesim këdo që bën sipërmarrje të drejtë dhe të bazur mbi ligj, por ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin. Historitë që u kanë ndodhur deri sot qytetarëve me shaktërrimin e automjeteve, por dhe qytetarëve në zonat, ku kjo industri ka bërë dëme të konsiderueshme duhet të marrë fund. Do t’i japim secilit hakën që i takon”, theksoi Rama.