Kongresi i Socialistëve/ Jo zgjedhje të parakohshme. Lista e kandidatëve për kryebashkiakë. Të pakonfirmuar Vlora, Durrësi e Shkodra

571
Sigal

Deklarata e Kongresit: Jo zgjedhje të parakohshme! Ngërçi është  artificial

Pas sesionit të parë të Kongresit të PS-së është miratuar një deklaratë në mënyrë unanime, e cila në thelb i jep përgjigje opozitës mbi kërkesat e saj për ndryshimin e qeverisë dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, duke dënuar dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
Në tekst theksohet se “të vetëdijshëm se opozita në papërgjegjshmëri të plotë politike, ka krijuar një ngërç artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të përfaqësojmë pa asnjë dallim, masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, një vend evropian, me shumë oportunitete për gjeneratat që do të vijnë”.
Partia Socialiste nuk mund të jetë indiferente ndaj veprimeve të dhunshme dhe antidemokratike të partive opozitare dhe as nuk mund t’i nënshtrohet shantazheve publike jashtë kornizës kushtetuese. Djegia e mandateve nga një grup i deputetëve opozitarë është një akt i pashembullt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, por edhe braktisje e përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve. Braktisja e Kuvendit dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri është një goditje ndaj interesave afatgjatë të Shqipërisë, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratën e miratuar.
Partia Socialiste gjithashtu me anë të kësaj deklarate i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të vijojnë të mbeten të angazhuar e përkushtuar në garantimin dhe ruajtjen e rendit demokratik dhe avancimin e agjendës evropiane të Shqipërisë. “Partia Socialiste është legjitimuar si forcë qeverisëse përmes votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017. Vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës, legjitimiteti i qeverisë dhe afatet kushtetuese elektorale, nuk mund të deformohen me instrumente antikushtetues dhe akte antidemokratike të pakicës jashtë parlamentit. Dialogu parlamentar, politik e shoqëror mbetet e vetmja zgjidhje dhe duhet të jetë i vetmi instrument i promovuar nga të gjithë forcat politike, në favor të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Ky Kongres vendos piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021”, thuhet më tej në deklaratën e miratuar në Kongres.

 Partia Socialiste  zyrtarizon një pjesë të  kandidatëve. Në pikëpyetje qytetet kryesore

Gjatë punimeve të Kongresit të Socialistëve u bënë publike edhe një pjesë e kandidatëve për kryetar bashkie në disa njësi vendore ku më të spikaturit por edhe të certifikuar  zyrtarisht  nga strukturat e partisë janë: Sotiraq Filo në Korçë, Erion Veliaj në Tiranë, Armando Subashi në Fier, Pjerin Ndreu në Lezhë, Gledian Llatja në Elbasan dhe Majlinda Bufi në Roskovec. Ndërkohë që janë të pa zyrtarizuar kryebashkiakët e Shkodrës, Durrësit  dhe Vlorës. Vlen për t’u përmendur fakti që kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, edhe pse gjatë kongresit të socialistëve foli në Pallatin e Kongreseve  ende nuk është i konfirmuar  si kandidat dhe kjo për faktin, se kreu i socialistëve dhe njëkohësisht deputeti i zonës së Vlorës, Edi Rama ka marrë shumë vlerësime  jo pozitive për punën e z. Leli. Elektorati i majtë dhe tradicional i Vlorës të ndëshkon pa u kuptuar dhe këtë më mirë se kushdo e di vetë kryeministri Rama, i cili po teston se cila mund të jetë kandidatura gjithëpërfshirëse e së majtës, pasi  kryebashkiaku i ardhshëm i Vlorës do të ketë edhe koston për zgjedhjet e ardhshme të  përgjithshme. Problemet e hasura, pakënaqësitë  e marrëdhënieve me qytetarët, klientelizmi dhe shumë incidente si brenda zyrave të kryebashkiakut Leli, por edhe jashtë saj e vënë në dyshim dhe shtojnë ndjeshëm pakënaqësitë ndaj kësaj kandidature. Gjithsesi ai që do vendos, do të jetë vetë z.Rama dhe shtabi i tij elektoral për qytetin bregdetar  ku figura e kryebashkiakut aktual duket disi e vështirë qoftë edhe formalisht të bashkojë të majtën, duke ia bërë më të lehtë sulmin opozitës lokale me  kandidaturën e Dr. Leli.

Shkeli vendimin e Gjykatës,  kryebashkiakja e Roskovecit nën hetim

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi është vënë nën hetim, pasi ka urdhëruar shembjen e një objekti, ndërkohë që ekzistonte një vendim gjykate që e ndalon një veprim të tillë. Gjykata e Shkallës së parë administrative në Vlorë dha dje në orën 09:30 vendimin për “Pezullimin e prishjes së aktit administrativ për njoftimin e prishjes së ndërtimit”. Një vendim i tillë e detyron bashkinë e Roskovecit që të mos ndërmarrë hapa të tjerë për prishjen e ndërtimit që është në pronësi të kundërshtarit politik të kryebashkiakes, Jorgo Bega. Por pavarësisht vendimit të Gjykatës, Majlinda Bufi ka urdhëruar IKMT-në e Roskovecit të prishë objektin e Begës, duke e zvarritur dhe duke mos e protokolluar vendimin gjyqësor që ishte marrë në të njëjtën datë (23 mars) nga gjyqtari Astrit Shema. Sapo kryebashkiakja ka marrë vendimin e gjykatës, ka urdhëruar kryeinspektorin e IKMT-së dhe 2 nënkryetarët e bashkisë që ky objekt të prishej brenda 1 ore me urgjencë.

‘Bomba’ brenda Rilindjes/ Ja pse u zu Rama me Blerina Gjylametin …

Dështimi i mitingut të djeshëm të organizuar në Tiranë nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, ka bërë që gjendja brenda Partisë Socialiste të jetë e rëndë. Pas fjalës së mbylljes, Edi Rama ka pasur një përplasje të ashpër me deputeten dhe kryetaren e PS-së së Tiranës, Blerina Gjylametin. Fakti që në anti-mitingun e Ramës kishte shumë pak socialistë të Tiranës ka bërë që të plasë një debat i ashpër brenda kupolës së PS-së. Burimet kanë bërë të ditur se dështimi nuk ka qenë shkaku i vetëm i debatit. Fakti që Erion Veliaj nuk ka futur asnjë njeri të Blerina Gjylametit në listën e 100 kandidatëve për këshilltarë bashkiakë në Tiranë, ka shkaktuar një tjetër debat të ashpër. Pas këtyre, Rama i është kthyer me kritika Gjylametit, duke e akuzuar për dështimin. Kryetarja e PS-së së Tiranës flitet se ka pranuar dorëheqjen nga posti, gjë që pritet ta zyrtarizojë brenda këtyre ditëve.