Klevi Pojana: Rama dhe qeveria e tij po rrezikojnë Integrimin në BE

71

”LSI që në themelimin e saj synim kryesor ka pasur mbështetjen ndaj të rinjve. Të rinjtë duan punësim, duan arsim cilësor, duan siguri dhe shpresë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ia siguron qeveria aktuale”. Kështu shprehet nënkryetari i LRI, Klevi Pojani në një intervistë për “Koha Jonë”. Pojana thotë se Integrimi në BE rrezikohet vetëm për një arsye, nga drejtimi i gabuar i Edi Ramës dhe qeveria e tij. Nga ana tjetër, ai pohon se të rinjtë duhet të besojnë në Zot, duhet të besojnë te vetja e tyre, te forca e tyre se vetëm në këtë mënyrë mund të gjejnë çelësin për zgjidhjen e krizës. ”Dera e parë që duhet hapur për zgjidhjen e krizës është e njëjta derë që i duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë qeverisë Rama”,-thotë Pojani.

Të shtunën është protesta e madhe e opozitës, e cila është paralajmëruar si masive. Çfarë do të ketë ndryshe kjo protestë nga protestat e tjera?

Si çdo protestë e qytetarëve të lirë edhe kjo protestë ka një qëllim të vetëm. Largimin e kësaj klike kriminale që drejton vendin me në krye Edi Ramën. Shqiptarët me pjesëmarrjen masive në të gjitha protestat e zhvilluara kanë treguar se janë te vendosur dhe nuk ka më kthim prapa deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët. Përsa i përket çfarë do të ketë ndryshe kjo protestë është shumë e thjeshtë dhe e qartë. Në çdo protestë qytetarët kanë treguar një rritje të vendosmërisë dhe vullnetit pavarësisht lëvizjeve kriminale të qeverisë për ti ndaluar. Bindje të plotë se edhe në këtë protestë bashkimi do të jetë akoma më i madh, më i fuqishëm për ti dhënë goditjen përfundimtare qeverisë së krimit dhe të vrasjes së shpresës.

Data e zgjedhjeve lokale po afrohet por pozicionet e palëve politike po mbeten të pandryshuara. Qeveria “Rama 2” duket e pa shqetësuar nga kriza që ka përfshirë vendin. Cili është mesazhi që u jepni të rinjve për datën 30 qershor?

Opozita shqiptare, veçanërisht LSI-së ka qenë shumë e qartë në mesazhin e saj, zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër nuk do të ketë. Përsa i përket mesazhit për të rinjtë dua të theksoj se rinia e vendit është forca më e madhe dhe burimi i shpresës për ndryshim. Sot rinia shqiptare është një nga kategoritë që po e vuan më shumë këtë qeverisje duke u detyruar të largohet nga vendi.

Mesazhi im për të gjithë të rinjtë anëembanë vendit është mos të dorëzohen duke kërkuar për rrugën më të lehtë. Në të vërtetë rruga e largimit në dukje më e lehta është fillimi i një kalvari të gjatë vështirësish pasi vendi i huaj nuk bëhet dot kurrë vendi yt. Sigurisht që situata sot në Shqipëri është tejet e vështirë por jo pa zgjidhje. Të rinjtë duhet të besojnë në Zot, duhet të besojnë te vetja e tyre, te forca e tyre se vetëm në këtë mënyrë mund të gjejnë çelësin për zgjidhjen e krizës.

Dera e parë që duhet hapur për zgjidhjen e krizës është e njëjta derë që i duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë qeverisë Rama. Zgjedhje pa Ramën, zgjedhje të parakohshme, vota e lirë dhe e ndershme, ky është hapi i parë për një të nesërme më të mirë për rininë shqiptare dhe gjithë Shqipërinë.

Një nga kritikat e qeverisë për opozitën është se me protestat dhe djegien e mandatit po pengojnë integrimin në BE. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Integrimi në BE rrezikohet vetëm për një arsye. Nga drejtimi i gabuar që Edi Rama dhe qeveria e tij i ka dhënë vendit. Para pak javësh Parlamenti Holandez votoi për rikthimin e vizave për shqiptarët. Arsyet nuk ishin djegia e mandateve dhe protestat e opozitës por krimi i organizuar, droga dhe trafiqet të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e vendeve që pritet të japin PO ose JO për Shqipërinë. Fenomenet e përmendura i faturohen vetëm kësaj qeverie e cila jo vetëm që nuk hedh asnjë hap për ti ndaluar por përkundrazi është bashkëpunëtore në kanabizmin e vendit, mbrojtjen e krimit dhe trafikantëve.

Djegia e mandateve të opozitës ishte një veprim i cili erdhi si pasojë e kërkesës dhe vullnetit të popullit si rruga e vetme duke mos u bërë palë me të keqen. Protestat qytetare dhe demokratike nuk mund të jenë kurrë shkak për mos hapjen e negociatave dhe integrimin në BE.

Ka vetëm një aspekt të këtyre protestave të cilat mund të jenë shkak për këtë dhe është pikërisht reagimi që bën qeveria ndaj qytetarëve protestues që është dhuna, helmimi dhe burgosja e tyre vetëm se protestojnë për të drejtat e tyre. Kjo qeveri e cila nuk do popullin e saj çfarë garancie mund të japë për të bindur vendet e tjera?

Duke parë që LSI-ja është parti e të rinjve, çfarë programesh keni ju për grup në mënyrë që këta të fundit ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre?

LSI që në themelimin e saj synim kryesor ka pasur mbështetjen ndaj të rinjve. Të rinjtë duan punësim, duan arsim cilësor, duan siguri dhe shpresë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ia siguron qeveria aktuale. LSI beson se rinia është aseti më i vyer i kombit dhe punësimi i tyre duhet të jetë prioritet kryesor i çdo qeverie. Të rinjtë duhet të kenë siguri se pas përfundimit të studimeve do të kenë mundësi të pozicionohen në vende pune të mirëpaguara në profesionin e tyre dhe jo duke kaluar nëpër vështirësi pafund dhe në fund duke mos arritur asgjë.

Në Konventën Kombëtare të LSI një nga pikat kryesore ishte çështja e arsimit. Çfarë do të bëj LSI-ja ndryshe nga qeveria aktuale për reformën në Arsim?

Çështja e Arsimit ka qenë gjithmonë prioritet për LSI. Pa arsim nuk ka të ardhme dhe pa një arsim cilësor nuk ka siguri se e ardhmja do të jetë e mirë dhe për brezat që do të vijnë. Pasojat e një arsimi jo cilësor nuk shfaqen as sot as nesër por pas shume viteve duke penalizuar çdo brez si efekt domino.

Në çdo rast LSI ka ngritur zërin për të identifikuar problematikat dhe duke propozuar zgjidhje. Që nga Matura Shtetërore e deri te rasti më i fundit për protestën e studetëve ku LSI propozoi dy amendamente te cilat do ti jepnin zgjidhje kërkesave të studentëve por që kjo qeveri nuk denjoi as ti shqyrtonte.

Hap kryesor dhe i nevojshëm sigurisht që është dyfishimi i buxhetit në arsim sepse pa pasur burimet financiare të nevojshme nuk mund të plotësohen mangësitë që ka sot arsimi në Shqipëri. Në rezolutën e prezantuar në konventën kombëtare ishin shumë të qartë hapat që do të ndjek LSI duke theksuar se arsimi është një nga pikat kyce dhe më emergjente që ka nevojë për ndryshim.