Sigal

Intervista e deputetes së LSI-së, për ‘Fax News’

Është bërë një raport i fundit i EUROSTAT, që e nxjerr Shqipërinë ndër vendet e para në rajon në humbjen e njerëzve. Kjo, ka sjellë dhe një reagim tuajin, ku ju keni thënë se ky fenomen vë në rrezik hapjen e negociatave, por mund të kërcënojë dhe lëvizjen e lirë. Si mund të ndodhë kjo?

Unë e kam lidhur pikërisht këtë fenomen me procesin e integrimit, dhe jo fare rastësisht sepse unë kam qenë dhe në studion tuaj, kur është bërë publik raporti për Shqipërinë, por dhe vendimi i këshillit të këtij viti pikërisht në qershor, ku shkruhej në mënyrë eksplicite, se këshilli i kërkon komisionit evropian një raport të posaçëm për vitin që vjen, mbi numrin e azilkërkuesve shqiptarë, apo atyre njerëzve që kërkojnë jo vetëm azil, por edhe largimet e ndryshme të trurit, të gjithë njerëzve dhe qytetarëve shqiptarë që bëhet pikërisht nga ky vend, që largohen për një jetë më të mirë drejt vendeve evropiane. Duke qenë se ata kërkojnë një raport të posaçëm dhe kjo ka ndodhur për herë të parë, do të thotë që i vihet një pikëpyetje shumë e madhe procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave, që do jetë një vendim që do merret vitin që vjen, pra nëse Shqipëria do ta bëjë këtë hap apo jo, dhe mbi të gjitha do shikohet mekanizmi i lëvizjes së lirë. Dhe unë besoj që këtu ja vlen të ndalesh, për të kuptuar pse ikin njerëzit, bashkëpunimi që duhet të kenë institucionet tona me institucionet ndërkombëtare, pra për të ndalur këtë largim masiv të shqiptarëve, sepse po të lexosh edhe raportin e EUROSTAT është një absurditet shumë i madh. Shqipëria renditet mes vendeve që ose janë në luftë, që nuk kanë paqe brenda tyre dhe mes vendeve të tyre, ose janë vende që nuk janë fare në hartën e Evropës, dhe kuptohet që vijnë nga kontinentet e tjera, që kërkojnë një jetë më të mirë brenda asaj që quhet BE apo pjesës gjeografike të madhe që është vetë Evropa. Ndërsa, Shqipëria është një vend që është mes Evropës, drejt një procesi tanimë të konsoliduar të ecjes së hapave drejt procesit të integrimit për tu bërë një vend anëtar, atëherë ku duhet ndalemi ne dhe ku duhet gjetur problematika e këtij fenomeni kaq të madh. Dhe besoj që duhet bërë një analizë shumë e madhe e vuajtjes ekonomike që kanë njerëzit, e stadit ekonomik në të cilën ndodhet vendi. Pamundësia për të gjetur një vend pune për të mbajtur familjen, pamundësia për t’u shkolluar mirë dhe më pas për të siguruar një të ardhme dhe janë një sërë e një sërë fenomenesh, të cilat lidhen me njëra-tjetrën, shkojnë zinxhir dhe në fund fare detyrohen shqiptarët që të largohen nga vendi dhe shpresën ta gjejnë diku tjetër.

Ka pasur dy raste kur qytetarët shqiptarë kanë kërkuar azil jashtë, janë rikthyer në Shqipëri me garanci të policisë shqiptare, por më pas janë vrarë. Kush e mban përgjegjësinë për këtë?

Patjetër që shteti dhe institucionet shtetërore. Pra, i gjithë ky është një zinxhir veprimi dhe duhet të funksionojë. Është shteti ai që merr përsipër këta individë dhe në rikthimin e tyre, për të analizuar shkaqet që kanë bërë ata për të lënë Shqipërinë, rehabilitimin e tyre dhe gjithçka tjetër. Shteti është ekzekutivi, që është përgjegjësi i të gjitha çështjeve madhore që ndodhin në vend.

A janë këto raste, provat ku mbështeten dhe raportet ndërkombëtare dhe që e tregojnë Shqipërinë si një vend të pasigurt?

Unë mendoj që është më shumë se kaq, nuk mendoj se është vetëm çështja e azilkërkuesve dhe njerëzve që kthehen, janë çështjet e krimit të organizuar, që besoj që sot është një nga pikat më të nxehta të diskutimit në vend dhe opozita e ka kthyer ne kauzë të saj, shkëputjes së lidhjes së politikës me krimin, i cili sot ka depërtuar në shumë sfera të jetës dhe në ekonomi. Një nga iniciativat tona të fundit kishte të bënte edhe më ketë çështje, por mbi të gjitha raportet ndërkombëtare bazohen shumë qartë dhe tek ato institucionet e tyre, ku mund të marrin një informacion shumë herë më të sigurt sesa ajo që mund t`i shkojë nga pala shqiptare. Unë e them shpeshherë që krimi i organizuar shqiptar nuk është se ka prekur dhe cenuar vetëm sigurinë tonë kombëtare, në shumë raste është prekur dhe cenuar siguria evropiane. Këtu fillon dhe reagimi i palës tjetër për këtë çështje madhore.

Si e vlerësoni ju paketën e re të qeverisë për bonuset apo shpërblimet e lindjes dhe sa do ta nxisë kjo masë shtimin e numrit të lindjeve në vend?

Këto janë iniciativa që gjithmonë duhen vlerësuar. Është një iniciativë, të cilën qeveria duhet ta kishte marrë edhe më parë. Pyetja ime në momentin kur e dëgjova këtë masë, le të themi për të gjitha nënat, ishte pikërisht tek ai bonus që është miratuar disa vite më parë që ishte 5 mijë lekë të reja. Unë mund t’ju sjell juve një listë shumë të madhe emrash të grave dhe të nënave, të cilat kanë lindur ndër vite dhe ende nuk e kanë marrë shpërblimin në fjalë. Pra, nëse nuk kanë marrë 5 mijë lekë të reja, më thoni dot ju mua se cili do të jetë mekanizmi që do të përdoret dhe a janë bërë llogaritë mirë me buxhetin e shtetit, që tashmë këto nëna do të marrin 40 mijë lekë të reja, 80 mijë lekë të reja apo më shumë.

Dyshoni te zbatimi i kësaj pakete?

Patjetër që po, sepse në Shqipëri nuk mungojnë iniciativat. Nuk mungojnë as ligjet, janë të shkruara shumë bukur, nuk mungojnë as strategjitë. Këtu mungon zbatimi i asaj propagande të madhe politike, që ne shohim nga mëngjesi deri në darkë në televizionet tona. Nëse kjo zbatohet, patjetër që është për t’u duartrokitur, madje duhet vazhduar edhe më tej. Sepse mendoj që lindjen e një fëmije nuk mund ta barazosh dot asnjëherë me një pagesë, është shumë herë më shumë se aq. Dhe përveç bonusit, atij fëmije duhet t’i sigurohet jeta në këtë vend.

A mendoni se janë faktorët ekonomikë ato që ndikojnë së tepërmi në plakjen e popullsisë, por edhe largimin e qytetarëve nga vendi? Si mund të zgjidhet një gjë e tillë?

Unë gjithmonë theksin e vë tek ekonomia. Nëse një familje nuk e shikon të ardhmen e saj në këtë vend, nëse nuk arrin dot të gjejë një vend pune për secilin nga pjesëtarët e saj, e ka shuamë të vështirë të ketë më shumë sesa një fëmijë. Sepse nuk është vetëm te çështja e numrit të fëmijëve, por është te sigurimi i jetës së tyre, tek arsimimi i tyre në mënyrë të barabartë. Sepse është e vështirë për dy prindër që do shkollojnë fëmijën e parë, por të dytin do ta lënë pa shkolluar, pasi kanë mungesa financiare dhe e ardhmja nuk është e sigurt. Ndaj edhe gjithmonë theksi vihet tek ekonomia dhe mua më vjen keq, sepse në këtë vend ne shpeshherë fokusohemi te gjërat që dalin përtej kësaj teme. Ndërkohë që gjithë thelbi dhe strategjia që duhet të ketë qeveria duhet të ishte tek ato sektorë që mund të prodhojnë, që mund të japin më shumë vende pune, që mund të sjellin një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe janë shumë sektorët sot të lënë pas dore, bujqësia, turizmi që janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Janë investimet e huaja, të cilat sot mungojnë në vendin tonë, sepse mungon besimi në partneritetin që duhet të ketë një i huaj që vjen me shtetin shqiptar. Dhe këtu duhet vënë theksi për të zhvilluar më tej vendin.

PD ka propozuar një platformë, e cila në bazë të saj ka edhe konfiskimin e pasurive të kompanive që operojnë në vend që janë krijuar në shkelje me ligjin. Këtu përfshihen edhe të ardhurat nga koncesionet apo PPP-të. A është ky një lajm i mirë për biznesin?

Kjo është një iniciativë që ka ardhur nga fronti i bashkuar opozitar. Kanë qenë iniciativa që janë diskutuar në disa grupe pune ku pjesëmarrës tepër aktivë kanë qenë edhe shumë anëtarë të LSI-së si dhe disa nga deputetët tanë. Ne e kemi mbështetur këtë iniciativë, sepse vendi ka nevojë të çlirohet e para nga një fenomen i jashtëzakonshëm, që ndodh sot edhe është bërë pjesë e ekonomisë, që është pastrimi i parave të pista. Dhe kur flasim për këtë çështje, kemi parasysh ato biznese apo individë që në paratë e tyre të fituara jashtë apo brenda vendit shpeshherë i investojnë ato në ekonomi. Dhe një nga problematikat më të mëdha që ka lindur sot edhe me çështjen e Teatrit Kombëtar është edhe kjo. Është kthyer në një çështje kombëtare diskutimi si vjedhje e pronës publike, pastrimi i parave të pista nëpërmjet investimit që do të bëhet aty, shkelje me të dyja këmbët e Kushtetutës dhe e ligjeve të vendit për të mos shkuar më tej të shkeljes madhore që iu bë Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ndalonte konkurrencën dhe garën e lirë dhe ligji përmbante edhe një emër të vetëm. Ajo çfarë ka për bazë iniciativa është që, nëse për buxhetin e shtetit ka pasur abuzime nga më të ndryshmet, patjetër që duhet të ketë një analizë të thellë të të gjitha kontratave të koncesionarëve apo të PPP-ve. Nuk është e thënë që të gjitha duhet të jenë të tilla, por nëse në procedurë ato kanë çeduar diku, atëherë besoj që përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë. Megjithatë unë jam e mendimit që, pavarësisht përmendjes së shumë emrave të biznesmenëve në këtë vend apo oligarkëve sikurse i cilëson opozita, është sistemi ai që duhet të ndryshojë dhe individët që ushqejnë këtë sistem që është kupola qeveritare, e cila duhet goditur për këtë çështje, më shumë sesa biznesi.

A do të ndikojë kjo platformë dhe për investitorët e huaj?

Unë besoj që po sepse nëse dhe atyre u lejohet të jenë pjesë e garës së lirë për të marrë pjesë në tenderë dhe në investime të ndryshme që bëhen në Shqipëri besoj që do të shtojë shumë herë më shumë besimin se ç’është sot.

Znj.Gjosha doja t’u pyesja për rastin e Xhisela Malokut, është vajza e cila është publikuar dhe ka dalë dhe në intervistë në media, dhunohet rregullisht dhe nuk gjen mbrojtjen nga shteti. A është ky një rast i bashkëpunimit të policisë dhe krimit nga ana tjetër.

Është e vështirë të mbash një qëndrim në këto momente, sado që gjithkush nga ne mund të dojë ta përdorë politikisht ngjarjen. Është e vështirë, pasi ne nuk i dimë rrethanat dhe gjithçka që ka ndodhur realisht me këtë çështje. Nëse është e vërtetë është një nga ato gjërat e jashtëzakonshme që të bën të ndjesh jashtëzakonisht keqardhje, sepse imagjinoni një vajzë të re, e cila mund të vihet përballë këtij presioni kaq të jashtëzakonshëm siç, është presioni i medias, por dhe ai politik dhe shtetëror. Dhe besoj që duhet të luhen të gjitha mekanizmat që kjo vajzë të merret në mbrojtje. Dhe që të dalë e vërteta sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë uroj që të mos jetë një nga ato rastet që bëhet zhurma e madhe mediatike dhe politike dhe më pas shuhet dhe lihet në një cep sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Asnjë nënë nuk do të uronte për vajzën e saj të kishte një problematikë të tillë dhe të ndodhej nën një presion të tillë.

Dua t’i referohem një postimi të fundit në Twitter të drejtorit të Përgjithshëm për fqinjësi dhe negociatat e zgjerimit, Kristian Danielson, i cili ka pasur sot një takim me delegacionin shqiptar dhe atë maqedonas dhe ka thënë se do të nisin tashmë negociatat dhe procesi screening. Nga Shqipëria ka pasur një përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë. Si funksionon, do të fillojë pikërisht me drejtësinë ky proces?

Gjithmonë është thënë që procesi do të fillojë me kapitujt 23-24, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore të njeriut. Ku patjetër Ministria e Drejtësisë është një nga koordinatoret më kryesore të këtyre dy kapitujve. Gjithsesi për të qartësuar pak dhe deklaratën e z.Danielson, nuk është çështje negociatash, pasi Shqipëria ende nuk është ulur të tryezën e negociatave. Nuk i ka çelur ato. Ne kishim pak javë më parë dhe unë jam shumë e lumtur që ministri i Jashtëm gjerman rikonfirmoi fjalët e mia dhe në këtë studio po dhe në shumë studio të tjera për procesin e integrimit dhe të negociatave, ku Shqipëria dhe në 2019 nuk e ka të sigurt nëse do t’i çelë negociatat apo jo. Kjo do të jetë në varësi të zhvillimeve që do të ketë vendi. Dhe të ecurisë së reformave dh bashkëpunimit që të gjitha palët do të kenë më njëra-tjetrën. Ajo çka qeveria mesa duket është duke bërë në këto momente është procesi i screening, që është një proces pak abstrakt për qytetarët shqiptarë për ta kuptuar. Është një punë e përditshme, që duhet ta bëjë koordinatori kombëtar, që është pikërisht Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me institucionet e tjera. Është proces shumë teknik që do të bëjë një analizë të mirëfilltë se cilat ligje janë përafruar deri tani. Cilat janë ligjet e tjera që duhen përafruar, afatet kohore dhe gjithçka tjetër. Dhe patjetër që tani është momenti që duhen evidentuar dhe grupet negociatore, të cilat ende sot që flasim nuk i kemi. Për të mos shkuar më tej dhe për të folur për rezultatet konkrete që do t’i prezantohen Komisionit Evropian vitin që vjen sepse dhe pak muaj na kanë mbetur. Unë nuk e di në 5 muaj cilat do të jenë rezultatet me të cilat do të shkojë Shqipëria drejt vendeve anëtare të BE për 2019.

Shqipëria dhe Maqedonia a do të ketë lehtësi në kalimin e këtyre kapitujve. Ju si e shikoni këtë çështje?

Kur ato të çelen, nuk mund të ketë lehtësi. Nëse kapitujt çelen nuk do të thotë që mbyllen automatikisht. Pra, përveç afateve kohore, derisa të gjitha kërkesat të plotësohen nga pala shqiptare, askush nga kapitujt nuk mund të mbyllet. Dhe rruga edhe në procesin e negociatave do të jetë shumë e gjatë dhe shumë e mundimshme.

A mund të jemi optimist, pasi reforma në drejtësi po aplikohet dhe pikërisht procesi screening fillon me Ministrinë e Drejtësisë.?

Unë nuk kam shumë optimizëm, sepse negociatat nuk varen nga procesi screening, i cili si e thashë është një punë e përditshme që e bëjnë institucionet dhe Ministria e Jashtme. Negociatat do të varen nga ecuria e procesit të Vettingut dhe nga ngritja Gjykatës Kushtetuese, nga funksionimi i Gjykatës së Lartë që janë institucione që tashmë janë totalisht jashtë funksionit dhe është absurde të mendosh që një vend që kërkon të çelë negociatat nuk i funksionon drejtësia në asnjë hallkë të saj madje i është vënë shkelmi atyre institucioneve të cilët kontrollojnë dhe ligjvënësit, Kuvendin e Shqipërisë e kështu me radhë. Unë nuk e di si funksionon sot e kësaj dite Kuvendi i Shqipërisë me gjithë iniciativat që merr dhe ato votat kartonët ngrihen aty dhe nuk ka asnjë institucion që do t’i kontrollojë apo të bëjë gardianin e Kuvendit të Shqipërisë. Të ngrihet SPAK-u, të ngrihet BKH-ja, janë një sërë e një sërë hallkash që duhen raportuar si të kryera. Nëse këto nuk raportohen si të tilla të jeni të bindur që vendi nuk ka asnjë shans për të çelur negociatat vitin që vjen.