Kazanë dhe legenë

569
Nga Hyskë Brobojka
U lodha së shkruari e botuar nëpër gazeta fejtone e kritika për qeveritarët gënjeshtarë e mashtrues, për deputetë që premtojnë shumë e plotësojnë pak apo aspak, pasi vuajnë nga “skleroza” (harresa). Kam thurur pamflete e fejtone për oligarkët, për nëpunësit e administratës që të sjellin vërdallë, si kalin në lëmë, nga njëri kat në tjetrin. U kam bërë letra urimi kryetarëve porsa kanë zënë karrigen me premtime të mëdha. Ato janë të shumta, por po përmend vetëm disa prej tyre si “Kur të puth në njërën faqe e të kafshon në tjetrën”, “Gënjeshtra me këmbë të gjata”,“Në vend të rriten rrogat e pensionet, rriten çmimet e varreve”, “Lustromania”,“Premtimet i mori përroi e shkoi”, “Qeveria s’ka fund”, “Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët”, “Qeveria rrit taksat, ne rritim çmimet”, “Intervistë me zotin “Tritol”, “Nga shiu në breshër”, “Nusja s’ka brekë, kërkojnë t’i venë vellon”, “ Zyrat moderne të punësimit e sa e sa të tjera. Madje në gusht të vitit 1915 i kam dërguar një letër kryeministrit tonë të nderuar e të respektuar në faqet e një gazete të pavarur, ku i rrëfeja me hollësi ç’kisha parë e ç’kisha hequr me “Operatorin e Shpërndarjes te Energjisë Elektrike”. U paraqita në zyrën, që mbante në ballë tabelën: “Kujdesi për klientin”. Ajo ishte mbushur plot me hallexhinj si puna ime e prisnin në këmbë si hunj gardhi e të ngjeshur njëri pas tjetrit, si sardelet në kuti.. Përballë tyre ishin dy zonja apo zonjushe. Njëra kishte mbushur tavolinën e punës me sende ushqimore dhe po i shijonte me qejf të madh. Thonë mirë se oreksi vjen (jo duke punuar) por duke ngrënë. Ndërsa tjetra kulloste sytë në kompjuter lozte në të, duke thirrur, sa dridheshin qelqet e dritareve. Kur erdhi radha imë, më njoftuan se problemi im nuk ishte në “kompetencën” e tyre, prandaj duhet të shkoja në zyrat e “Drejtorisë së Përgjithshme”. Kur pyeta se ku e ka limerin kjo “Drejtori”, mora përgjigjen, se paskam qenë një llafazan i pandreqshëm, pasi duhet ta dija (dhe në s’e dija ta mësoja) se kryeqyteti i ruan me fanatizëm toponimet e vjetra, si “Bërryli”, “Farmacia 10”,(që s’ka shenjë farmacie), “Kombinati”, Kinostudio (që është kthyer në “Ministri Kulture”) e me radhe.. Pasi u enda një ditë të tërë me të pyetur e vazhduar, i gjeta zyrat e kësaj “Drejtorie të Përgjithshme” por jo drejtuesit e nëpunësit e saj. Ata kishin shkuar të drekonin në ndonjë nga lokalet luksozë, që ka aq shumë kryeqyteti ynë. Derën e zyrave e ruante me fanatizëm një roje vigjilente. Sa prita deri sa të ktheheshin të ngopur nga “dreka” të zotët e zyrave nuk e di, pasi më mungonte ora.. Aty më thanë se duhet të paguaja 300 lekë të reja “tarifë shërbimi” e një thes me kërkesa të tjera. Dhe, me t’i plotësuar të gjitha, të paraqitesha në zyrën e “Kujdesit për klientin”, që gjendet te “Pallati me shigjeta”. Edhe këtu nuk harruan të më kërkojnë 300 lekë të reja “tarifë shërbimi” (apo tarifë sorollatjeje) dhe të prisja një muaj e gjysmë, të verifikohej, të shqyrtohet, të konkludohej e të zgjidhej problemi. 

Për këto sorollatje të sikletshme i shkrova dy vjet më parë, të shumënderuarit e të respektuarit ,zoti kryeministër, duke menduar se i mbante mend premtimet e lavdërueshme gjatë fushatës elektorale të “Rilindjes së Re” dhe “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. Por përgjigje s’mora. Ku ta dija unë i gjori se kryeministrit i quan gazetarët “kazanë”, nga kreu në fund dhe shkrimet e tyre nga një vesh i hynin e nga tjetri i dalin. Kur e pashë se në falangën e gazetarëve “kazanë” nuk kisha sukses u mërzita shumë. Kur më pa në atë gjendje, e shumëdashura Nafia ime, më këshilloi. -Dëgjo i dashuri, zoti burrë. Leri shkrimet e fejtonet nëpër faqet e gazetave, se kryeinistri i nderuar nuk i begenis “kazanët” e preferon “legenët”. S’e ke marrë vesh se ka shpallur listën më 100 qerratallarë nëpunës që shpërdorojnë besimin e i sjellin vërdallë qytetarët, jo vetëm duke u marrë kohën, por edhe paret në këmbim të kryerjes së shërbimit në zyrat e shtetit. Dëgjo Nafijen tënde, braktise “kazanin” dhe përqafo, si disa të tjerë “legenin”. Për t’i zbuluar qafirët do kontribuoj unë. Duke sinjalizuar, si më poshtë: “Unë sinjalizuesja…

-Nafije Borobojka! – shtova unë.
-Në asnjë mënyrë të shkruash emrin e vërtetë, pasi e pëson nga ata që ke sinjalizuar, me ndonjë plumb prej tyre. Ti ndërron jetë, ai që të bëri gjëmën zhduket në “drejtim të paditur”. Prandaj do të shkruaj: “Unë sinjalizuesja Zdiqe Piqja, banuese, ku mbillem nuk korrem, po ju dërgoj denoncimin. Bashkëngjitur me sinjalizimin po ju paraqes dhe provat përkatëse. Më falni dhe kërkoj ndjesë se nuk kam prova, por ato mund të gjenden apo të sajohen. Jam e sigurt dhe s’kam dyshim se ato përbëjnë vepër penale të përfshirë brenda Kodit Penal, po qe e mundur se vërtetohet një gjë e tillë.”.

Duhet ta dish, i shtrenjti dhe i vetmi burrë, se shembullin e kësaj përvoje e dha vetë kryeministri kur mblodhi të gjithë zotërinjtë, zonjat apo zonjushat, që fituan të drejtën e të qënit deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe i nisi në zonat ku fituan mandatin e deputetit..Së pari i nisi në qarkun e Durrësit me porosi apo “kurs të posaçëm”, të zbulojnë e të verifikojnë se cilët kanë qenë punonjësit që kanë bërë fushatë për partinë me tri germa. Dhe, sipas tij, kanë hyrë në punë, jo sipas meritokracisë, por në bazë të kontributit që kanë dhënë për këtë forcë politike. Në njoftimet që duhet t’i dërgoj shefit të qeverisë të mos zënë në gojë abuzimet e shpërdorimet e ish ministrave të zgjedhur prej tij, pasi rëndohet e përbaltet fytyra e “Rilindjes”.. Madje duhet të mos përmend për keq edhe zotin Basha, pasi kryeministri e ka quajtur “çun të mirë”, që i dha dorë për të fituar zgjedhjet.. Në Korçë duhet të kenë tepër kujdes e të mos zënë në gojë deputeten e re, që doli me këpucë të kuqe në drejtimin e doganave, (të shkuara të harruara) pasi, kandidoi e fito. Është deputetja që e quajti kryeministrin më të fortë se “Heroi ynë Kombëtar, Gjergj, Kastrioti, Skënderbeu”. Kushedi sa lavdërime e shpërblime do të merrja, i dashur burrë, sikur të zbuloja në qarkun e Fierit ata firaunë të partisë me tri germa, që u munduan të djegin mandatin e Gramoz Ruçit. Sikur kjo, larg qoftë të ndodhte, ky “mjeshtër”, me një përvojë të madhe, më tepër se një çerek shekulli, të kishte mbetur jashtë Parlamentit. kush do t’ia mbante e t’ia godiste frenat e makinës së “timonierit të madh” të mos rrëshqiste e të qorollisej?!- ishte shpjegimi i zonjës time Nafije. Po deshe thuaj se gratë nuk kanë zgjuarsi, mençuri e intuitë të mëdha. Nuk janë, si thonë disa myteberë, flokë gjata e mendje shkurta. Ato, si amvisa të rralla, i njohin si kazanët edhe legenët.
Sigal