Kandidatura e çdo kryebashkiaku do të jetë në konsensus të plotë PS-LSI

47
Ishte ora 10:46 kur kryeministri Rama mbërriti në selinë e PS-së, i vetëm, ndërkohë që kohë më para, aty kishin mbërritur, po veçmas, edhe Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla. Kryeministri Rama, i veshur sportiv, si në një ditë fundjave, por ndoshta edhe me domethënien se nuk do të ishte i vështirë ky takim, pasi mesa duket piketat ishin vendosur në takimet e mëparshme mes të dyve. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mbërriti në selinë e PS-së, në orën 10:58, i shoqëruar nga Petrit Vasili. Ilir Meta rikthehet në selinë e PS-së pas 23 muajsh, sërish me të njëjtën mision. Negociata për zgjedhje, kësaj here për pushtetin vendor. Ndërkohë që disa qytetarë që prisnin në hyrje, i folën kryetarit të LSI-së dhe Ilir Meta u shkëput për pak kohë nga shoqërimi i Vasilit dhe u takua dhe bashkëbisedoi me qytetarët, duke u treguar i relaksuar në biseda me qytetarët, pa treguar ndonjë ngutje. 
Situatë politike e tensionuar
Edhe 95 ditë kanë mbetur nga 21 qershori dhe situate politike është mjaft e tensionuar, jo vetëm për shkak të akuzave të Doshit për skenarë vrasjeje ndaj tij, por edhe për faktin tjetër, se ende Kuvendi nuk ka miratuar ligjin zgjedhor, ngaqë opozita nuk bëhet pjesë e diskutimeve në Kuvend. Pasojë e kësaj, tashmë janë tejkaluar afatet për shumë procedura që parashikohen në Kodin Zgjedhor, sikurse më 8 mars 2015 ishte afati i fundit, i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për propozimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) prej PS-së, PD-së, LSI-së dhe PRsë. Ky afat pasohet nga një tjetër afat në datën 23 mars 2015, i cili është afati për miratimin dhe ngritjen e këtyre Komisioneve prej KQZ-së. Ndarja aktuale e territorit në 89 ZAZ të miratuara në Zgjedhjet e kaluara Parlamentare, për Zgjedhjet Lokale të 21 Qershorit rezulton e pambështetur në ligj, pasi ajo është miratuar duke u bazuar mbi rrethin administrative, si juridiksion territorial, i cili nuk ekziston më, si koncept, në ligjin e ri administrativo-territorial të miratuar. Po ashtu, kjo ndarje nuk është as funksionale, pasi në një pjesë të konsiderueshme të ZAZ-ve nuk sigurohet kriteri i pandashmërisë, në ndarjen e re me 61 bashki. Në kushtet e paplotësisë së Kodit Zgjedhor, KQZ-ja nuk mund të miratojë Zonat e reja të Administrimit Zgjedhor dhe as partitë politike përgjegjëse nuk mund të bëjnë propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, pasi një nga kriteret është vendbanimi brenda ZAZ-së përkatëse.

Marrëveshja Rama – Meta: LSI-ja do kandidojë në 15 bashki

Takimi Rama-Meta, në selinë e PS-së zgjati më shumë se 1 orë. Pas takimit, Rama dhe Meta së bashku, dolën në hyrje të selisë të PS-së dhe dhanë një konferencë shtypi. Rama para gazetarëve zbardhi marrëveshjen e arritur me Metën për zgjedhjet e pushtetit vendor më 21 qershor. Sipas kësaj marrëveshjeje, LSI-ja do të kandidojë në 15 bashki, me kandidatët që ajo do të propozojë, por që duhet të marrin edhe konsensusin e PS-së. Edi Rama, edhe pse u pyet, nuk pohoi asgjë se çfarë bashkie do të marrë PBDNJ-ja, por 3 bashki të minoritetit, sikurse Posteci, Dropulli dhe Livadhjaja, janë të sigurta. Nuk dihet se sa dhe cilat bashki do të marrë PDIU-ja, nëse arrihet marrëveshja e shumëpërfolur me çamët, ndërkohë që kanë dalë zëra se çamët kërkojnë 5 bashki. Mirëpo, kjo është përtej një realiteti të pranueshëm politik, nëse kemi parasysh që LSI-ja mori 15 bashki, kur ka një elektorat deri në 300.000 votues. 
Risia e kritereve të përcaktimit të kandidatëve për kryetar bashkie
Problemi më i rëndësishëm që ka të bëjë me kandidaturën për kryebashkiak do të jenë kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë. Kryetari i PS-së, Edi Rama qartazi zbardhi
edhe kriteret e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave për kryebashkiakë, për të cilat kanë rënë në dakortësi edhe me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Sipas Ramës, kësaj here është rënë në dakordësi që të zbatohet një formulë e re, ku çdo njëra nga partitë do të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe reciprokisht edhe të drejtën e votës për të dhënë konsensus për kandidatin apo kandidaten e propozuar nga partia tjetër. Sipas kësaj formule të re të përzgjedhjes së kandidatëve për kryebashkiak, shmangen nga lista, kryetarë të tanishëm të bashkive, që nuk do të jenë në kandidaturat që do të propozohen sipas formulës së re. Kështu që kryetarët e partive, si Rama edhe Meta, nuk do të mbajnë përsipër qejfmbetjet e atyre që duan të kandidojnë, por nuk u futën në listën e kandidimit për kryebashkiak, pasi, nëse një kandidat mund ta propozojë, ta zëmë, Rama, por nëse nuk përcaktohet të jetë ai që do të garojë, atëherë Rama nuk mund të fajësohet për asgjë, pasi mund të thotë që vendimmarrja tashmë është e përbashkët, qoftë edhe për bashkinë që kandidati duhet të jetë nga PS-ja, dhe kandidatura në fjalë nuk mori dot konsensusin e palës tjetër. Dhe anasjelltas, kjo vlen edhe për kryetarin e LSI-së. Pra, si risi politike e kësaj formule të re të përzgjedhjes së kandidatëve për kryebashkiak, do të jetë konsensusi, jo vetëm për bashkitë që do të propozohen nga PS apo LSI, por edhe kandidati përkatës për çdo bashki, do të marrë konsensusin e PS-LSI. Risia e dytë është se, sikurse tha Rama, në këshillat bashkiakë, “ne do të kemi një përfaqësim 50% burra dhe djem dhe 50% gra dhe vajza”, pa thënë që kjo normë do të sanksionohet edhe në ndryshimet në ligjin zgjedhor, por, pohoi, që kjo risi do të zbatohet politikisht nga PS-LSI. 
Përgjegjësia e propozimit të kandidaturave
Kandidaturat për kryebashkiak, nuk do të jenë më thjesht preference e kryetarëve të partisë, pasi kandidaturat që do përcaktohen, ashtu sikurse edhe në kampin e PS-së, edhe në atë të LSI-së, kryeministri Rama dhe Ilir Meta u kanë kërkuar deputetëve të qarqeve dhe zonave, që përbëjnë bashkitë, të japin mendimet e tyre, në lidhje me emrat të cilët do të përfaqësohen në pushtetin lokal. Rama u ka kërkuar deputetëve që të vlerësojnë çdo kandidaturë për reputacionin që gëzon në bashkinë përkatëse, për personalitetin që ka, për aftësitë profesionale dhe intelektuale, etj., me nota nga 1 deri në 10 e garantimit dhe e garancisë së performancës së çdo kandidati për kryebashkiak. Deputetët e zonave duhet të shoqërojnë kandidaturat që propozojnë edhe me garancinë, nëpërmjet vlerësimit me pikë që u bëjnë këtyre kandidatëve. Kështu, deputetët e zonave, paraprakisht kanë dhënë disa emra për kandidatë të mundshëm. Për këtë, deputetët janë konsultuar edhe me qytetarët, me elektoratin, me këshilltarët. Pasi këtu do të ketë, bashkë me vlerësimin e kandidatëve për kryebashkiakë, edhe një vlerësim i punës dhe kontributit të vetë deputetëve. Nëse një kandidaturë për kryebashkiak i propozuar dhe i vlerësuar nga deputeti, do të humbasë në zgjedhje, atëherë Rama dhe Meta u kanë kërkuar deputetëve të tyre, që ata të mbajnë përgjegjësinë e humbjes dhe emri i tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është i hequr nga listat. Kështu që përgjegjësia është e jashtëzakonshme edhe nga vetë deputetët që sjellin propozime dhe vlerësime për kandidatët për kryetarë bashkie. Pra, kushti i Ramës dhe i Metës ndaj deputetëve: Nëse kandidati që ju na sillni, humbet zgjedhjet, edhe ju, si deputetë, automatikisht jeni të djegur nga listat zgjedhore parlamentare të ardhshme. 
Kryeministri Rama: Formulë e re e përzgjedhjes së kandidatëve. Konsensus i plotë PS-LSI për çdo kandidaturë
Ky ishte një takim për të finalizuar fazën e parë të procesit. Proces që, e kemi nisur prej disa javësh dhe ku kemi konkluduar në parim që në zgjedhjet e 21 qershorit do të paraqitemi me kandidatë të përbashkët. Nuk do të bëjmë një ndarje mekanike të njësive vendore, por do të ecim me një formulë të re, ku çdo njëra nga partitë do të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe reciprokisht edhe të drejtën e votës për të dhënë konsensus për kandidatin apo kandidaten e propozuar nga partia tjetër. Sot kemi dakordësuar këtë ndarje. Pra ndarjen e dakordësisë për të propozuar dhe më pas do të vazhdojmë me shoshitjen e të gjitha kandidaturave, përmes një procesi konsultimesh që secila nga partitë do ta bëj për t’i paraqitur partisë tjetër propozimin më bindës dhe për të marrë prej saj konsensusin. Konkretisht dua të informoj që kemi përcaktuar praktikisht që të presim propozimet si PS, nga LSI për bashkitë si më poshtë vijon: Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Pogradec, Kuçovë, Skrapar, Vorë, Mallakastër, Delvinë, Përrenjas, Selenicë dhe Kolonjë. Për këto njësi bashkiake LSI ka përgjegjësinë që të përgatisë propozimet që do t’i konsultohen Partisë Socialiste dhe anasjelltas. Partia Socialiste ka përgjegjësinë që pasi të përmbyllim edhe formulën përfundimtare të koalicionit, gjë për të cilën unë kam marrë edhe miratimin e bashkëkryetarit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për të negociuar me forcat e tjera politike, të përgatisim nga ana jonë propozimet që do t’i vëmë për shqyrtim në tryezën e përbashkët, ku do të kërkojmë konsensusin e LSI. Pasi, pavarësisht gjerësisë së koalicionit, ky është një koalicion që ngrihet mbi një bosht strategjik, që është boshti PS–LSI. Për këtë është me një rëndësi të veçantë të theksohet se formula e re që kemi përcaktuar për këtë sfidë nuk është një zgjedhje apo zgjidhje mekanike, por është një zgjedhje dhe zgjidhje që na çon drejt kandidatëve, që na çon si një domosdoshmëri për të përfaqësuar komunitetet jo përmes një flamuri partiak, po përmes cilësish të besueshme dhe përmes një konsensusi që padyshim e ka bazën mes mirëkuptimit mes forcave politike. Por, forcat politike do ta kërkojnë duke kërkuar sa më shumë konsensus të qytetarëve. Së dyti, për ne kjo është një fushatë dhe këto janë zgjedhje për qytetarët dhe për shërbimet ndaj qytetarëve. Çka do të thotë se ka një peshë të veçantë në këtë proces edhe garantimi i një hapi tjetër të rëndësishëm përpara, në funksion të barazisë gjinore. Padyshim që kemi si asnjëherë tjetër më parë synimin që të kemi sa më shumë gra dhe vajza kandidate, ndërkohë që jemi marrë vesh plotësisht bazuar edhe në të dyja programet të të dyja partive, që në këtë pikë përputhen 100%, që në këshillat bashkiakë ne do të kemi një përfaqësim 50% burra dhe djem dhe 50% gra dhe vajza. Për sa i përket marrëveshjes me partitë e tjera, ne kemi hapur diskutimet me të gjitha partitë e tjera, përveç PD-së kuptohet, dhe atyre satelitëve ballisto-republikanë që janë përfundimisht të ndarë nga rruga e historisë së re të këtij vendi dhe do të shikojmë hap pas hapi me të njëjtën logjikë. Pra, ne do të nisemi edhe në raportin me partitë e tjera nga kandidatët dhe kandidatet dhe nga konsensusi në funksion të dhënies së mundësisë më të mirë për qytetarët. Ne nuk duam që të justifikohemi përpara asnjë komuniteti se këtë bashkinë e ka partia tjetër dhe partia tjetër ka bërë një zgjedhje për të cilën ne nuk mbajmë përgjegjësi. Jo! Përgjegjësia jonë është e përbashkët.
Ilir Meta: Ne jemi gjithmonë të prirur nga konsensusi. Më 1 prill, ndarja e dytë nga Berisha
Dua të shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin mjaft konstruktiv që kemi pasur gjer më tani dhe që do të vazhdojë të jetë akoma edhe më konstruktiv deri në 21 qershor, ditën e zgjedhjeve vendore sepse shqetësimi ynë i përbashkët dhe mjaft parimor është që kjo reformë madhore, historike që ka ndodhur në vendin tonë gjatë kësaj periudhe që qeveris kjo Aleancë për Shqipërinë Evropiane, pra që reforma administrative-territoriale, të kurorëzohet me sukses përmes zgjedhjes së administratorëve më të mirë dhe më të shquar të cilët për herë të parë do të kenë mundësi të drejtojnë këto njësi të reja, mjaft domethënëse. Në këtë drejtim, prioriteti ynë ka qenë dhe mbetet përzgjedhja e kandidatëve më të mirë, jo vetëm me një konsensus brenda koalicionit sa më të gjerë. Por në mënyrë të veçantë me një konsensus sa më të gjerë me komunitetet që do të drejtohen prej tyre, pasi e theksoj që ka qenë dhe mbetet një reformë historike, e domosdoshme, një reformë madhore që vetëm përmes përzgjedhjes dhe zgjedhjes së kryetarëve më të mirë, më të aftë, më të përkushtuar ndaj komunitetit në 21 qershor do të bëjë të mundur që të japë menjëherë impaktet e saj sa më pozitive në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe komuniteteve në të gjithë vendin. Sikurse u theksua edhe këtu nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, kandidatët janë dhe do të jenë të përbashkët. Do të përzgjidhen me konsensus dhe natyrisht që çdo forcë politike duhet të shfrytëzojë të drejtën e propozimit për të sjellë emra sa më përfaqësues, ku natyrisht do të përpiqemi që të jemi sa më të vëmendshëm edhe për të përmirësuar raportin e përfaqësimit gjinor edhe në këtë drejtim për të sjellë sa më shumë gra dhe vajza përfaqësuese në drejtimin e bashkive të ardhshme, duke përzgjedhur sa më shumë të jetë e mundur prej tyre kandidate apo edhe në këshillat e ardhshëm bashkiakë të cilat tashmë vërtet marrin një peshë reale dhe e meritojnë plotësisht fjalën “Parlamente lokale”. Ne jemi gjithmonë të prirur nga konsensus. Besoj se deri në datën 1 prill do të merret vesh lista e plotë e të gjithë emrave që do të garojnë për 61 bashkitë e Shqipërisë. Ilir Meta, jo rastësisht përmendi 1 prillin dhe tërthorazi ironizoi Berishën dhe akuzat e tij, pasi në 1 prill 2013, LSI-ja doli nga qeverisja e Berishës. Meta, para disa ditësh në Kuvend, e pyeti Berishën se çfarë te këqia ka patur ai nga LSI-ja. Ndaj edhe referimi i djeshëm i Metës te 1 prilli i 2015-s do t’i kujtojë Berishës, që është ndarja e dytë e Ilir Metës nga Berisha. 
Lista e Bashkive ku kandidon LSI
1-Bashkia e Beratit, 
2-Bashkia e Lezhës, 
3-Bashkia e Kukësit, 
4-Bashkia e Gjirokastrës, 
5-Bashkia e Pogradecit, 
6-Bashkia e Skraparit, 
7-Bashkia e Vorës, 
8-Bashkia e Bulqizës, 
9-Bashkia e Kuçovës, 
10-Bashkia e Cërrikut, 
11-Bashkia e Mallakastrës. 
12-Bashkia e Delvinës, 
13-Bashkia e Prrenjasit, 
14-Bashkia e Selenicës, 
15-Bashkia e Kolonjës.
Bashkitë ku do të kandidojë PS-ja
1. Malësi e Madhe 
2. Shkodër 
3. Vau i Dejës
4. Fushë Arrës 
5. Pukë 
6. Tropojë 
7. Has 
8. Mirditë 
9. Mat 
10. Klos 
11. Lezhë 
12. Kurbin 
13. Dibër 
14. Durrës 
15. Krujë 
16. Shijak 
17. Tiranë 
18. Kamzë 
19. Kavajë 
20. Elbasan 
21. Librazhd 
22. Belsh 
23. Gramsh 
24. Rrogozhinë 
25. Maliq 
26. Korçë 
27. Devoll 
28. Divjakë 
29. Lushnje 
30. Fier 
31. Patos 
32. Roskovec 
33. Urë Vajgurore 
34. Poliçan 
35. Përmet 
36. Këlcyrë 
37. Selenicë 
38. Himarë 
39. Tepelenë 
40. Memaliaj 
41. Libohovë 
42. Sarandë 
43. Konispol 
Bashkitë ku do kandidojë PBDNJ-i
Dropull
Livadhja
Pustec