Vangjel Tavo: Policia e Haki Çakos, palë me PS-në, presion mbi votuesit e Gjirokastrës

518
Alma Çuka
“LSI në qarkun e Gjirokastrës, sot që po flasim është 1160 vota para PS-së. Dy partitë e mëdha i ka zënë paniku dhe për këtë qëllim po punojnë në heshtje”
Vangjel Tavo, kandidati i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës, në një intervistë për gazetën “Telegraf:, pohoi se fitorja e partisë që ai përfaqëson është e sigurt. Për Tavon, dy forcat e mëdha Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë në panik të përditshëm. Madje ai shton se Rama dhe Basha duke e ndjerë humbjen, po punojnë në heshtje për të cenuar votën e lirë. Nuk beson në një marrëveshje të përbashkët mes PS-së dhe PD-së pas 25 qershorit. Ndërkohë që është i bindur se fatin për të ndërtuar koalicionin pas zgjedhjeve e ka vetëm LSI. Për kandidatin e kësaj force në qarkun e Gjirokastrës, tashmë qytetarët e kanë vendosur. LSI, tha ai do të qeverisë vendin me ato forca të cilat kanë të njëjtin qëllim me të dhe duan Integrimin e Shqipërisë sa më parë në familjen Evropiane. Ndërsa foli për fushatën të cilën e konsiderojë në dukje të qetë, Vangjel Tavo, akuzoi rëndë edhe përfshirjen e policisë në këto zgjedhje. Sipas tij, policia e drejtuar nga Haki Çako, është duke u bërë presion votuesve në Gjirokastër. Ndërsa shtoi se ashtu sikundër veproi pas zgjedhjeve të vitit 2013 kur riktheu në punë të gjithë të larguarit padrejtësisht nga administrata, ashtu do të bëjë edhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Do të rikthejë në punë të gjithë të pushuarit padrejtësisht nga ministrat teknik, të emëruar në ato poste pas marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës. 
Z.Tavo, jemi vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit. Si shihet fushata elektorale në qarkun e Gjirokastrës që njihet si një zonë e nxehtë?
Në dukje është një fushatë e qetë por për fat të keq kemi një fushatë pa alternativa. Është një fushatë “facebooku”. Nga ana tjetër fushatë, që dy forcat e tjera politike, duke qenë se nuk kanë alternativ, sulmojnë pa kriter, hedhin baltë pa asnjë argument ndaj LSI-së dhe mua personalisht. Ndërkohë që nga ana e saj Lëvizja Socialiste për Integrim nuk merret aspak me asnjë forcë politike dhe me as kandidatët e tyre. Ne, marrëdhënien tonë e kemi me elektoratin, paraqesim programin e forcës sonë politike dhe alternativën e forcës sonë për qeverisjen e vendit pas 25 qershorit dhe kontratën e kemi vetëm me popullin.

LSI forcë e parë. A ndihet kjo gjë në Gjirokastër?
Kjo është pyetje retorike se LSI do jetë. Ajo është forcë e parë sot në Gjirokastër. Mund të them se në këto momente që flasim ne, pra LSI është 1160 vota para edhe partisë socialiste. 

Dy forcat e tjera politike PS dhe PD kanë ashpërsuar gjuhën. Si e shihni Ju këtë fenomen?
Si duket ka një retorikë boshe nga ana e forcave të tjera politike. I ka zënë paniku. Kjo është ajo që po shikoj. Përpiqen që të motivojnë ata njerëz që u kanë ngelur dhe mendojnë, që duke acaruar situatën dhe elektrizuar atë, mendojnë që mund të mbajnë njerëzit, elektoratin e tyre që u kanë ngelur. Por rezultati i 25 qershorit do jetë një tregues. 

Nga ana e ministrave teknikë ka nisur një valë shkarkimesh në administratë. Më së shumti këto shkarkime janë drejtuar tek përfaqësues të propozuar nga LSI-së. Po në Gjirokastër ndihet kjo frymë?
Nuk shqetësohem aspak për shkarkimet arbitrare të ministrave teknik a ku di unë. Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2013 me LSI-në . U shkarkuan të gjithë punonjësit e LSI nga administrata. Unë isha kandidat i saj dhe jam shprehur se çdo njeri që është shkarkuar do kthehet. Këtë gjë e them edhe tani. Unë deklaroj se çdo shkarkim i jashtëligjshëm është thjeshtë një tentativë e fundit e dy forcave politike që i ka zënë paniku. Ata njerëz që po largohen do të rikthehen. 

Si e shihni dyshen Rama –Basha pas marrëveshjes?
Si gjynahqarë dhe të dëshpëruar. Më vjen vërtet keq për ata të dy dhe për njerëzit që kanë këtu. Po humbasin përditë terren dhe unë, të them të drejtën, përpiqem t’i mirë kuotoj, përpiqem t’i qetësoj, duke u thënë se erdhi 25 qershori.

Po koalicionet paszgjedhore si i shihni?
LSI do jetë forcë e parë, kjo nuk diskutohet. Ndërsa sa për koalicionin këtë do e vendosin forumet e kësaj partie. Tek ne vendosin forumet dhe kjo do të bëhet duke parë aftësinë programore të forcave politike, duke parë interesin e forcave politike. Kryesorja është që LSI, do të dijë të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që duan të kontribuojnë për integrimin e vendit, për stabilitetin politik të vendit, për zhvillimin e ekonomik , për hapjen e vendeve të reja të punës, për zhvillimin e gjithë sektorëve, për një arsim modern, shëndetësi të zhvilluar për rritjen e ekonomisë. Pra ky do jetë koalicioni i nesërm.

Rama në të gjitha takimet elektorale ka deklaruar se kërkon votën e shqiptarëve për të qeverisur i vetëm me qëllim që të mos e ndajë qeverinë në tepsi. Sipas tij në katër vitet që lamë pas ai është penguar nga LSI të mbajë premtimet? 
Me mirëkuptoni, më falni por Rama nuk di çfarë thotë. Tjetër gjë tha para se të fillonte fushatën. Tani nuk di kë të besoj, Ramën që ka thënë këtë, apo Ramën që bënë deklaratat e tanishme. Ai është i pabesueshëm. Nuk e ka fajin LSI për kanabizimin e vendit, që ne e kemi thënë me kohë, nuk e ka fajin LSI për koncesionimin e shumicës së sektorëve ekonomik për fat të keq dhe të shëndetësisë. Zoti Rama erdhi në pushtet, duke thënë shëndetësi falas dhe në vend të shëndetësisë falas na bëri shëndetësi private, nëpërmjet koncesioneve. 

Po zotin Basha si e shini?
Të them të drejtën, zotin Basha nuk e njoh shumë personalisht. Por realisht jam shumë i zhgënjyer dhe befasuar nga fushata e tij. Këtu në Gjirokastër ka dhe shumë demokratë të zhgënjyer dhe të tradhtuar. Ndihen të tradhtuar për kauzën e tyre për të cilën protestuan, për qeverinë teknike që kërkonin, pasi hashashi dhe paratë e pista që ka gjeneruar kultivimi i hashashit ishin pengesë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë që sot po shohim një Basha që bëhet palë me këtë kryeministër dhe i bashkohet në heshtje tentativës për vjedhjen e votës, presioneve të administratës shtetërore, përdorimin e policisë për manipulimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e parave të pista të drogës për këtë qëllim. Pra, nga një Basha që luftonte për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe kundër këtyre fenomeneve që rrezikonin zgjedhjet e lira, kemi sot një Basha ortak dhe bashkëfajtor në tentativën për të cenuar procesin zgjedhor dhe për të shuar shpresën e shqiptarëve për një proces zgjedhor të lirë të ndershëm dhe demokratik dhe për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Mendoni se pas 25 qershorit mes Ramës dhe Bashës do ketë një marrëveshje për qeverisje të përbashkët?
Nuk besoj asgjë. Unë besoj vetëm tek vota e popullit. Koalicionet nuk i vendosin kryetarët e partive, por është populli ai që vendos se kush do ta qeverisë dhe jam i bindur se populli tashmë e ka bërë zgjedhjen e vet dhe do ta tregojë në 25 qershor që këtë mandat do t’ia japë LSI

Si e sheh 25 qershorin?
Unë i ftoj të gjitha forcat politike, PS dhe PD, burrërisht dhe fisnikërisht të presin me qetësi 25 qershorin dhe u them po aq burrërisht që të mos tentojnë të cenojnë standardet e zgjedhjeve dhe të mos vrasin shpresën e shqiptarëve. 25 qershori do të jetë dita e fitores së madhe të LSI –së dhe e heshtjes së gjatë të Ramës dhe Bashës. 

Po rolin e policisë si e shini në këtë fushatë. A ka tentativa për ndërhyrje të elementëve kriminal që mund të mbështeten edhe nga policia?
Në Gjirokastër policia ka filluar ndikimin e vet . Është bërë palë me kandidatët e PS-së dhe kanë filluar presionin psikologjik ndaj njerëzve, duke i thirrur në zyrë, duke i bërë presione. Ndërkohë që kam informacione se policia po u bënë presion njerëzve që mund të kenë qenë kultivues të kanabisit, duke u thënë, ose votohet PS ose ne i kemi të gjithë të dhënat (se normalisht i kanë se ortak kanë qenë me kultivuesit ) dhe të nesërmen e zgjedhjeve do t’iu fusim në burg. Këtë fakt ne e kemi konstatuar dhe e kemi denoncuar tek përfaqësitë e OSBE -ODIHR në qarkun e Gjirokastrës. Pra po them se kemi ditë që ne kemi bërë konstatuar një fenomen të tillë dhe për këtë çështje kemi vënë në lëvizje edhe ndërkombëtarët. Vota e popullit nuk mund të preket. 
Sigal