Kalamajtë tallen me policinë e “çunave” të Tahirit, i marrin armët e i kthejnë në lavazhierë

432
Sigal

Dita e djeshme, nuk ka qenë aq “krenare” për ministrin Sajmir Tahiri dhe
sidomos për reputacionin e figurës së punonjësit të Policisë së Shtetit, mbasi “çunat”
policë të grupeve të gatshme të policisë së “rilindur” të ministrit Tahiri, janë
“telendisur” publikisht me zë e me figurë prej adoleshentëve në një pikë larjeje
makinash! Aq i turpshëm ka qenë profili i policëve dje në atë pikë lavazhi, sa
larësit adoleshentë të makinave, jo vetëm u kanë marrë armët e bënin foto me
to, por edhe i kanë kthyer në lavazhierë, duke u dhënë kovat e leckat për të larë
makinën e policisë. Nuk e dimë, nëse policët e këtij skandali të rëndë kanë çuar
faturë 1000 lekëshe si pagesë për larje makine, edhe pse e kanë larë vetë
furgonin e grupit të gatshëm, por shohim foton që flet qartë e tmerrësisht
turpshëm për realitetin, se në çfarë derexheje është katandisur policia shqiptare,
aq sa tallen edhe kalamajtë e lavazheve. Në fotografinë e publikuar në “FB” e “çunit”
të lavazhit, duken “çunat” policisë të Sajmirit që po lajnë makinën, duket
lavazhieri që u ka marrë automatikun dhe pozon për shokun e tij, duket edhe
makina e policisë me targë të Ministrisë së Brendshme. Nuk besojmë, që
kryeministri dhe ministri Tahiri ta konsiderojnë këtë skandal-turp si.. “hedhje
balte mbi policinë e rilindur”!