Prof.Dr. Bahri Musabelliu: Universiteti Bujqësor i Tiranës plotëson të gjitha standardet e procesit të Akreditimit

850
Sigal

Universiteti Bujqësor i Tiranës Plotëson të Gjitha Standardet e Procesit të Akreditimit_Vlerësuar nga Kompania Britanike & APAAL

 

Flet Prof.Dr. Bahri Musabelliu, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës: Standardet për mësimdhënie, mësimnxënie, si dhe vlerësimin për kërkimin janë përmbushur ndjeshëm

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës, prej afro 8 muajsh po drejtohet me efiçencë nga Prof. Dr. Bahri Musabelliu, një prej specialistëve e profesorëve më kualitativ si mendim shkencor i këtij universiteti dhe krejt botës akademike ekonomike shqiptare. tashmë, punët e UBT kanë në krye një drejtues më të përkushtuar e produktiv si organizator, më kërkues e bashkëpunues me kolegët dhe vartësit, më vizionar e këmbëngulës për konkretizim të ideve dhe reformave progresive të kësaj qendre universitare, i votëbesuar nga kolegë e studentë për këtë pozicion të lartë, por edhe me vetë-besim të plotë tek vetja për të pozicionuar e angazhuar personalitetin, përvojën, energjitë dhe aftësitë si specialistë, si mësimdhënës e tashmë si drejtues që synon të sjell diçka të re, të domosdoshme për mbarëvajtjen e punëve dhe përmbushjen e misionit në UBT, duke dhënë provat indiduale e kolegjiale se punët mund dhe duhet të konsolidohen në këtë qendër të mirënjohur universitare jo vetëm në Shqipëri, por të vlerësuar edhe në shumë shtete të tjerë, për cilësinë dhe zotësinë e specialistëve që ka përgatitur në disa dekada radhazi. Tashmë, UBT është përfshirë në një formatim të ri punësh dhe këtë nismë me bazë Akreditimin prej qendrave ekspertuese e konsultative prestigjioze ndërkombëtare, po e ndjek me merak e përgjegjësi Rektori i këtij Universiteti, Prof. Dr. Bahri Musabelliu (së bashku me ekipin e tij dhe kolegët), zhvillime për të cilat profesori, na foli në bisedën me të… 

 

 Profesor Musabelliu, më lejoni t’ju uroj për detyrën e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), por dhe për përmbylljen me shumë gjasa me rezultate mjaft të mira të procesit të Akreditimit Instituacional.

 

Shumë faleminderit për urimin. Më duhet t’ju them shumë modestisht, se unë jam një nga rreth 300 anëtarët e stafit akademik të UBT-së, e kësisoj, unë dëshiroj të falenderoj të gjithë kolegët e mi dhe studentët që më kanë besuar këtë detyrë mjaft të rëndësishme për të drejtuar Universitetin Bujqësor për 4 vitet e ardhshme. Por, pa dyshim, procesi i akreditimit Institucional që Universiteti Bujqësor i Tiranës kaloi me sukses është një ndër momentet më të rëndësishme që ky universitet ka kaluar në historinë e tij 65 vjeçare. Sigurisht që rezultatet tepër pozitive të këtij procesi janë meritë e padiskutueshme e përpjekjeve të të gjithë stafit akademik, ndihmës akademik dhe teknik të Universitetit Bujqësor të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur arritjen e këtij suskesi. Nga ana tjetër, nuk mund të lë pa përmendur që angazhimi dhe kontributi i strukturave aktuale drejtuese, ka qenë i QENËSISHËM dhe shumë i rëndësishëm, dhe për këtë gjej rastin t’i falenderoj dhe t’i komplimetoj të gjithë ata për punën e tyre.

 

– Profesor Musabelliu, para se t’ju bëj disa pyetje lidhur me akreditimin (më lart ju përmendët se UBT ka mbi 300 anëtarë të stafit akademik), a mund të na jepni me pak fjalë një pamje të përgjithshme se kush është UBT sot?

 

Pa tjetër, dhe më duhet t’ju them se kjo është një pyetje shumë e mirë për mua. UBT, përfaqëson aktualisht një Institucion Unik të Arsimit të Lartë, i përbëre nga 5 fakultete, rreth 15.000 studentë, 534 punonjës gjithsej, 23 departamente, 63 programe studimi të të tre cikleve (nga të cilat 22 të ciklit të parë-Bachelor), programe këto të një lloji dhe rëndësie të veçantë, të pazëvendësueshëm dhe me një perspektivë mjaft të qartë. UBT si pjesë e natyrshme e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, ka një mision të trefishtë. Misioni parësor i UBT-së është edukimi dhe arsimimi cilësor i studentëve. Këtë mision të shenjtë, UBT synon ta realizojë duke përgatitur specialistë të aftë, për të qenë promotorë të ndryshimeve si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por, arsimimi dhe edukimi cilësor i studentëve do të ishte gati i pamundur pa kërkimin shkencor, e të dyja këto sëbashku nuk do të vlenin sa duhet nëse nuk bëhen pjesë e biznesit përmes transferimit të njohurive që përbën dhe misionin e tretë të UBT-së. Studimet pranë UBT-së, ju mundësojnë studentëve përgatitje dhe arsimim të thellë shkencor dhe profesional në fusha të tilla si; prodhim bimor; prodhim shtazor; hortikulturë; mbrojtje bimësh; akuakulturë dhe peshkim; agro-mjedis&mbrojtjen e tij; ekonomi agrare; politikat bujqësore; zhvillim i integruar rural; menaxhimi i ndërmarrjeve; marketing; financë & kontabilitet; agroturizëm, bioteknologji dhe ushqim; industri e pijeve; mbarështim i pyjeve; industri e drurit; mjekësi veterinare & shëndet publik, por mbi të gjitha, do t’ju ofrojnë studentëve më shumë mundësi për të qenë qytetarë më të përgjegjshëm në shërbim të shoqërisë. – Profesor Musabelliu, a mund të na shprehni më në detaje ju lutem lidhur me rezultatet e Akreditimit Institucional? 

 

– Patjetër, pasi ky është edhe qëllimi i kësaj interviste.

 

Procesi i akreditimit që Universiteti Bujqësor kaloi me sukses, i jep UBT-së një vlerë të shtuar, duke demonstruar që i gjithë aktiviteti i këtij universiteti realizohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe me praktikat më të mira të menaxhimit dhe administrimit të tij.

Gjithsesi, më lejoni të sjell në vëmendje se procesi i akreditimit përfaqësonte në vetvehte një vëllim mjaf të madh pune. Për fat të mirë apo të keq, UBT dhe pesë universitete të tjera kanë qënë të parat që u përfshinë në këtë proces, duke marrë mbi vete përgjegjësitë dhe riskun pasi një proces i tillë është i pari që realizohet në Institucionet e Arsimit të Lartë në vend. Gjithsesi, më lejoni të sjell në vëmendje se procesi i akreditimit ka qenë një proces intensiv dhe voluminoz. UBT ka qenë pjesë e raundit të parë së bashku me pesë universitete të tjera në këtë proces.Vëllimi i madh i punës nuk lidhet thjesht me përgatitjen e raportit të vlerësimit të brendshëm-RVB, por më së shumti me argumentimin e tij përmes dokumentave mbështetëse, që lidhen me standartet shtetërore të vlerësimit të cilësisë në sistemin e arsimit të lartë. Në këtë kuadër janë bërë pjesë e dosjes së vlerësimit më shumë se 170 rubrika dokumentare në fazën e parë dhe 22 në fazën e rishikimit, në të dy gjuhët (shqip dhe anglisht), me një volum prej mbi 4000 faqe, konsideruar këtu edhe kohën e shkurtër të kryerjes së procesit. Natyrisht, procesi ka filluar me pergatitjen e Rraportit te Vetëvlerësimit të Brendshëm të Institucionit dhe ka vijuar më pas me grumbullimin dhe përkthimin në anglisht të të gjithë informacionit të kërkuar (Statutit të Institucionit, Rregulloreve të Studimeve të UBT-së, Rregulloreve të Fakulteteve dhe Departamenteve, Programeve të Studimeve, Kurrikulave të Studimeve, Syllabuseve të Moduleve, Raporteve të Analizave Vjetore, Marrëveshjeve të Bashkëpunimit, Përshkrimeve të Punës, etj etj.) Më pas procesi vijoi me asistimin në UBT të përfaqësuesve të Kompanisë Britanike, por dhe të APAAL për verifikimin e raportimeve të bëra nga ana jonë, përmes kontakteve direkte me anëtarë të stafit akdemik, drejtues të UBT-së, studente dhe shoqata përfaqësuese të tyre, përfaqësues të stafit ndihmës akademik, admistrativ, etj. Në përmbyllje të këtij procesi, me krenari deklaroj që Universiteti Bujqësor ka marrë një vlerësim shumë pozitiv duke i përmbushur pothuajse të gjithë kriteret e standardet e vendosuara nga Kompania Britanike. Ndër këto kritere mund të përmendim që Universiteti Bujqësor i Tiranës ka përmbushur plotësisht 3 kritere dhe ka përmbushur në mënyrë thelbësore 2 kritere të tjera si më poshtë:

1. Standardet për organizimin dhe menaxhimin janë përmbushur plotësisht.

2. Standardet për burimet janë përmbushur ndjeshëm.

3. Standardet për kurrikulat janë përmbushur plotësisht.

4. Standardet për mësimdhënie, mësimnxënie, si dhe vlerësimin për kërkimin janë

përmbushur ndjeshëm.

5. Standardet për studentët dhe mbështetjen e tyre janë përmbushur plotësisht.

Siç shikohet, nga kriteret e përmbushura plotësisht, theksojmë që veçanërisht kriteret që kanë të bëjnë me organizimin dhe menaxhimin e institucionit, standartet mbi kurrikulat mësimore si dhe plotësimi i standarteve për studentët, që konsiderohen si kriteret më kryesore për një universitet, në rastin e Universitetit Bujqësor janë përmbushur plotësisht dhe në mënyrën mëe të mirë të mundshme. 

 

 Më vjen vërtet mirë për këto rezultate Profesor, por a mund të na thoni diçka lidhur me punët që ju duhet të bëni, periudha post Akreditimit Institucional?

 

Pyetje me mjaft vend, po më lejoni ju lutem të shpreh dhe diçka tjetër para si t’i përgjigjem pyetjes tuaj. Ajo çka dua të shpreh lidhet me këtë informacion që dua të sjell në vëmendjen Tuaj, por mbi të gjitha të lexuesve Tuaj të nderuar. Në gjykimin dhe vlerësimin tonë të padiskutueshëm, UBT përfaqëson aktualisht universitetin: me eksperiencën më të gjatë në fushën e arsimit të lartë publik (65 vjet); unikal, për nga programet e studimit që ofron; liderin në fushën e kërkimit në bujqësi, blegtori, agromjedis, ushqim, ekonomi dhe menaxhim, pyje, veterinari, etj; universitetin, me një bashkëpunim shumë të gjatë me institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit; universitet me standarde mjaft të larta në edukim dhe kërkim; me një staf shumë të kualifikuar dhe mjaft miqësor; me programe studimore fleksibël që mundësojnë përzgjedhje shumë të mira dhe që ofrojnë kompetenca të shumëfishta për të diplomuarit; garancinë për mobilitet të studentëve më të mirë në universitet me të cilat bashkëpunon brenda dhe jashtë vendit; që u garanton studentëve këshillim përmes zyrave të zhvillimit të karrierës, si dhe zyrës së studimeve dhe studentëve; me një bibliotekë shkencore të pasuruar me një fond shumë të madh librash dhe revistash, por edhe librari elektronike (TEEAL); të organizuar si një kampus me mjedise çlodhëse dhe atraktive për studentët, por dhe jo vetëm; jo vetëm një qendër mësimi dhe kërkimi, por dhe një institucion i evidentimit të talenteve edhe në fushën e sportit dhe të artit; me kurrikula studimesh (sipas programeve të studimit) bashkëkohore (kontribute nga SARA_American Support for Agricultural Restructuring in Albania, financuar nga USAID, kontribute nga GTZ_sot GIZ, si dhe kontribute të projekteve të tjera internacionale), të cilat mundësojnë zhvillimin e kompetencave profesionale të të diplomuarve sipas kërkesave të tregut të punës, llojshmëri kompetencash dhe për më tepër kompetenca të shumëfishta; i vlerësuar maksimalisht nga punëdhënësit dhe nga homologë jashtë vendit për ekuivalentimin e studimeve, me qasje të fortë konkurruese jo vetëm në tregun e punës vendas, por edhe atë të huaj. Ndjesë që u zgjata paksa, e le të kthehemi tani tek pyetja që bëtë pak më parë, pra lidhur me punët që duhet të bëjmë ne, për periudhën post akreditim.

·     Së pari, ne po shikojmë më shumë vëmendje çdo dobësi të evidentuar nga vlerësuesit e jashtëm dhe përmes një plani specifik masash do të bëjmë korrigjimet e mundshme me qëllim përmirësimin sa më të shpejtë të tyre.

·         Së dyti, lajmi i mirë i akreditimit institucional, na nxit dhe motivon që të fillojmë procedurat për fazën tjetër të akreditimit atë të akreditimit të programeve të studimit, me synimin kryesor që programet tona të studimit të jenë në top-listën e renditjes në nivel kombëtar dhe, pse jo edhe në rajon, me qëllim që të rinjtë shqiptarë të kenë të qartë, se çfarë dege studimi do të ndjekin në të ardhmen.

·         Së treti, synimi ynë do te jetë që në procesin e rankimit, programet tona të studimit të jenë në top listën e renditjes kombëtare.  

 

– Profesor çfarë “stacione” të tjerë punësh e objektivash, keni në vazhdim?

Ajo çka ne parashikojmë më tej dhe që e kemi objektiv, i referohet Vizionit tonë për Universitetin që ai të bëhet qendra më ekselente dhe më e madhe e edukimit universitar e pasuniversitar, kërkimit dhe trajnimit për përgatitjen profesionale të specialistëve të fushës së bujqësisë, të ushqimit dhe të mjedisit, veçanërisht për prodhimin bimor, prodhimin shtazor; hortikulturën; arkitekturën e peizazhit; mbrojtjen e bimëve; akuakulturën dhe peshkimin; agromjedisin & mbrojtjen e tij; ekonominë agrare; politikat bujqësore; zhvillimin e integruar rural; menaxhimin e ndërmarrjeve; marketingun; financën & kontabilitetin; agroturizmin, bioteknologjinë dhe ushqimin; industrinë e pijeve; mbarështimin e pyjeve; industrinë e drurit; mjekësinë veterinare & shëndetin publik, por dhe në disa fusha të tjera të cilat ne do të përpiqemi t’i elaborojmë këto dy vite. Për më tepër dhe në konsiderim të vizionit për të ardhmen, UBT ka tashmë Master Planin e Zhvillimit Strategjik të UBT-së, që fokusohet kryesisht tek Kampusi Universitar, për t’a shndërruar kampusin në një qender ekselence të mësimit, të kërkimit dhe të transferimit të njohurive në fushën e bujqësisë. Fatmirësisht kjo ide po mbështetet fuqimisht nga qeveria shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, nën kujdesin personal të Kryeministrit të vendit z. Edi Rama, për ta shndërruar kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës në një qendër kryesore ekselence të mësimit, kërkimit shkencor dhe të transferimit të njohurive në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri.

 

Faleminderit!

Përgatiti: Fejzo Subashi