Jonathan Moore:“SHBA-të dhe BE-ja do të monitorojnë zgjedhjet e 23 Qershorit”

442
Sigal

INTERVISTA/Jonathan Moore,Drejtor i Zyrës për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit

Jonathan Moore: Siç ua përmenda disave prej jush dje (pardje), kur po vrapoja nga njëri takim në tjetrin, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në Shqipëri. Jemi shumë krenarë, që e kemi Shqipërinë partnere në NATO dhe, duke folur si drejtori i zyrës që merret me këto çështje në rajon, jemi të lumtur ta kemi Shqipërinë si partnere në rajon. Kjo vizitë ka qenë planifikuar prej kohësh. Sigurisht, ngjarjet politike më të fundit të kësaj jave janë bërë fokusi i vizitës. Vizita në Tiranë është pjesë e një udhëtimi në disa vende, përfshirë dhe Kosovën dhe Maqedoninë. Për Shqipërinë, ne jemi shumë të interesuar të shohim që zgjedhjet të mbahen në 23 Qershor. Është tepër e rëndësishme që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek mbajtja e zgjedhjeve dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve. Kam patur mundësinë gjatë takimeve të ditës së kaluar të takohem me një numër njerëzish. Sapo u takova me Kryeministrin Berisha. Pata kënaqësinë që të takoja ministrin e ri të Punëve të Jashtme, z. Bumçi. Takova dhe z. Rama, sigurisht. Sot në mëngjes u takova dhe me z. Dule. Takova dhe disa të tjerë nga qeveria dhe partitë politike. Shpresoj, mos të jetë e papritur për ju, por dëgjova gjëra të ngjashme nga shumë prej tyre. Të gjithë politikanët më thanë që ata donin që zgjedhjet të ndodhnin në 23 Qershor. Të gjithë thanë se do t’i njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve, se do të mbështesin një mision të gjerë vëzhguesish ndërkombëtarë dhe se janë të përkushtuar të mbeten partner me Shtetet e Bashkuara. Ne diskutuam në disa nga takimet e djeshme ngjarjet e së hënës në Parlament. Siç ambasada jonë e ka bërë të qartë, megjithëse ne i njohim disa nga shqetësimet për ndryshimet në balanca me formatimin e koalicioneve parazgjedhore, ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor që vë në pikëpyetje votimin e datës 15 Prill në Parlament. Pavarësisht kësaj, ne duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin në 23 Qershor. Do të shohim se si procesi do të vazhdojë. Ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që kemi parë. Ka një nivel të lartë tensioni politik para këtyre zgjedhjeve, sërish, me pikëpyetje e akuza mbi çështjen e ligjshmërisë. Duhet të them se një nga personat me të cilët u takova dje ishte z.Kastriot Islami. Parimet demokratike përfshijnë sigurisht jo vetëm të drejtën e njerëzve për të votuar në zgjedhje, por edhe të drejtën e anëtarëve të parlamentit të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që kishte presion të drejtpërdrejtë nga protestues para shtëpisë së një anëtari të Parlamentit.  Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar. Për çdo rast, me një ambasador të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të fortë diplomatike këtu, ne do ta ndjekim me vëmendje situatën zgjedhore, ndërsa përparon. Presim të shohim mbërritjen e një misioni afatgjatë vëzhguesish nga OSBE. Si vizitor nga Uashingtoni, më lejoni t’ju theksoj interesin shumë të lartë në këto zgjedhje. Do të ketë një numër diskutimesh publike mbi zgjedhjet, përfshirë në Kongresin e SHBA-ve, në javët në vazhdim. Interesi ynë u përkufizua nga vizita e Sekretares Clinton në Shqipëri nëntorin e kaluar. Ajo foli mjaft fort për interesimin e SHBA-ve që të shohë përparim të Shqipërisë drejt BE-së dhe që Shqipëria duhet të ketë një cikël të suksesshëm zgjedhjesh këtë vit. Mund t’ju them se këto pikëpamje ndahen nga pasuesi i saj, Sekretari Kerry, nga të gjithë në qeverinë e SHBA-ve dhe nga Kongresi i SHBA-ve. Ju falënderoj sërish për mundësinë që të flas me ju. Kemi kohë për disa pyetje.

Pyetje: Ka zëra se largimi i dy anëtarëve nga KQZ-ja, z. Biba dhe znj. Shtylla, janë bërë me qëllimin që të shtyhen zgjedhjet. Do të doja të dëgjoja qëndrimin e SHBA-ve, do ta mbështeste shtyrjen nëse ndonjë parti politike do ta kërkonte këtë?

Jonathan Moore: Unë nuk jam ekspert për Kodin Zgjedhor. Nuk e di shprehjen shqip për këtë, por në 36 orët e fundit kam marrë një kurs të përshpejtuar mbi ligjin shqiptar të zgjedhjeve. KQZ-ja, mesa kuptoj, duhet të ketë një minimum prej pesë anëtarësh, në mënyrë që të mbajë zgjedhjet. Sigurisht, ne do të donim të shihnim anëtarësinë më të plotë të mundshme të KQZ-së. Më thanë se me më pak se pesë anëtarë, nuk do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje. Kjo është natyrisht një çështje për secilin anëtar të KQZ-së, për të vendosur se si do të veprojnë. Sërish, pasi dëgjova nga udhëheqësit e partive politike, si të qeverisë dhe të opozitës, që ata duan zgjedhjet të ndodhin në kohën e caktuar në 23 Qershor dhe kjo nënkuptojnë që përpjekjet duhet të bëheshin për të siguruar anëtarësi të plotë të KQZ-së.

Pyetje: Përsa i përket zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së, pavarësisht paralajmërimeve nga komuniteti ndërkombëtar, për mos ta bërë këtë, është e drejtë të thuhet që standardet e zgjedhjeve janë dëmtuar? Së dyti, në fillim të fjalës tuaj, ju thatë se jeni krenar që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s; sidoqoftë, Njësia e Inteligjencës së “The Economist” e klasifikon Shqipërinë si një regjim hibrid. A e dëmton ky mosrespektim i kritereve politike reputacionin e Shqipërisë si anëtar i NATO-s?

Jonathan Moore: Qeveria e SHBA-ve ka shumë faktorë dhe burime informacioni, tek të cilat bazohemi, për vendimet që marrim. Është shumë e vërtetë dhe shumë e natyrshme, siç e thashë, që të ngriheshin pyetjet për procesin para dhe në datën 15 prill. Sidoqoftë, unë i nxjerr konkluzionet e mia nga fakti, që të gjitha partitë politike, më thanë se ata duan të procedojnë me zgjedhjet dhe se ata do t’i respektojnë rezultatet. Ka vende anëtare të NATO-s, ndonjëherë edhe në SHBA, kur ngrihen pikëpyetje për zgjedhjet dhe ne sigurisht, kemi çdo arsye të besojmë se ne do të përparojmë dhe ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve, partive të veçanta, që t’i përgjigjen në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi procesit dhe të ecin përpara. Përveç kësaj, nuk dua të bëj krahasime me vende të tjera.

Pyetje: A keni një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësit e qeverisë dhe atë të opozitës, dhe a mund të na thoni një nga mesazhet që u dhatë atyre?

Jonathan Moore: Do të thoja se, për shkak se ne kemi marrëdhënie transparente dhe solide me liderin e opozitës, Kryeministrin dhe të tjerë, mesazhi që ndava me ju është mesazhi që kam ndarë me të gjithë ata: pritshmëri për lidhje, pritshmëri për fushatë profesionale, pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllimin që të shohim Shqipërinë të bëhet një vend më i begatë, një vend i suksesshëm, ndërsa punon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Dhe, është një rastësi, por Përfaqësuesja e Lartë, Ashton, e cila ka bërë një punë mjaft të rëndësishme për këtë rajon, sapo vizitoi Shqipërinë dhe ndau një mesazh shume pozitiv për të ardhmen e vendit. Ky mesazh për liderët politike është se kjo e ardhme nuk do të vijë kështu, automatikisht. Më shumë punë duhet të bëhet për ta bërë të mundur këtë. Ne i inkurajojmë qytetarët shqiptarë, që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ta bëjnë të mundur këtë të ardhme.

Pyetje: Së pari, pasi dëgjuam fjalën tuaj, situatë duket pozitive, por tensioni midis dy kampeve politike ndjehet qartë. Çfarë ju bën optimist dhe çfarë rrezikon Shqipëria, nëse dështon të ketë një fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme? Nëse është e mundur, ndoshta ju mund të flisni me më pak diplomaci, kështu që shqiptari i thjeshtë të mund të kuptojë.

Jonathan Moore: Kam shumë besim se qytetarët e Shqipërisë janë në gjendje të interpretojnë deklaratat diplomatike, pavarësisht nëse janë të rinj që kanë gëzuar anëtarësimin në NATO për këto vitet e fundit apo brezi më i vjetër që i ka mbijetuar 40 viteve diktaturë, nën Enver Hoxhën. Jam i sigurt që ia dalin shumë mirë të lexojnë midis rreshtave. Ne flasim për këto realitete politike. Ish-shefja ime, Sekretarja Clinton foli në parlamentin tuaj; ajo foli për realitetet e reja politike. Ajo foli posaçërisht për fushatën e tensionuar politike që bëri me senatorin e atëhershëm Barack Obama, që po kandidonte për president të SHBA.  Unë mendoj se ju, ndoshta, po flisni për një tjetër lloj tensioni, por pati momente në fushatën e tyre, gjithashtu, kur retorika ishte shumë e fortë dhe emocionet në maksimum. Ajo foli para parlamentit tuaj se si mund të ndryshojnë këto gjëra, se si mund të përshtaten. Në janar ajo përfundoi katër vjet si Sekretarja e Shtetit e Presidentit Obama. Ka pasur shumë diskutime për tensione politike në Shqipëri. Isha këtu para katër muajsh e gjysmë.  Fola me shumë prej ata, të cilët i takova këtë radhë dhe dëgjova gjëra mjaft të ndryshme, sepse koalicionet e atëhershme nuk janë ato të tanishmet. Disa njerëz thanë se si ata nuk do të mund të punonin kurrë bashkë dhe tani ata janë duke punuar bashkë në një koalicion parazgjedhor. Disa njerëz folën për eksperienca të këqija në të shkuarën, se si nuk kishte besim dhe se u dukej e pamundur të punonin bashkë. Sërish, jam i sigurt që qytetarët e Shqipërisë, që kanë kaluar kaq shumë batica e zbatica, ulje e ngritje emocionale përgjatë viteve, kanë mendimet e tyre të sinqerta për partitë e ndryshme politike dhe liderët politikë. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që ata të shkojnë drejt zgjedhjeve dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë, diskutimet për tensione bëhen pikërisht për të shkaktuar këto lloj tensionesh, për qëllime politike. Ne kemi të gjitha pritshmëritë, që të gjitha institucionet, individët, dhe organizatat do të sillen profesionalisht gjatë këtyre zgjedhjeve. Nëse ka pikëpyetje legjitime, ato duhet të çohen në gjykatë. Por, në fund të fundit, do t’i takojë njerëzve të vendosin kë duan të besojnë dhe kë duan të mbështesin. Tani, më lejoni t’i kthehem të njëjtës pikë: jo vetëm që të gjitha partitë politike kanë thënë që do të pranojnë paqësisht të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, por askush nuk e di se cilat do të jenë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Ndoshta mesazhi më i mirë për qytetarët e Shqipërisë është pikërisht kjo pritshmëri nga udhëheqësit politikë.

Pyetje: A morët një premtim nga z. Rama se do t’i plotësojë dy vendet bosh në KQZ? Pyetja e dytë, a vëren Uashingtoni ndonjë kërcënim për diktaturë? Me këtë kam parasysh intervistën e dhënë para pak ditësh nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Withers?

 Jonathan Moore: Këto kanë të dyja përgjigje shumë të thjeshta. Sigurisht, ne diskutuam të gjitha këto çështje, përfshirë KQZ-në, me z. Rama. Disa nga këto vendime të anëtarëve të KQZ-së për t’u dorëhequr, u bënë vetëm dje në mëngjes. Kështu që nuk pyeta posaçërisht, se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Partisë Socialiste. Edhe për pyetjen e dytë, mund të jem shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Siç ai vetë e vuri në dukje në intervistën e tij më të fundit, ai shpreh opinionet e tij si qytetar privat, dhe, bazuar në ligjet tona dhe tuaja, ai ka të drejtën ta bëjë këtë. Por, pikëpamjet zyrtare të Shteteve të Bashkuara vijnë nga ambasadori ynë aktual dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara.