Jahjaga: Shqipëria, partneri më strategjik në rajon

59
Ashtu siç ishte parashikuar më herët në axhendën e vizitës së saj të parë zyrtare në vendin tonë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbajtur edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, pasi takoi krerët më të lartë të vendit, duke nisur nga homologu i saj Bujar Nishani, kreu i Kuvendit Ilir Meta, si dhe kreun e qeverisë Edi Rama.
Duke e mirëpritur në Kuvend, kreu i legjislativit shqiptar Meta është shprehur se Presidentja Jahjaga ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e imazhit të vendit të saj, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të mbeten gjithnjë vëllazërore.
Jahjaga, në fjalën e saj para deputetëve shqiptarë, për të cilët solli edhe falenderimet e qytetarëve të Kosovës, ashtu sikurse dhe për qytetarët shqiptarë, është shprehur ndër të tjera se “Me Shqipërinë kemi një histori të përbashkët vuajtjesh, e megjithatë, pa Shqipërinë, Kosova nuk do të ishte vendi që është sot”.
Duke theksuar kontributin e dhënë nga Shqipëria dhe mbështetjen e pakursyer të saj për Kosovën, Jahjaga deklaroi se “ne, kosovarët, nuk mbetëm robër të historisë, por mbërritëm deri në ditët e sotme kur po ecim përpara me hapa të shpejtë dhe të sigurtë drejt Bashkimit Europian. Si kurrë më parë në historinë e Ballkanit, të gjithë ne jemi rreshtuar bashkë në përqafim të vlerave më të mira. Paqja në rajon do të sigurojë qëndrueshmëri për qytetarët e vendeve tona. Ndaj dhe sot na mbetet të bëjmë thirrje për një thellim të bashkëpunimit në fushën ekonomike”.