Ish-ministri Saimir Tahiri: Ja e vërteta e 20 milionë eurove për fushatën elektorale. Kur të flas për ato që di, do tronditen të gjithë

791
Sigal

Ish-ministri: Nuk kam paguar hotelet 900 euro natën. E informova me shkresë sekrete ministren Kodheli për radarët që nuk punonin

Saimir Tahiri: Ja e vërteta e 20 milionë eurove për fushatën elektorale

Prokuroria e Krimeve të Rënda dje kërkoi dënimin me 12 vjet burg ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për akuzat për trafikim ndërkombëtar të drogës. Ndërkohë, ish-ministri Tahiri shpërtheu në akuza ndaj ministres së Drejtësisë Gjonaj dhe nënkryetarit të Bashkisë Tiranë Mazniku, duke deklaruar para gjykatës se ka fjetur në hotele me maksimumi 140 euro nata. Saimir Tahiri: Ju më akuzoni se jam pjesë e trafikut. Jam trafikant që fle me 140 euro nata maksimumi. Pasuria ime është verifikuar në të gjithë Evropën. Është parë se sa kam paguar. S’kam paguar as 700 dhe as 900 euro nata”, ka deklaruar Tahiri. Deklarata e ish-ministrit të Brendshëm duket se ka thumbuar në distancë ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, së cilës i janë publikuar fatura në hotele me 700 euro nata, por edhe nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, krahun e djathtë të kryebashkiakut Erjon Velia, Arbion Maznikut, të cilit firma Fusha shpk i ka paguar 900 euro natën në një hotel në Barcelonë. Prokuroria më akuzon mua për 4 episode trafikimi droge. Por akuzat nuk kanë logjikë. Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në vitet; 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që dy hetimet konkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016”, ka thënë Tahiri. Po ashtu ish-ministri pyeti prokurorët se “si ka mundësi që prokuroria mund të më akuzojë për sasi droge të kultivuara para se të merrja detyrën e ministrit?”. Sipas tij, prokuroria duhet t’i publikonte faktet qartë dhe mos të thoshte gënjeshtra.

Tahiri: Si informova Kodhelin për radarët që nuk punonin

Në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar asokohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët”. Kështu deklaroi dje nga salla e gjyqit, ish-ministri Saimir Tahiri.

Kodheli flet për radarët: Nuk janë fikur asnjëherë nga dhjetori i 2013-s

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli foli dje për çështjen e radarëve që është përmendur në seancën gjyqësore ku u dha pretenca ndaj ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Deputetja e PS-së sqaroi se nuk ka pasur nevojë për asnjë letër, pasi radarët kanë qenë pjesë e akuzave që socialistët atëherë në opozitë drejtonin ndaj qeverisë Berisha dhe e dinin që ishin të fikur. Kodheli theksoi se ajo si ministre ka përgatitur një draft-projekt për rifillimin e punës së radarëve që është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga dhjetori i 2013 ata kanë qenë në punë pa u fikur asnjëherë. Ish-ministrja sqaroi se radarët e ushtrisë janë ndryshe nga ata të policisë.

Tahiri: Nëse harxhoja 20 mln euro në fushatë, atëherë të merren të gjithë

I pyetur në lidhje me deklaratën e tij të bërë në gjykatë, ku ka thënë se, nëse përgjimi ku flitej se ai në kohën që ishte ministër kishte marrë 20 milionë euro në fushatë merret si i vërtetë, atëherë duhej të hetoheshin të gjithë. Tahiri: Nëse Prokuroria ka një përgjim ku ministri i Brendshëm harxhon 20 milionë euro në fushatë, që është shifër e lartë, unë kisha vetëm 1 muaj në detyrë ndërkohë, dhe dy trafikantë bisedonin, jo ai merr 5 milionë euro, jo ai harxhon 20 milionë euro në fushatë elektorale. Unë kisha 29 ditë në detyrë. Tani, nëse Prokuroria e merr seriozisht këtë përgjim, që është fare banal dhe ordiner, Prokuroria duhet të bënte hatanë, nuk duhet të kursente njeri pa hetuar. Duhet të kishte hapur hetim pas hetimi, ç’është ky njeri, kjo parti, po të duash edhe këta njerëz që harxhuakan 20 milionë euro në një fushatë. Nuk duhet të kursente askënd.

Tahiri: Ka politikanë që kanë vrarë njerëz, sot në majë

Tahiri, ish-numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se ke politikanë që kanë vrarë njerëz dhe kanë vjedhur miliona e sot janë në majë të politikës. Saimir Tahiri: Në këtë vend ka deputetë që kanë vrarë njerëz dhe nuk kanë shkuar as në Prokurori, kurse unë kam dhënë dorëheqje si deputet. Ata që i fshehën drejtësisë, sot janë në politikë.

Ish-ministri: Akuzat skandaloze, policët nën varësinë time denoncuan Habilajt

Unë akuzohem që jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafik droge bashkë me disa policë, që nuk kanë qenë as me detyrë në Vlorë gjatë kohës që është bërë trafikimi i lëndës narkotike. Ky procedim penal është nisur nga policë në varësi timen. Ata denoncuan Habilajt. Ato që thotë Prokuroria shqiptare janë gënjeshtra dhe antimafia italiane i ka hedhur poshtë.

Tahiri: Më intereson drejtësia bashkë me lirinë

E mirëpres datën 19 pavarësisht se më duket larg. E pres datën 19 që gjykata të japë vendimin. E shoh të pamundur të mendoj çdo gjë tjetër përveçse të merrem me betejën që më takon. Mua më intereson drejtësia bashkë me lirinë, jo drejtësia i ndrydhur brenda korridoreve të pushtetit. Unë dua të jem i lirë, të kem gojë për të folur, shpirt për të ndjerë dhe mendje për të menduar dhe do jem ashtu. Kur kjo betejë të përfundojë siç dua unë të përfundojë, atëherë do ta kthej në betejën e çdo qytetari, të jesh e bindur për këtë.