Ish-ministri Ilir Beqaj dhe 3 deputetë të PS-së me kompanitë e tyre kanë përfituar tenderë prej 78 milionë euro

176
PD-ja: Ish-ministri Ilir Beqaj dhe 3 deputetë të PS-së me kompanitë e tyre kanë përfituar tenderë prej 78 milionë eurosh
PD-ja ka hedhur akuza të rënda dje në drejtim të maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për publikimin e emrave të disa deputetëve të PS-së, që bizneset e tyre, ose të të afërme të tyre kanë përfituar 78 milionë euro nga tenderët që kanë përfituar kompanitë e tyre. Drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku tha se ish-ministri Ilir Beqaj dhe 3 deputetë të PS-së kanë përfituar tenderë me kompanitë e tyre prej 78 milionë eurosh. “Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë “Intech+”, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurrent, shoqëria e ish-ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 mld e 362 mln lekë ose 1,1 mln euro, duke pasur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarka. Prej kohës kur Edi Rama është kryeministër, Sadri Abazi ka fituar tenderë me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike. Media raportoi pak kohë më parë se në shumë prej tenderëve, kompania ka paraqitur dokumentacion fals, por nga prokuroria, nën kontrollin e Edi Ramës, nuk ka asnjë reagim. 4 deputetë të Edi Ramës, kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve, të cilëve ata u kanë rritur çdo vit taksat në parlament. 78 milionë euro nga pasuria publike për 4 deputetë është rekord i babëzisë së pushtetit të Edi Ramës, i cili si qëllim të vetëm ka pasurimin e tij dhe të njerëzve të afërt të tij për të blerë pushtetin dhe për të sunduar shqiptarët”, deklaron zyrtarja e PD. “Të tilla rekorde korruptive janë një nga pengesat madhore të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaron PD-ja.