Korçë, Rama: Në fillim të 2016 nis ndërtimi i “Arenës Kombëtare”

451
Nga qyteti juglindor i Korçës, kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër premtim për sportdashësit, duke thënë se vitin tjetër do të nisë ndërtimi I arenës kombëtare në tiranë. Gjatë inspektimit të terrenit sportive të shkollës Raqi Qirinxhi, kryeministri tha se në këtë sektor do të ishte investuar më shumë nëse Minstria e Arsimit në 2013 nuk do të ishte me borxhe.
“Do të vazhdojnë të gjitha ato investime në funksion të zhvillimit të sportit kompetitiv, duke filluar nga skuadra kombëtare, e cila na ka imponuar me rezultatet e saj që të fillojmë që në nisje të vitit tjetër, ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë, që do të jetë stadiumi i tretë dhe sigurisht, edhe më i madhi në zinxhirin e stadiumeve që ne kemi nisur të rindërtojmë, apo ndërtojmë nga e para dhe ku pa dyshim do t’i vijë radha edhe stadiumit të Skëndërbeut, sidomos pas fitores me Sportingun e Lisbonës”, – theksoi Kryeministri.
Kryeministri Rama inspektoi gjatë mbrëmjes së të shtunës në Korçë, terrenet sportive të sapopërfunduara të shkollës “Raqi Qirinxhi”, një nga 44 terrenet e reja, të ndërtuara në të gjithë vendin në funksiontë shndërrimit të shkollave në qendra të ndërveprimit në komunitet. Me investim të qeverisë, kësaj shkolle i janë shtuar një fushë volejbolli dhe basketbolli, një fushe futbolli, dy fusha tenisi, si dhe dy fusha të mëdha shahu. Gjatë pasdites, këto terrene do të mund të përdoren edhe nga komuniteti.
“Janë 44 mjedise sportive komunitare, ky është një nga këto mjedise. Sigurisht, po të mos na ishte dashur të lanim rreth 35 milionë dollarë borxhe të trashëguara, që Ministria e Arsimit i kishte nga e shkuara për shërbimin e kompanive, atëherë do të kishim bërë edhe afro 200 mjedise të tjera më shumë. Ndërkohë që në vitet në vijim do të vazhdojmë me këtë sistem, sepse këtu ka një ndërveprim mes shkollës dhe komunitetit, por edhe mes shkollave të qyteteve të ndryshme. Sot janë nxënësit e “Petro Nini”-t të Tiranës që kanë ardhur për të kaluar fundjavën me miqtë e tyre këtu në Korçë, dhe besoj që vitin e ardhshëm, falë ndërhyrjes që do të bëjmë në “Petro Nini”-n e Tiranës, do të jetë e mundur që do të ndodhë e njëjta gjë edhe atje, e kështu me radhë. Për ne, sporti ka rëndësi të madhe në programin e arsimit dhe vazhdojmë të fuqizojmë infrastrukturën e sportit, pasi e kemi futur atë në të gjithë zinxhirin e arsimit si program edukativ”, – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shoqërohej në vizitën e tij nga zëvendëskryeministri Peleshi dhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo. 
Sigal