Naço në komisionin e Ligjeve, në lidhje me inspektimet në Prokurori

446
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi Raportin e Ministrisë së Drejtësisë, për Inspektimet në Prokurori për vitin 2014 dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008 “Për standardizimin” të ndryshuar”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete.
Në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço bëri prezantimin e raportit të Ministrisë së Drejtësisë për Inspektimet në Prokurori për vitin 2014, ku bëri publike edhe gjetjet e konstatuara në këtë raport.
“Në përmbushje të detyrimit ligjor ndodhem sot para këtij komisioni për të prezantuar konstatimet e Inspektoratit të Ministrisë që unë drejtoj, në lidhje me inspektimet e kryera në organin e Prokurorisë për periudhën 1 mars 2014- 1 mars 2015. Duke qenë se ky është një kontrolli i jashtëm që bëhet, inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë vlerësohet si një mundësi për të siguruar harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve dhe sigurimin e ekuilibrit dhe bashkërendimit në funksion të politikës penale shtetërore. Raportet e inspektimit të kryera nga ana jonë, kanë adresuar faktet dhe konstatimet gjatë veprimtarisë së këtij institucioni. Nëpërmjet këtyre konstatimeve mund të nxjerrë rekomandime për politikat dhe aktivitetet që duhen ndërmarrë në përputhje me vizionin dhe prioritete për sistemin e drejtësisë. Gjatë periudhës së raportimit janë ushtruar kontrolle të planifikuara, mbi bazë ankesa, siç janë ato në shkallë të parë dhe në ato të apelit. Kontrollet e planifikuara janë ushtruar në prokurorinë e rrethit gjyqësor Sarandë dhe prokurorinë e apelit Shkodër, ndërsa kontrolli mbi bazë anekse është bërë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës. Në këndvështrimin statistikor përgjatë kontrollit të ushtruar, janë inspektuar rreth 1200 procedime penale, nga të cilat rreth 830 procedime i përkasin prokurorisë së shkallës së parë dhe rreth 370 procedime i përkasin prokurorisë së apelit. Në inspektimin e çështjeve në prokurorinë e shkallës së parë, në fokus ka qenë ligjshmëria e veprimtarisë së prokurorit lidhur me respektimin e afateve të hetimit; respektimin e afateve të paraburgimit; rregullshmërinë dhe vijueshmërinë e veprimeve hetimore; respektimin e të drejtave të njeriut dhe subjekteve të procedimit penal, në veçanti të ndaluarve, të arrestuarve sidomos ata që janë të mitur. Sa i takon inspektimit të realizuar në prokurorinë e apelit, në fokus ka qenë ndjekja e ecurisë së çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhënë nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit, sa i takon politikës penale të ndjekur”,- tha z. Naço.
Më pas deputetët vijuan shqyrtimin e raportit dhe në fund të mbledhjes, kryetari i komisionit z. Fatmir Xhafaj theksoi se pasi të zhvillohet edhe seanca dëgjimore mbi raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, do të bëhet edhe hartimi i projektrezolutës që do t’i paraqitet seancës plenare.
Krahas kësaj, deputetët votuan pa asnjë votë kundër projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008 “Për standardizimin” të ndryshuar”.
Mazhoranca në Komisionin Parlemntarë të Ligjeve ka debatuar me Ministrin e Drejtësisë, duke e kritikuar për mos inspektim permanent të punës së prokurorisë. Ministri Nasip Naco, në komision raportoi vetem katër raste inspektimi gjatë një viti të tërë.
Nasip Naço: Bazuar në raportin e kontrollit të ministrit të Drejtësisë, i ka rekomanduar prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.
Pandeli Majko: Vërtet ka pasur vetëmë një kontroll mbi bazë ankese, dmth një ankesa ka pasur dhe një kontroll ke bërë. Shikoj një diferencë, dje kishim Avokatin e Popullit. AP në raportin e tij na tha që institucioni i tij ka trajtuar 304 ankesa të adresuara nga qytetarë për veprime të padrejta ose mosveprime të kryera nga organi i akuzës dhe veprime të kryera nga gjykata.
Nasip Naço: Paralelisht me ne kanë qenë dhe kontrolli i ushtruar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe sigurisht ne jemi tërhequr nga këto kontrolle që kishim për të mos dubluar të njëjtin kontroll.
Fatmir Xhafa: Ky është një detyrim që ja njeh ligji dhe sa kohë që ja jep ligji askush nuk mund ta very në diskutim të drejtën e ministrit dhe të drejtën e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë për të inspektuar në Gjykata apo prokurori.
Raporti i Ministrisë së Drejtësisë është shpërfillur nga opozita, ku i vetmi përfaqësues ka qënë Republikani Fatmir Mediu.
Në të dalë nga salla e komisionit të ligjeve Ministri Naco, ka pasur një replikë të drejtpëredrejtë dhe për presidentin, për atë që ai ka deklaruar për drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Nasip Naço: Është një absurditet që nuk duhet ta thotë një qytetar i thjeshtë dhe jo Presidenti i Republikës

Në Komisionin e Ligjeve prezantohet raporti vjetor mbi inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë në prokurori

Dje ministri i Drejtësisë, Nasip Naço paraqiti raportin vjetor të Ministrisë së Drejtësisë, mbi inspektimet e kryera nga ky dikaster në prokurori përgjatë periudhës 1 mars 2014 e deri në 1 mars 2015. Gjatë periudhës së raportimit, janë ushtruar kontrolle, të planifikuara dhe mbi bazë ankese, në prokuroritë e shkallës së parë dhe të apelit. Shtetasit kanë paraqitur ankesë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në ankesën e tyre midis të tjerave ata kanë pretenduar për veprimtari jo të rregullt dhe veprime korruptive të punonjësve të sistemit të drejtësisë (gjyqtarë/prokurorë). Këto ankesa për shkak se problematika ishte jashtë objektit të veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë dhe përmbanin të dhëna konkrete, i janë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme, si i vetmi organ që ka kompetencën ligjore për të ushtruar ndjekjen penale. Kontrollet e planifikuara janë ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Prokurorinë e Apelit Shkodër, ndërsa kontrolli mbi bazë ankese është ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Mirëpo, siç del edhe nga raporti vjetor i ministrisë së Drejtësisë mbi inspektimevt e kryera në prokurori, përgjatë 1 viti, asnjëherë prokuroria e Përgjithshme nuk është përgjigjur ministrisë së Drejtësisë për rekomandimet që ka bërë, çka do të thotë, që prokuroria e Përgjithshme nuk ka marrë asnjë masë ndaj prokurorëve që kanë shkelur ligjin.
Shifrat e kontrollit dhe shkeljet nga prokurorët
Në këndvështrimin statistikor përgjatë kontrolleve të ushtruara, janë inspektuar rreth 1200 procedime penale, nga të cilat 830 procedime i përkasin Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe 370 procedime i përkasin Prokurorisë së Apelit. Janë kontrolluar 13 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 7 prej tyre. Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës, duke marrë në konsideratë parimin e propocionalitetit dhe të pasojës së ardhur nga shkeljet e kryera.
Përgjatë periudhës së raportimit, janë konstatuar këto lloj shkeljesh:
Shkelje e detyrimit për veprime të rregullta e të vijueshme hetimore.
Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ka rezultuar se :
– Ka periudha të gjata kohore gjatë të cilave, pa asnjë shkak të dukshëm ligjor, nuk janë kryer veprime hetimore, pra janë zvarritur hetimet jashtë një afati të arsyeshëm ligjor;
– nuk janë kryer veprime hetimore në përmbushje të detyrave të lëna nga gjykata, pasi kjo e fundit ka vendosur prishjen e vendimit të mosfillimit;
– ka munguar roli mbikqyrës i prokurorit lidhur me veprimet e deleguara oficerit të policisë gjyqësore.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka rekomanduar :
-Shfuqizimin e vendimeve të konstatuara me shkelje;
– Fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët e kontrolluar, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.
Shkelje e detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale.
Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Durrës dhe konkretisht;
-Mosfillim procedimi, ndërkohë që kallëzohen veprime koruptive të personave konkret, pa u kryer asnjë verifikim apo veprim proaktiv nga prokurori;
– Mosfillim procedimi, për shkak se kallëzimi nuk është paraqitur, ndërkohë që ky shkak nuk përfshihet në rrethanat të cilat nuk lejojnë fillimin e procedimit;
– Mosfillim procedimi megjithëse janë kryer veprime të mirëfillta hetimore, apo kur nga materiali kallëzues del e domosdoshme kryerja e veprimeve hetimore për të provuar apo rrëzuar pretendimet e paraqitura;
Rekomandimi i dhënë nga Ministri i Drejtësisë për këtë natyrë shkeljeje ka qënë:
-Shfuqizimin e vendimeve të konstatuara me shkelje. Për rastin e konstatuar në Prokurorinë e shkallës së parë Durrës, ky rekomandim u konsiderua i drejtëpërdrejtë nga drejtuesi i Prokurorisë së rrethit Durrës, i cili vendosi shfuqizimin e vendimit të konstatuar me shkelje.
– Fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët e kontrolluar, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.
Shkelje e detyrimit për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti të politikës së dënimit.
Kjo natyrë shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, për çështjet që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit.
Rekomandimet e Ministrit të Drejtësisë për vitin 2014, kanë orientuar ashpërsimin e kërkesave të prokurorëve për veprat penale, që parashikojnë një masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg, dhe në veçanti për veprat penale të korrupsionit; të krimit të organizuar; të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake; të ndërtimit të paligjshëm; të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në vështrimin e këtyre rekomandimeve është analizuar përfaqësimi në gjykim i Prokurorisë së Apelit Shkodër, nga ku u evidentua ndër të tjera se, pavarësisht faktit që prokurori i shkallës së parë ka bërë ankim lidhur me masën e dënimit të dhënë nga gjykata, prokurori i apelit ose nuk ka ashpërsuar masën e dënimit ose nuk ka bërë rekurs kur gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Rekomandimi i dhënë për këtë shkelje ka qënë se: Gjetjet e këtij raporti të konsiderohen si në drejtim të politikave të promovimit dhe disiplinimit të prokurorëve, por edhe për unifikimin dhe orientimin e politikës penale që duhet të ndiqet nga prokurorët, specifikisht për ecurinë e çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit.
Shkelje e detyrimit ligjor për respektimin e parimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit, në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.
Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Sarandë dhe konkretisht:
– Nuk është respektuar detyrimi për njoftimin e vendimit të mosfillimit kallëzuesit, në 26 raste të konstatuara në Prokurorinë e rrethit Sarandë.
– Nuk është respektuar detyrimi për njoftimin e vendimit të pushimit personave të interesuar, në 6 raste në Prokurorinë e rrethit Sarandë.
Nga ankesat e drejtuara Ministrisë së Drejtësisë nëpërmjet portalit ‘Stop Korrupsionit në Drejtësi’, apo në rrugë shkresore, ku janë denoncuar për veprime korruptive, punonjës të sistemit të drejtësisë apo institucione të tjera, rreth 26 raste i kanë kaluar për kopetencë trajtimi, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme Prokurorit të Përgjithshëm. Duke analizuar këto shifra i është kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm në Rekomandimet e vitit 2015, që të ndërmarrë sa më shumë hetime pro aktive.
Në Prokurorinë e shkallës së parë Durrës,. është konstatuar shkelje në trajtimin e një kallëzimi penal. Është kontrolluar veprimtaria e 2 prokurorëve në 2 çështje të veçanta, është konstatuar shkelje vetëm për njërin prej tyre.
Në Prokurorinë e shkallës së parë Sarandë, janë konstatuar shkelje në 54 procedime nga të cilat 43 të mosfilluara dhe 11 të pushuara. Është kontrolluar veprimtaria e 7 prokurorëve, lidhur me veprimtarinë e tyre më tepër se 1 vjeçare, është konstatuar shkelje në 6 prej tyre.
Rekomandimet e dhëna për këto kontrolle kanë qenë:
3 me karakter të përgjithshëm, sa i përket plotësimit të detyrimit ligjor të informimit të subjekteve që parashikon ligji.
3 rekomandime me karakter të posacëm, sa i përket:
– fillimit të procedimit disiplinor për prokurorët, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës,
– ushtrimit të kompetencave ligjore nga prokurori më i lartë për mundësinë e shfuqizimit të vendimeve të mosfillimit/pushimit të konstatuara me shkelje;
-Konsiderimit të konstatimeve për unifikimin dhe orientimin e politikës penale që duhet të ndiqet nga prokurorët, specifikisht për ecurinë e çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit.
Deri në datën e përgatitjes së këtij raporti Prokurori i Përgjithshëm nuk është përgjigjur në asnjë rast.
Kontrolli në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë
Ndër 800 çështje të kontrolluara, janë konstatuar me shkelje proceduriale 54 procedine, ndër të cilat 43 mosfillime procedimi dhe 11 procedime penale të pushuara, shkelje të cilat i’u atribuohen 6 prokurorëve. Janë konstatuar shkelje të strukturuara në 3 kategori sipas çështjeve: Mosrespektimi i vijueshmërisë së veprimeve hetimore. Kjo shkelje është evidentuar në 12 raste. Mosrespektim i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale. Kjo shkelje është evidentuar në 31 raste. Mosrespektimin e parimeve të drejtësisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit, në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal. Kjo shkelje është evidentuar në 32 raste, nga të cilat 26 raste janë për vendimet e mosfillimit dhe 6 raste për vendimet e pushimit.
Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët e kontrolluar, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës. Deri në datën e përgatitjes së këtij raporti Prokurori i Përgjithshëm nuk është përgjigjur në lidhje me rekomandimet e bëra.
Kontrolli në Prokurorinë e Apelit Shkodër
Janë konstatuar shkelje në veprimtarinë e 4 prokurorëve të kësaj prokurorie, të strukturuara në kategorinë e çështjeve: Politikë jo e drejtë penale. Lidhur me qëndrimin e mbajtur nga prokurorët për veprat penale të korupsionit dhe specifikisht në 12 rastet e konstatuara për veprën penale të shpërdorimit të detyrës:
-Në 12 çështjet gjyqësore që lidhen me veprën penale të Shpërdorimi i detyrës, dënimi i kërkuar nga organi i prokurorisë si në shkallë të parë dhe në apel është i llojit burgim (nga 6 muaj – 3 vjet). Në rastet e shqyrtuara, nuk rezulton që të jetë kërkuar në asnjë rast, maksimumi i dënimit që parashikon kjo dispozitë (7 vjet).
– Në 6 raste çështja është shqyrtuar mbi ankimin e prokurorit, nga të cilat në 4 raste, prokurori i apelit ka mbrojtur në gjykim ankimin e prokurorit të shkallës së parë.
– Prokurori i apelit nuk e ka mbështetur prokurorin e shkallës së parë.
Qëndrimi i mbajtur nga prokurorët për veprat penale të krimit të organizuar dhe specifikisht në 22 rastet e konstatuara për nenet 141/a/1, 283, e 284/2 të K.Penal:
-Prokuroritë e shkallës së parë në juridiksionin e prokurorisë së apelit Shkodër, kanë kërkuar masa dënimi në minimumin apo afër minimumit që parashikon dispozita përkatëse, pa përfshirë këtu aplikimin e nenit 406 të K.Pr.Penale që e zbret më tej masën e dënimit.
– Prokurori i apelit në cilësinë e prokurorit më të lartë kur çështja ka ardhur në Gjykatën e Apelit mbi bazën e ankimit të prokurorit, nuk rezulton që të ketë kërkuar një masë më rëndë dënimi se ajo e kërkuar nga prokurori i shkallës së parë, edhe pse dënimi i kërkuar/dhënë ka qenë në minimum/afër minimumit të dënimit që parashikon dispozita përkatëse.
– Nga 14 çështje që kanë ardhur në gjykatën e apelit Shkodër mbi bazën e ankimit të prokurorit të shkallës së parë, në 6 raste prokurori i apelit ka hequr dorë nga ankimi.
= Në 4 raste ku prokurori i apelit ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë/mospranimin e ankimit të të pandehurit dhe Gjykata e Apelit ka vendosur edhe aplikimin e nenit 59 të K.Penal(pezullimi i i ekzekutimit te vendimit me burgim), nuk rezulton që prokurori të ketë ushtruar rekurs. Në 1 rast tjetër prokurori i apelit ka kërkuar vetë aplikimin e nenit 59 të K.Penal.
Qëndrimi i mbajtur nga prokurorët për veprat penale kundër jetës dhe shëndetit, dhe specifikisht në 29 rastet e konstatuara për nenet 76, 78, 79 dhe 88 K.Penal:
-Dënimi i kërkuar nga prokurori i shkallës së parë për këto vepra penale është me burgim, i orientuar nga mesatarja drejt maksimumit të dënimit. Vetëm në 3 raste ishte kërkuar minimumi i dënimit. Rastet që gjykata kishte zbutur më tej dënimin ishin ankimuar nga prokurori i shkallës së parë.
– Në 15 raste çështja është shqyrtuar mbi ankimin e prokurorit. Në të gjitha rastet, prokurori i apelit ka mbështetur në gjykim ankimin e prokurorit të shkallës së parë, por nuk ka ushtruar rekurs në 8 raste kur gjykata e apelit nuk ka vendosur sipas ankimit të prokurorit. Në 1 rast tjetër nuk ka bërë rekurs kur gjykata e apelit ka zbutur edhe më tej masën e dënimit.
Qëndrimi i mbajtur nga prokurorët në 47 rastet e konstatuara për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake:
-Dënimi i kërkuar nga prokurori i shkallës së parë për këto vepra penale është i llojit burgim, dhe konkretisht: i) Për nenin 278/2, kërkesa e prokurorit varion nga 10 muaj – 2 vjet burgim, vetëm në 2 raste është dhënë dënimi me gjob; në 2 raste ka aplikuar nenin 59 të K.Penal; në 5 raste ka kërkuar dënimin maksimal ii) Për nenin 278/3 kërkesa e prokurorit varion nga 1 vit – 3 vjet burgim, shpesh është kërkuar, minimumi dhe mesatarja e dënimit; nuk ka rast të kërkesës për dënimin maksimal,(5 vjet); iii) për nenin 278/4, kërkesa e prokurorit varion nga 7 – 9 vjet burgim, shpesh është kërkuar minimumi dhe mesatarja e dënimit; nuk ka rast të kërkesës për dënimin maksimal(15 vjet); iv) për nenin 278/5, që është vetëm 1 rast është kërkuar maksimumi i dënimit (15 vjet burgim).
– Nuk rezultojnë raste që prokurori i apelit në cilësinë e prokurorit më të lartë, të ketë kërkuar ashpërsimin e masës së dënimit, në rastet kur çështja është gjykuar mbi ankimin e prokurorit.
– Në 20 raste çështja është shqyrtuar mbi ankimin e prokurorit. Në 11 raste, prokurori i apelit ka mbështetur në gjykim ankimin e prokurorit të shkallës së parë, por nuk ka ushtruar rekurs në 5 raste kur gjykata e apelit nuk ka vendosur sipas ankimit të prokurorit. Në 3 raste të tjera ka hequr dorë nga ankimi dhe në 1 rast tjetër nuk e ka mbështetur atë duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit. Në 2 raste mbi bazën e ankimit të të pandehurit, prokurori i apelit nuk ka bërë rekurs kur gjykata e apelit, ka zbutur edhe më tej masën e dënimit apo ka aplikuar nenin 59 të K.Penal.
Qëndrimi i mbajtur nga organi i prokurorisë në 3 rastet e konstatuara për veprën penale të zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit:
-Në rekomandimet vjetore është rekomanduar ashpërsimi i masave të dënimit për këtë vepër penale, ndërkohë të treja rastet, dënimi i kërkuar nga organi i prokurorisë është me gjobë, ndërkohë që dispozita(neni 197 i K.Penal) parashikon edhe dënimin me burgim deri 3 muaj.
Qëndrimi i mbajtur nga organi i prokurorisë në 30 rastet e konstatuara për veprën penale të dhunës në familje:
-Dënimi i kërkuar nga prokuroria e shkallës së parë për rastet e konstatuara për këtë vepër penale është i llojit burgim. Të ndara sipas paragrafëve dënimi i kërkuar ka qenë: i) për nenin 130/a/1, dënimi i kërkuar varion nga 4 muaj – 1 vit. Vetëm në 1 rast prokuroria e shkallës së parë ka kërkuar maksimumin e dënimit që parashikon kjo dispozitë (2 vjet); ii) për nenin 130/a/2, dënimi i kërkuar është 1 vit dhe 1 rast tjetër prokuroria e shkallës së parë ka kërkuar maksimumin e dënimit që parashikon kjo dispozitë (3 vjet); iii) për nenin 130/a/3 , dënimi i kërkuar është 9 muaj dhe rasti tjetër 1 vit burgim; iv) për nenin 130/a/4 dënimi i kërkuar varion nga 1 vit – 3 vjet, në 4 raste është kërkuar minimumi/afër minimumi i dënimit; në asnjë rast nuk është kërkuar dënimi maksimal që parashikon kjo dispozitë(5 vjet).
– Prokuroria e apelit në përgjithësi ka mbështetur ankimin e prokurorit të shkallës së parë, por nuk rezulton që të ketë kërkuar masë më të rëndë dënimi, se ajo e kërkuar nga prokurori i shkallës së parë, në çështjet që janë gjykuar mbi ankimin e prokurorit.
Për këtë kontroll është bërë rekomandim i përgjithshëm lidhur me informimin në bazë të ligjit të Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së kontrolluar. Deri në datën e përgatitjes së këtij raporti Prokurori i Përgjithshëm nuk është përgjigjur në lidhje me rekomandimet e bëra.
Boks
Çështjet mbi të cilat Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontrollin e saj në prokuroritë
a) ndjekja e ecurisë së çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit;
b) respektimi i afateve të hetimit;
c) respektimi i afateve të paraburgimit;
ç)respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal dhe, në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve;
d) rregullshmëria dhe vijueshmëria e kryerjes të veprimeve hetimore;
dh) respektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale;
e) ecuria e politikës penale dhe, në veçanti, e politikës së dënimeve që ndiqet nga prokurorët:
ë) rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale;
f) respektimi i parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.
Sigal